Nga Albana Mucaj
Nëse do të donit të rriteni shëndetshëm në sipërmarrje apo karrierë, një model ideal për ju është Flamur Hoxha. Sipërmarrës prej 25 vitesh, me një rritje të qëndrueshme në biznes duke nisur nga viti 1998.
Ditën kur na pret për intervistë, e gjejmë në kantierin e kompleksit që po ndërtohet pranë Zogut të zi. Një kantier, që edhe pse ende i hapur, të përcjell idenë e një pune të sistemuar, të gjithë punëtorët me kokore dhe zyrat e para tashmë janë të administratës.
Në fund të intervistës Flamuri na zbulon se gjyshërit i kishte tregtarë dhe kjo spjegon shumë për të tashmen dhe të shkuarën e tij. Ai trashëgoi nga të parët e tij tregtinë dhe të bërit biznes, por edhe antikonformizmin kur flitet për pushtet apo përfitime. Këto vlera që e dallojnë janë shoqëruar gjithashtu edhe me pasojat e persekutimit nga regjimi i kaluar. Regjimi komunist, penalizonte ata që nuk bëheshin palë me pushtetin dhe nuk bindeshin për dorëzimin e pronës private.
Kjo ndodhi pikërisht në vitet 1975, kur Flamurit do t’i duhej të studionte. Edhe pse me rezultate të shkëlqyera në shkollë, atij iu mohua e drejta e studimeve universiare. “Gjysma e jetës sime ka kaluar në kushtet kur nuk të jepen shanset për të qenë si të tjerët. Pasiguria, pamundësia për t’u shprehur, kur të jepet mundësia… të shkon mendja tek ato mangësi, pa dije, pa shoqëri, i veçuar. Kjo të bën të jesh dhe social, të kuptosh vuajtjet e njerëzve”, thotë Hoxha.
Por, kjo e bëri më të fortë drejt zgjedhjeve të tjera, ndërsa studimet i zhvilloi me ardhjen e demokracisë.
Pse Flamur Hoxha është një model frymëzimi?!
Pas 23 vitesh punë në prodhimin e veshjeve Flamuri ka blerë kompaninë e pronarit të tij në Itali. Themi pronar, pasi ishte pikërisht kompania italiane që për vite të tëra i siguroi kompanisë së veshjeve “Kler” 60% të punës. Flamuri thotë për Businessmag se, “para dy vitesh një nga partnerët tanë, që praktikisht na ka “mbajtur” për 20 vite dhe kishim një raport shumë të mirë (60% të produktetit e bënim për të), pati probleme financiare. Në momentin kur ai pati këto luhatje, i ofrova mundësinë e blerjes së paketës së furnitorëve, pra blerjes së pjesës së shëndoshë të ndërmarrjes”.
Flamuri dhe sipërmarrësi italian ranë dakord, dhe “Kler” blen paketën e kompanisë në Bari të Italisë (klientë, furnitorë, agjentë) duke u vënë përballë të gjithë partnerëve dhe klientëve të huaj. Kështu u krijua “Kler Italia”, e cila shpejt arriti të fitojë besimin e klientëve të huaj.
Viti i parë do të ishte vendimtar për kompaninë e re. Biznesi duhej të tregonte korrektësi në realizimin e porosive, në pagesa. Flamuri ia doli falë fokusit e profesionalizmit të kultivuar ndër vite.
“Që vitin e parë shitëm 300 mijë këmisha dhe faturuam 5 milionë euro”, thotë ai.
E gjithë kjo ndodhi, ndërsa sipërmarrësi italian u mbajt brenda kompanisë si i punësuar, për të kontribuar aty me njohuritë e tij.
“Kler Italia” ka sot 12 të punësuar, që merren kryesisht me menaxhim, financat, dhe agjentët e shitjeve. Kompania ka 800 klientë në Itali, nga dyqane të vogla dhe deri tek qendrat tregtare”. 25 agjentë të saj gjenden në në Itali dhe 8 agjentë në Francë, Gjermani, Belgjikë, etj dhe së fundi edhe në Rusi. Edhe pse vetëm dy vite, Flamuri tregon se ka arritur të shtrihet në tregjet e Japonisë dhe Amerikës. Kler Italia ka marrë pjesë katër herë në panairin më të madh ndërkombëtar të veshjeve dhe modës në Firence, me stendë, koleksione, stilistë dhe agjentët e saj të shitjes.
Si ka qenë rrugëtimi i Flamurit në biznes
Pas një përvoje dy vjeçare në Itali në vitet ’91-’93, u kthye në Shqipëri duke punuar në ortakëri me një sipërmarrës italian. Shumë shpejt kupton se ishte më shumë punëtor se ortak në biznes (dhe pse me barrën më të madhe të punëve). Por, për shkak të korrektësisë që e karakterizon zgjedh të respektojë ortakërinë e kontratën deri vonë. Ndërkohë, shumë të rinj, djem e vajza të zotë i njeh me investitorë italianë po të interesuar në këtë fushë.
