Prej dy sezonesh cilësohet si lojtari më i mirë i Superligës Shqiptare. Kristal Abazaj, djaloshi nga Tropoja, pjesë e skuadrës së Luftëtarit të Gjirokastrës, ka hedhur një nga hapat më cilësorë në karrierën e një futbollisti. Nga sezoni i ardhshëm 21-vjeçari do të jetë pjesë e Anderlehtit në kampionatin belg. Abazaj firmosi për tre vite me rekordmenët e futbollit belg dhe këta të fundit paguan plot 750.000 euro për shërbimet e tij. 75% e shumës së kartonit të Abazajt i shkon klubit të Skënderbeut.
Mesfushori tropojan kishte firmosur kalimin në radhët e klubit korçar për sezonin e ardhshëm, por dënimi i Skënderbeut nga UEFA me 10 vite mospjesëmarrje në kupat e Evropës e shtynë atë të shqyrtonte oferta të tjera. Në klauzolën e kontratës mes Abazajt dhe Skënderbeut parashikohej se në rast dënimi të klubit korçar nga UEFA, Abazaj ishte i lirë të kërkonte largimin. Transferimi i Kristal Abazajt tek Anderlehti përbën një ndër kapërcimet më të mëdha në karrierën e një futbollisti në historinë e kampionatit shqiptar.