Mes marinës së Putinit dhe asaj të Ukrainës po gjëmon konflikti në det. Deti i Zi është jo vetëm një terren i rrezikshëm për Moskën e Kievin, por ky det i brendshëm është edhe një pikëtakimi mes NATO-s dhe Rusisë.
Paraqitja grafike e trupave ruse të dislokuara në Detin e Zi
Deti i Zi rrallëherë përfshihet nga dallgë të furishme. Edhe në aspektin gjeostrategjik këto ujëra relativisht të cekëta kanë pasur avantazhin të mos konsiderohen si Hot Spot i vatrave globale të krizës. Kjo ndryshoi rrufeshëm në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë nga Rusia. Putini thjesht e mori sërish gadishullin dhuruar Ukrainës nga kryetari i partisë dhe i shtetit të Bashkimit Sovjetik Nikita Chruschtschow më 1954. Që nga ajo kohë Krimeja po shndërrohet në një “aeroplanmbajtëse” për interesat ruse në krahun jug-lindor të NATO-s.
Rusia krijon fakte në dhe përgjatë Detit të Zi. Vetëm në Krime Moska ka dislokuar 28.000 ushtarë. Buxheti ushtarak vitet e fundit është dyfishuar. Miniflota e Ukrainës, portet e së cilës ndodhen në Detin Asovshen, ndodhet në çarkun e Putinit. Që prej vitit 2008, sukurse konstaton Fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin, prania ushtarake në rajon po zgjerohet sistematikisht. Distrikti ushtarak “Perëndim” është terreni i armatimit kryesisht përgjatë Detit të Zi.
Me nëndetëse të reja dhe fregata të pajisura me raketa me rreze të gjatë veprimi të tipit “Kalibr”, armatimi i Rusisë në Detin e Zi është një demonstrim i hapur i forcës kundrejt vendeve të NATO-s,që shtrihen në brigjet e këtij deti, kryesisht Bullgarisë dhe Rumanisë.
Deti i Zi një pellg rus?
Veçanërisht kundër këtyre vendeve është sensibël skenari potencial i krizës në rajon. Bullgaria dikur besnike e Moskës në kohën e Bashkimit Sovjetik e po ashtu edhe Rumania disi e distancaur prej Moskës, prej kohësh ndodhen në krahun tjetër si vende të NATO-s. Brigjet e tyre janë krahu jug-lindor i lënë pas dore i aleancës.
Rumania ka paralajmëruar prej kohësh qysh para aneksimit të Krimesë, që Deti i Zi të mosdegradojë në një pellg rus. Me këmbëngulje Bukureshti ka kërkuar më shumë prani të NATO-s në vend duke përfshirë edhe një njësi flote shumëkombëshe.
Bullgaria i pati hedhur poshtë këto kërkesa. Janë ende mjaft të ngushta lidhjet emocionale dhe kulturore me “Nënën Rusi”. Një pikë e dobët kjo për aleancën. Për më tepër që ushtria e pasigurtë në Sofjen e lëkundur ende përbëhet prej rezervave nga trashëgimia sovjetike. Sistemet e vjetra të mbrojtjes kundërajrore ushtria ruse i njeh mjaft mirë – e në radhë të parë disavantazhet e tyre. Kërkesa e Donald Trumpit, që vendet anëtare duhet të bëjnë më shumë vet për mbrojtjen në rast nevoje, ndërkohë kanë dhënë efektin e tyre. Kryeministri Borisov në verë deklaroi modernizimin e forcave të armatosura me një vlerë deri në dy miliardë.
Rusët dhe turqit – Dy faktorë pushteti në bashkëpunim
Thembra e Akilit të NATO-s në krahun jug-lindor bëhet vërtetë e qartë nëse i referohesh Turqisë. Perceptimi i Erdoganit i konfirmuar tashmë prej vitesh, që Perëndimi gjithsesi nuk mendon ta integrojë si duhet Turqinë, përforcohet gjithnjë e më shumë prej rezervave që shprehen reciprokisht nga presidenti i SHBA-së ndaj Erdoganit dhe anasjelltas. Prej kohësh Ankaraja kërkon të ardhmen e saj ekonomike, por edhe të politkës së sigurisë në Lindje. Pikërisht Moska i ka shitur ushtrisë turke sistemet e raketave S400. Një shkas për nervozitet ky brenda NATO-s, që bën të lindin dyshime ndaj besnikërisë së turqve kudnrejt aleancës.
