Kosovë, Zog i Diellit

Nga Din Mehmeti

I

Je fjalë e ruajtur nga dheu

që hyn nëpër gjak

e del nëpër diell

 

je krahëror i shpuar nga plumbat

krua i gjetur në palcën e shkëmbit

të nxirë nga gjuajtjet nëpër kohë

 

Kosovë lahutë e djegur këngësh

E thirrjesh ndër revolucione.

 

II

 

je emër i paksuar në luftë

për të mbetur e bukur

për gjuhën që s’deshi të këputet

nga rrenjët e legjendës së vjetër

 

je stuhi e vringëllimave të shpatave

tokë e bleruar ndër ëndrra

tokë e rritur në gjinj

nëpër vite e shekuj

 

Kosovë pushkë e gjatë e zbrazur

nga rruga e nga pylli

 

III

 

E gurë të thyer mbi gurë

e mur —

shpend i vrarë në bebëza

 

e gurë të ngrënë mbi rrashtë

e duar —

durim i gjakut në emër

 

e rrashtë e shpuar mbi gurë

e flamur —

lum i zi lum i kuq në zemër.

 

IV

 

je ylli im dhe vdekja ime

kë zërin e ninullave

ninullave të kënduara kryengritjeve

 

je gjuha ime dhe ashti im

ke formën e sofrës —

sofrës së dasmave të kuqe

 

je e tashmja dhe e ardhshmja ime

ke syrin prej lulediellit —

lulediellit të skuqur nga flaka e pushkës

të rritur nga gjaku e djersa.

 

V

djepi yt më ka rritur

djepi yt më ka plakur

Rrugët tymojnë

në prehrin tënd jemi gjetur

në prehrin tënd kemi mbetur

Këngët jehojnë

Kosovë tokë e paepur.

 

VI

 

pas teje

shekujt gurë të shpuar breg rrugëve

ëndërrojnë

pas teje

dejtë e tharë rreth zemrave

lotojnë

pas teje

kullat e verbuara ditëve të përflakura

recitojnë

pas teje

tokë e qiell muze eshtrash e dritash

gjakojn

pas teje

 

pas teje

fjalët e mia të ngurëzuara në shkëmb

të kërkojnë.

 

VII

 

të kërkoj ndër libra

të gjej në gjuhë —

 

rrethatore e ngrirë e brezit

 

të kërkoj nëpër dete

të gjej në shkëmb —

 

fanar i dritës dhe i gjakut

 

të kërkoj ndër varre

të gjej në tufat e kallinjve

si mustaqet e rritura të nipave –

 

Kosovë lavër e skuqur e ballit tim.

 

VIII

 

të dua për farën

që tufoi edhe ndër varre

edhe mes gishtërinjve

edhe ndër sy

 

të dua për farën

që s’e kalbi as gjaku

që s’e mërdhiri acari

 

që s’e shterri as thatësira

 

të dua për duart

që libra shkruajnë

për ikjet e kthimet tua

nëpër fërfëllaza e të reshura

 

të dua për kullat triherë të kallura

të ndërtura sërish nëpër krisma

 

të dua për emrin që shkrove

me maje të briskit nëpër lisa

për shqiponjat që i qendise

shamiave të djemve të vetëm

për ndjekjet rrahjet vdekjet

Mehmet Dinës

për yrishet e tij sukave

për pushkën e tij pa rrip

për fishekët e tij nëpër xhepa

të dua për damarët e dritës

në duart e Din Mehmetit.

 

IX

 

e kullat e djegura të mbikullave

lomsha flake në qiell

 

e pushkët e heshtura nga pushkët

për një emër

për një djep për një qiell —

recital i gjuhës

kosovë krismë e gjatë.

 

X

qëndroj para teje me një pushkë

e me një laps —

porosia jote më kallë

fryma jote më jep zemër jetë më jep

 

qëndroj para teje me një drapër

me një çekan —

syri yt dashuri e zjarrtë.

 

XI

 

të dua për duart e qara duke lidhur

shekujt sukave të zgjuara

për duart mbi tanksa të Hitherit

e Musolinit

për pishtarët e lirisë

 

të dua për këngët e babait

mbrëmjeve pa dritë

për fishekët e tij nëpër xhepa

për lutjet e nënave vetëtimave

për pranverat që nxjerre nga gjoksi

për yjet diejt tokës së plleshme

të dua për duar që ngrejnë ura

që lidhin në mesveti popujt

për ato që ndërtojnë shkolla në fshat

 

Kosovë shqipanjë vallëtare shkëmbinjsh

dhe fushash të bleruara

 

të dua për një kështjellë eshtrash

për një shpatë

për një emër

për gjithçka që shihet e preket

për gjithçka në ëndërr e zhgandërr

 

të dua kur qeshi kur qaj

kur ngritem kur zbres

kur eçtohem kur kam uri

kur dashuroj kur çmendem

Kosovë zog i Diellit…