Vilat e periferive

Nga Agim Bajrami – Durrës

Vila të bukura perferish,
Të qeta ,enigmatike, hijerënda
Ku zhurmat e rrugëve asnjëherë si arrijnë
Dhe s’shihet kurrë ç’fshehin përbrenda

Vila prej guri dhe mermeri të bardhë,
Me statuja të ftohta dhe lule,
Ku të zotërit e tyre bëjnë dush me shampanjë
Dhe shiringa dobësimi në tule.

Vila me kopshte dhe shumë sherbëtore,
Me bodigardë dhe moral të përdalë,
Këtu mund të perdoren gjithë parfumet e botës
Dhe prapë vijnë një erë si moçal.

Vila që hapen nga larg me butona,
Me zotër shpirt zinj si pantera.
Ku bëjnë llogari gjer në orët e vona
Për vrasje, për drogë dhe tendera.

Vila ku s’njihet aspak emri zemër.
Ku dhe puthjet i këmbejnë me kontratë.
Ku njerzit sho-shoqin e shikojnë përherë shtrembër
Dhe fshehin përherë një mandate.

Vila të mbira si kërpudha mbas shiut,
Me mure cinike dhe mermere.
Ju shpesh më kujtoni se vrasësit e atdheut,
Mund të ngjasin me ju herë here.