Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i kërkoi Qeverisë së Kosovës ta tërheqë vendimin për rritjen në 100 për qind të taksës për produktet që importohen nga Serbia dhe nga Bosnja.
Përmes një deklarate për media, Mogherini tha se ky vendim është shkelje eMarrëveshjes për tregti të lirë – CEFTA- dhe Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.
“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për të rritur në 100 për qind taksën për prodhimet që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnja është qartazi shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kjo e përkeqëson më shumë situatën pas taksës fillestare prej 10 për qind. Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë menjëherë këto vendime”, thuhet në deklaratën e Mogherinit, transmeton REL.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, vendosi ta rrisë në 100 për qind taksën ndaj importeve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja nga 10 për qind sa ishte më herët.
Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë.