1. Gruas, për ditëlindje…
Për fjalën të dua qeshë i kursyer
Por ty ta thashë pa lyer e ngjyer,
Ta thashë ndonjëherë, e për mall
Sikur të ishte fjalë e rrallë.
Se fjala të dua ndizet shpesh
Si yjet që dridhen midis resh,
Po edhe e ftohtë bëhet rëndom
Midis atyre që e përtypin nëpër dhëmbë,
Dhe s`guxojnë ta nxjerrin të plotë
Kur hipokrizia fjalën ua ndot.
Nga ai soj unë s`kam qëlluar
Nga sa veten njoh,
Fjalën e shenjtë mbajta të vluar
Si zjarrin që më ngroh…
Tani u bënë vite që bashkë
E ndezëm këtë zjarr,
Dhe vitet lëruan si brazdë
Sa rrudha në ballë
Si rrëkezë i freskon ajo fjalë…
E sot ,në ditëlindjen tënde
Fjalën nuk e përsëris,
Po ajo rri në ajër si aromë ëndrre
Dhe në vitet e shkuara larg na nis,
Në vitet e tashme dhe të ardhme
Na nis ajo,
Bukur është t`ia rrisish flatrat kësaj fjale
Për njeriun që do…
2.- KRONOSI
Me një lodër klepsidre në duar
Ti na gënjen,
Dhe kush nuk të lyp llogari.
Hapësirat e tua bosh na rrëfen
Brigjet e tyre të mjegullta
Ky syri jot rri.
Ti matës i pamëshirshëm vitesh
Dekadash, shekujsh
E prapë nga e para e nis
Harron se me ne rritesh
Pa ne mbetesh një trung pa filiz…