AZEM SOKOL HASANAJ- KRYEFJALË E MOTO TË JETËS SË TIJ I PATI FAMILJEN, PUNËN E VENDLINDJEN

Të nderuar familjarë e farefisni, miq e dashamirë të Azem Sokol Hasanajt!

Dje ndrroi jetë në Tiranë e po ndahet prej nesh në moshë 82 vjeçare, Azem Sokol Hasanaj, një nga burrat e mirë e të zotët në fshatin Degë e në Malësi të Gjakovës, që kryefjalë e moto të jetës së tij i pati Familjen, Punën e Vendlindjen.

Azem Sokol Hasanaj ishte e mbeti një burrë trojenik i përjetshëm i themeleve të veta trojenike, pasi lindi në Degë më 10 shtator 1936 e vdiq po në Degë me 10 nëntor 2018, në trojet e tij të moçme, i lidhun fort me fshatin e tij të dashur Degë. Azem Sokol Hasanaj është djalë i të nderuarit e të paharruarit Sokol Hysenit, i Shtëpisë së Madhe të Dem Hysenit në Degë, që shquhet për bujarinë, mirëpritjen, mirënjohjen dhe respektin pa kufi për miq dhe bashkëfshatarët e tij.

Azem Sokoli është djali i Naile Miftarit, nip i Shtëpisë së Agës të Kryeziut të Pukës, familje e nderuar dhe e respektuar, jo vetëm në Pukë, por më gjerë.

Azem Sokol Hasanaj nga fëmijëria e deri në ditët e fundit të jetës ishte i dhanun pas punës, se punëve iu rrinte gjithmonë në ballë e iu dilte gjithnjë në krye. Azem Sokol Hasanaj ishte gjallnik i madh, ishte shtëpijak i mirë. Dhe shtëpia e tij ishte e hapur gjithmonë për mirë dhe për të kontribuar me mundësitë e veta në zgjidhjen e problemeve të atyre që i kërkonin ndihmë.

Azem Sokol Hasanaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Zylfije Hasanaj rriti dhe i edukoi me virtytet ma të mira e me dashuri për punën të 12 fëmijët e tij, edhe në kohët e vështira të djehit apo të sodit, si në fshatin e lindjes në Degë e në shkollimet e tyre, e deri në rrugëtimet e 6 prej tyre jashtë Atdheut, në Angli.

Ai ishte i përkushtuar si rrallkush dhe ndaj nipave e mbesave të veta, si për Flugersin, djalin e vajzës së tij, të Fluturës së ndjerë, të cilin e rriti vet si prind i rrallë derisa në fund të jetës së vet, në hapat e frymen e vet, ia bani zgjidhjen e duhur duke ia siguruar të ardhmen e tij në Angli. Familja e tij, fëmijët e tij, kur Azemi provoi dhimbjet e një sëmundje, të gjithë treguan përkujdesje në kufi jtë maksimal e sidomos vajza e tij, Valmira –e cila ndejti me të e përkushtuar gjatë gjithë kohës.

Ne iu themi fëmijëve të tij me emra të bukur e domethënës, me dashuri të madhe për prindin e tyre, si: Vjollcës, Lulzimit, Donjetës, Albertit, Meritanit, Valmirës, Luljetës, Arbrit, Alborit, Besmirës e Vitlumit: të jeni krenarë për baben tuaj, Azem Sokol Hasanaj! Po aq krenarë për Azem Sokolin duhet të jenë dhe vëllai i madh Rexhep Sokoli e Ukë Halili, motrat Xhevahire e Xhbane Sokoli, Hate Mehmeti, nipat e mbesat e tij, për vllain, xhaxhain, gjyshin, dajën e tyre, me të cilin u rriten, ndanë gëzimet dhe një jetë të tërë bashkë.

Dhimbja për Azem Sokol Hasanaj ka qënë e ndjeshme, e madhe, jo vetëm në Tropojë e në disa rrethe të Shqipërisë, por dhe në Rrafshin e Dukagjinit, Kosovë, në Plavë-Guci në Malin e Zi, në mërgata shqiptare në botë, të cilët i kanë shprehë dhe po i shprehin ngushëllimet e tyre me mesazhe, si: nga drejtues të PD-së në Tiranë; Z. Isuf Çelaj – deputeti i Tropojës; Z. Besnik Dushaj- kryetari i Bashkisë të Tropojës, Z. Harry Bajraktari –Nderi i Kombit, personalitet i shquar shqiptar në Amerikë; ambasador Lisen Bashkurti e dhjetra e të tjerë.

Në mesazhet e shumta thuhen fjalë nga ma të zgjedhurat e nga ma mmeritoret për Azem Sokol Hasanaj, duke e cilësuar si “një Burrë i vërtetë Malësie i pamposhtun ndaj vështirësive që i ofroi jeta”; “njeri i mirë, i punëve për mirë, i sakrifi cave për mirë”; “burrë i sojshëm”; “me vullnet të hekurt”; “shumë punëtorë”; “prind e edukator i shkëlqyer”; “dhëndër shumë i nderuar”; “njeri bajemirës për të tjerët”; “ishte një burrë që e njohu për mirë e gjithë Malësia e Gjakovës dhe mbetet një burrë i nderuar nga e gjithë Malësia e Gjakovës”, etj.

Dhe tani, në shenjë nderimi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për njeriun e lartë, të çmuar, të mirë, Azem Sokol Hasanaj, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Koftë i paharruem emri e veprat e tij!

_________________

Fjalë Lamtumire, e mbajtur nga av.  Rasim HASANAJ – vllai i Azem Hajdarit, ish kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve të Shqipërisë, këshilltar për Diasporën i kryetarit të PD-së të Shqipërisë, në përcjelljen mortore – varrimin e Azem Sokol HASANAJT në fshatin Degë të Tropojës.

Në foto: Azem Sokol Hasanaj i fshatit Degë të Tropojës