Nga QAZIM SHEHU
Burojnë lumenjtë e Shqipërisë
Në Greqi,Maqedoni,
Sapo Vjosa hapin nis
Hapin nis Drin i Zi…
Në kufirin shtetëror
Kokëturfulluar shtriqen
Burimit ujë me hir e me zor
I marrin dhe nisen…
Derdhen në det dhe mbajnë
Sekretin e burimit të urtuar,
Pikëllimin me ne ndajnë
Si nëna të penguara…
+++
Po në Shqipëri, si për inat
I shtrydhin në hidrocentrale,
Edhe Valbona e hodhi krahëqafë
Një pikëllim dionisian plot gajle.
Edhe Fani e braktisi
Shtratin e tij shekullor
Futi kokën malit dhe vaisi
Kryet në një tërthor…
Devolli po kështu,
Edhe një rrjedhë e panjohur
Braktisi pa dashje ngjyrën blu
Dhe u shtri në tuba e lodhur…
I futën në tuba me tërbim
Pasanikët mizorë,
Ndrit pika e ujit si rubin,
Thërmuar turbinave ashkëlorë…
Dritë të ligë duke lëshuar
Në kufoma parash të majme
Dhe malet shtyjnë me duar
Të gjejnë shtratet e thame…
Të kthehen në burim s`munden
Të zhyten në det kush s`i lë,
Dhe zotit tash po i luten
Ta braktisin këtë dhe…
EDHE VRASËSI KA ATDHE…
Edhe vrasësi kanë atdhe,
Ndërsa përdëllohejt nga një Circe…
Edhe shfarosësit kanë një peng
Edhe ata dinë të qajnë nga një këngë.
Po kujtimi i tyre është aq i rëndë
Sa të mbajsh një iriq nën mëngë.
MË RRITËN KËTO ARA…
Me zjarrin e misrit të bardhë
Me bukën e çerepit,
Me ca tinguj pa radhë
Që iu afruan djepit
Dhe muzgje si mullarë
Që varnin qeleshen
Në plepat komandantë
Që urdhëronin heshtjen,
Më mbrujtën këto ara,
Duke gëzuar vjeshtën
Me prodhime të mbara…
Ato ishin të përjetshme
Ashtu janë dhe sot,
Me heshtjen e ngeshme
Dhe plepat pikëçuditëse
Në çdo lëvizje vjeshte
Ku pikat kthehen në lot…
PAGJUMËSI
“Tash sa kohë po don me gdhi e s`po mundet…”Azem Shkreli
Një re ngrihet nga lumi
Në shtëpi të qiellit shkon,
Pagjumësia e shkumtë
Ëndrrën dështon..
Agimi shtyn portën e natës
Po orët dot s`i shty,
Minutat janë të sakta
Si një dhe një që bëjnë dy…
Në lumë të hidhësirave pi,
Re e pagjumësisë,
Plumb i lodhur rri
Mbi qepallë
Si dëborë mbi strehë të çatisë.
MAKSIMUM
Kush është maksimun i fjalës
Mos është lavdia?
Përflaket shtrat i andrallës
Tek dashuria?
Lavdia i kthehet e penduar jetës
Për çfarë e gënjeu shkëlqimi,
Dhe shkon me buzë të rreshkur
Tek burimi…
Sa shpejt kanë ecur vitet
Dekadat shpejt kanë ecur,
Dhe janë rrezur mitet
Që mendjen na kanë tredhur.
Veç nuk rrëzohet jeta…
NDALESË
Kërciti derë e zemrës sate dhe
U hap.
Po pragu gjer tek gryka
M`u ngjit lart…
PËRROIT TIM…
Përroit ndanë strehës sime
Ujin ia pija krejt,
Mbi të fluturonin xhinde
Dhe asnjë shenjt…
Dhe kur bubullonte
Kur stuhia sterronte
Ai mbi rrugë shkonte
Kërcënonte…
Në verë thahej krejt
Ndoshta i penduar…
Dhe gurët sklepë sklepë të zbuluar…
Pastaj stuhia vinte
Dhe ndihej i gjallë,
Dhe kur shkrofëtinte
Turfullonte si kalë…
Në mendje një vragë më linte
Të ndihesha me të si në përrallë,
E ndalja shiritin e tij të fantazisë
Mos ikte shpejt…
Tani s`di ç`bëhet me të
Po me siguri,
Ujin e tij nuk e pi njeri…
Nëpër zgolla shfryn
Një pikëllim të zi…