“Ndërmarrja kishte 150 punonjës. Mentaliteti i punës ishte ndryshe. Ne shiheshim si shqiptarë për t’u shfrytëzuar. Ndërsa isha në Itali e kisha përjetuar ndjesinë e të qënin i huaj. Në 4-5 vite punova shumë. Në vitet ‘96-‘97 duke mos patur rezultatet financiare të mia, ndërsa duhej të shpërblehesha 10 herë më shumë për punën që po bëja, ndërpreva marrëdhënien dhe dola më vete. Në vitet ‘92-‘98 sakrifica ishte e madhe. Dilema ishte të vazhdoja këtu, apo të ikja jashtë me familjen”, tregon ai.
Pikërisht në këtë periudhë shfaqet një sipërmarrës që ofron bashkëpunim me biznese të ndara. Ai në Itali dhe Flamuri në Shqipëri. “Aty guxova. Përvojën e kisha. E nisëm me dyzet punonjës dhe që në muajin e parë shkuam në 150. Dëshira ishte të investonim, të kishim një ndërmarrje tonën, të ishim më afër portit dhe në një ambient ku të ketë hapësira e mundësi zhvillimi. Me bashkëshorten, Mirën nga njëra anë rritëm fëmijët, nga ana tjetër rritëm biznesin. Investuam duke blerë tokën dhe ngitëm ndërmarrjen në Autostradën Tiranë-Durrës”, thotë Flamuri.
Ai tregon se, ka ruajtur trendin e rritjes që nga viti ’98 deri më sot. Ecuria ka qenë minimalisht 8% rritje vjetore, të ardhurat, investimet, numri i punonjëse, performaca dhe tregu. Flamuri ka qenë për 5 vite president i Dhomës së Fasonistëve, ndërsa në zgjedhjet e fundit të përgjitshme kandidoi si deputet.
Doni të bëheni sipërmarrës të suksesshëm?! Ja disa kritere nga Flamur Hoxha
1- Puno ndershëm. Të jesh korrekt dhe të mos bësh biznes për t’ia hedhur tjetrit.
2- Impenjohu. Duhet punë dhe angazhim.
3- Ji shumëdimensional. Aftësia për të ditur të jesh i tillë qoftë në komunikim, në administrim, etj.
4)- Ji largpamës për zhvillimin e vendit tënd në të ardhme. Të ndjekësh si model pritshmëritë e zhillimit të vendit. Ai e ka parë Shqipërinë si potencial zhvillimi. “Kur kam blerë tokën afër QTU-së sot, shumë më kritikonin dhe thonin “çfarë po bën, punëtorët nuk do të vijnë të punojnë atje”, por sot fabrika është atje. Zhvendosja e fabrikës erdhi në një kohë rekord, sa ne nuk rrezikuam dërgesat e porosive në kohë”.
5 Ji punëtor dhe profesionist. Ka pasur njerëz me mundësi financiare. Por shumë punë nuk duan para. Duan punë dhe organizim thotë, ai. Normat e fitimit në fason janë shumë të ulëta, por është biznes që mund të rrish në treg kur je eficient dhe ka vazhdueshmëri. Ky është një sektor që importon nga jashtë dhe importon njohuritë, duke fituar zhvillim. Kemi parë ndërmarrjet si t’i organizojnë ata, gjuhët e huaja etj. Sot shohim që është bërë rrokadë. Janë Italianët që po vijnë të punojnë këtu.
6)- Zgjidh partnerin e duhur. Në rastin tonë në Shqipëri përzgjidhemi si partner. Unë jam zgjedhur nga partnerë cilësorë, pasi ka pasur interes për të bashkëpunuar me mua.
Çfarë mesazhi do t’u jepni të rinjve sot?
Flamuri: Do të doja të diktoja disa rregulla:
Vendos shpejt çfarë do të bësh. Çdo ditë e humbur kot, të çon 10 ditë prapa.
Ndiq gjurmët e prindërve. Çdo i ri, duhet të bëjë të pamundurën të ndjekë gjurmët e prindërve. Pavarësisht zhvillimeve, thelbi i parimeve familare duhet të trashëgohet nga brezi në brez.
Ji shumë punëtorë e asnjëherë mos u dorëzo.
Selekto një rrugë për të ndjekur. Jo pak këtu, pak atje. Fokusi është i rëndësishëm.
Mendo të jesh aksioner në sipërmarrje, ta shohësh veten ndryshe. Kjo bën diferencën. Shumë kompani, të punësuarit e shohin si pjesë e shoqërisë. Sot idetë bëjnë punën.
Mos ji xheloz. Tregu është shumë i madh, ka hapësira të mëdha. Ne nuk duhet të jemi të ngushtë dhe xhelozë.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 24 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.