Kërkohet dorëheqja e Macron. Humb jetën një manifestuese.
“Macron dorëhiqu” janë thirrjet e protestuesve në Paris, të cilët pushtuan rrugët në kryeqytetin francez. Francezët protestojnë për rritjen e çmimit të karburantit, të vendosur nga qeveria me qëllim uljen e normës së dioksidit të karbonit në ajër. Presidenti Macron, i cilësuar si përgjegjësi kryesor për këtë nismë, akuzoi opozitën se po bllokon reformat dhe po përdor protestuesit.
Manifestuesit e vetëquajtur “Gilet jaunes” (jelekët e verdhë) bllokuan akset kryesore në të gjithë vendin, duke paralizuar trafikun. Kishte nga ata që bënin thirrje për bashkim nën vargjet e himnit kombëtar.
“Fuqia e popullit sjell revolucionin”, shkruhet në një pankartë të mbajtur nga protestuesit. Protesta e “jelekëve të verdhë” u organizua në rrjetet sociale. Sipas autoriteteve franceze, më shumë se 120 mijë persona u mblodhën në rreth 2 mijë pika kyçe në të gjithë Francën.
Protestat shkaktuan edhe vdekjen e një manifestueseje, e cila u shtyp nga një makinë në qytezën Savoie në jug-lindje të vendit. Dy persona mbetën të plagosur, ndërsa dhjetra të tjerë u arrestuan.