Marina turke – veçanërisht flota e nëndetëseve – pavarësisht përforcimit të armatimeve të rusëve në Krime është superiore kundrejt ushtrisë së Putinit, e megjithatë Turqia sa i përket politikës së sigurisë tregohet mjaft defensive. Rusia nuk është armiku i mundshëm, por më shumë një partnere bashkëpunimi. Asgjë nuk e bën këtë më të dukshme sa vizita e Erdoganit tek Putini pas goditjes së një avioni luftarak rus mbi Siri, ku ai kërkoi ndjesë për incidentin dhe u premtoi zhdëmtime zemërgjera viktimave. Miq të vërtetë ata nuk janë, por kanë kaluar tashmë kohët e shekullit të 19-të, kur rusët dhe turqit kanë kryer disa luftëra përreth rajonit të Detit të Zi.
E vazhdimisht gazi: Turk-Stream
Kjo ka të bëjë në radhë të parë me interesat e përbashkëta ekonomike në veri dhe në jug të detit. Sepse ekonomikisht Ankaraja është më afër Rusisë se sa NATO-s dhe BE-së. “Turkstream” në fund të vitit 2019 do të vihet në funksionim, për këtë ranë dakord javën e kaluar Putini dhe Erdogani. Me këtë linja tjetër gazsjellëse do të kalojë përmes Detit të Zi, duke anashkaluar Ukrainën. Kievit do t’i mungojnë në arkën e shtetit tarifa të jashtëzakonshme për kalimin e tubacioneve – në këtë mënyrë laku ekonomik i Rusisë do t’i marrë edhe më shumë frymën Ukrainës. Përfituesit do të ishin Bullgaria, Serbia, Hungaria dhe Sllovakia, që nga viti 2020 gazin nga Bosfori do ta kalojnë për në Evropën Qendrore – për këtë ende po negociohet. Edhe kjo e dobëson krahun jug-lindor të NATO-s.
Ukraina e izoluar dhe e dobët
Ukraina del prej gjithë kësaj e dobësuar. Më shumë solidaritet nuk mund të presë qeveria e Poroshenkos prej BE-së dhe NATO-s. Kërkesa e tij ndaj kancelares Angela Merkel, për të dërguar anije luftarake në gadishullin e Krimesë, nuk ka shanse për t’u realizuar. Ky vend nuk është anëtar i NATO-s dhe aleanca nuk nxiton për ta anëtarësuar këtë me vend me rrezikshmëri të lartë të sigurisë.
Ukraina, me duar të lidhur ushtarakisht në Donbas dhe e dobësuar prej humbjes së Krimesë, mbetet tani për tani e izoluar në Lindje. Edhe nëse veprimi i Rusisë në Krime e së fundi në detin Asovshen është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, Ukraina ushtarakisht është shumë e dobët për ta realizuar të drejtën e saj.
Periferia e BE-së jo një hapësirë homogjene kulturore
Hapësira e Detit të Zi – ndryshe nga ajo e Mesdheut apo e Balltikut – nuk është një rajon homogjen në aspektin historik dhe kulturor. Në Luftën e Ftohtë këtu kalonte kufiri mes Lindjes dhe Perëndimit. Sot aty – pikërisht në det të hapur – takohen njëkohësisht tri fuqi: Rusia, Turqia dhe “Perëndimi”. E sërish nuk kemi të bëjmë me harmonizim, por me stabilizim të zonave të influencës. Një pikënisje kjo për konflikte.
Kur më 4 dhe 5 dhjetor ministrat e jashtëm të NATO-s të takohen në Bruksel, do të jetë një temë konflikti në Detin e Zi. Eshtë me pikëpyetje, nëse përgjigja ndaj “avancimit” rus në krahun jug-lindor të NATO-s do të jetë më konkrete, nga ajo e përforcimit të “ditëve të pranisë” së njësive të NATO-s në Detin e Zi./DW