A JAM UNË … ?

Nga Mark Simoni – Tiranë

Gjithë ditën më cingëroi telefoni, që më sillte mesazhin e një flamuri qe valvitej. (Flamurin tonë që e kemi vërtetë të bukur, si flamur principatash. Dhe të gjithë ata që ma dërguan i falenderoj). O sa shumë flamurë më kanë ardhur, o sa shumë!!!
Dhe në një çast e pyeta veten:
-More, a jam unë ndonjëfarë patrioti apo …..
Si fillim desha të bëj një poezi për flamurin, por në çast mu kujtua Robert Berns. Ai kishte shkruar tre libra, dhe me honoraret që pati marrë nga këto libra, bleu gjashtë topa lufte për ushtrinë e atdheut të tij Skocisë, që ishte në luftë me anglezët. Gjashtë topa lufte për atdheun, megjithëse asnjë poezi për flamurin. Aty mu kujtua se patriotizmi nuk është as fjalë dhe muhabete, dhe as vjersha, por është veprim dhe gjest. Robert Bernsi ishte patrioti i vërtetë i Skocisë, dhe jo vjershëtarët që s’kontribuan asgjë për Skocinë, përveç vjershave të tyre retorike e patetike, të dobëta fare.
Më vonë mendova se në çfarë mërzie pati qenë Fishta kur shkroi se “Ta marrë vesh gjithë bota mbarë / Se padër Gjergj Fishta, s’asht’ ma shqiptar”. I mërzitur nga dallkaukët e pushtetit të kohës, që këndej hiqeshin si patriotë e flamurtarë, (duke rrahur gjoksin), e mandej luanin me fatet e atdheut dhe kombit. E kush nuk deshi “Të mos ishte më shqiptar”? Fishta që ishte më shqiptari se të gjithë. Me veprën e tij “Lahuta e Malsisë” që është quajtur dhe “Iliada” shqiptare! Më patrioti se kushdo, që e shkoi jetën e vet nëpër famullitë e Zadrimës dhe te kisha e fretënve në Shkodër, pa e lënë asnjëherë atdheun.
S’di se si më erdhën ndër mend disa vende të vogla që kanë 4 a 5 heronj, 3 a 4 luftra, 5 a 6 këngë trimërie dhe jo më shumë shtrirje gjeografike se ne . Dhe megjithatë i kanë tërë tokat dhe territoret brenda shtetit të vet, dhe s’ka arritur askush as t’ua pushtojë, as t’ua grabisë e as t’ua marrë. Më trishtoi e trembi fati ynë. Me 2 mijë heronj, 3 mijë luftra, 4 mijë këngë trimash e luftëtarësh, dhe megjithatë tokat i kemi të shpërndarë në 5 shtete, kombi i hapërdarë në 200 vende. Madje edhe në dasma, ku fërfërin fustani i nusërisë dhe kuqëlojnë gotat me verë, ne e presim nusen e bukur në oborr me këngën “Koka në Stamboll e trupi në Janinë / Të grinë Ali Pasha, o Pasha të grinë”, e gjithëfarë lloji këngësh për trima e jeniçerë.
Pikërisht sot më vjen ndër mend tregimi i famshëm i Ernest Koliqit “Tregtar flamujsh”. Tregëtari i vogël e gobsek, koprrac, cingun e kurnac, (që bënte si patriot i flaktë), shtynte me tërë egërsinë e tij studentin e ri, për të ngritur në revoltë turmën. E në fund të tregimit ne marrim vesh se, tregtari e donte turmën e revoltuar vetëm e vetëm për t’ia blerë flamujt, që ky tregtar kishte në dyqan dhe flamujt po i mbeteshin stok. Çfarë patrioti!!!
Migjeni, gjithe pikellim, dhe i mjeruar nga pamja urbane e festes se flamurit, shkruan: “Ne pragun e cdo banese, / Ku ka ndonje shenj jetese, / Valon nga nje flamur, / Melankolie te trishtueshme..”
Dhe tashti, në fund të kësaj eseje, po më sillet përsëri nëpër mend pyetja:
-More, a jam unë ndonjë farë patrioti apo patriot koti? Asnjë provë nuk e kam dhënë akoma, përveç se pata blerë nja tre kater flamurë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. (Atë flamurin që na e patën shëmtuar stampuesit kinezë).