Britanikët, mbështetësit më të mëdhenj të grave në politikë

Kryeministrja britanike, Theresa May (majtas) dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel

Britanikët ndihen më së miri në grupin e Shtatë Vendeve më të Industrializuara (G7) për faktin se drejtohen nga një grua, në krahasim me gjermanët të cilat janë renditur shumë më poshtë, është thënë në të gjeturat e një studimi të ri.

Pjesë e anketimit kanë qenë 10,000 persona nga 15-65 vjeç dhe ata janë pyetur se si e përjetojnë faktin që të udhëheqen nga gratë.

Britanikët janë renditur të parët sa i përket mbështetjes së grave në politikë dhe biznes me 72 nga 100 pikë, të përcjellur nga banorët e Francës dhe Kanadasë.

Gjermania dhe Italia janë renditur të fundit me 59 respektivisht 57 pikë.

“Ende ka shumë punë për të bërë ashtu që shoqëria të fokusohet në aftësitë individuale të një personi, pavarësisht gjinisë”, ka thënë ish-parlamentarja gjermane, Silvana Koch-Mehrin, që ka themeluar rrjetin e grupit të grave që kanë qëndruar mbrapa anketimit.

Kombet e Bashkuara kanë vënë si synim përfshirjen e barabartë të grave në politikë deri më 2030, duke përmendur edhe se rritja e numrit të grave në pozita udhëheqëse ndikon në rritjen ekonomike.

Sipas raportit me të dhëna, në Gjermani është vërejtur dallimi më i madh në mes të gjinive, pasi burrat nuk janë ndjerë rehat me lideret gra.

Megjithatë Angela Merkel, 64 vjeçare ka dominuar politikën gjermane dhe atë evropiane prej kur është bërë kancelare më 2005 dhe është një nga liderët që ka shërbyer më së gjatë në pozitën që mban.

Muajin e kaluar ajo ka njoftuar se nuk do të rikandidojë në zgjedhjet e vitit 2021.