Kur njeriu i kthehet gjenetikës së vet…

Nga TAHIR BEZHANI

Reportazh nga Hasi i Thatë-Shqipëri

Shpesh ngjajnë  befasi të këndshme, surpriza, të cilat të mbesin gjatë, shumë gjatë në kujtesën jetësore. Kështu më rastisi, si surprizë e bukur,fundjavën e parë të këtij nëntori, një ftesë nga dhëndri, Dr.Rexhep Golaj nga fshati Sheremetaj i Gjakovës, për të bërë një vizitë në Hasin e thatë të Shqipërisë.

Kështu e quanin historikisht Hasin,  për arsye të vuajtjes nga thatësia, vend shkëmbor. Por, ka pasë edhe një shtesë,”Hasi i thatë, me burra  bujarë e trima”-thuhej përherë. Nga atje e kanë origjinën familja Golaj nga Sheremeti i Gjakovës. Kanë farefisin e gjërë, të cilët pas luftës,iu kanë rikthyer gjenezës se tyre,janë njohur vllaznitë më të afërta, deri në atë masë sa që tani ftohen rregullisht edhe në ceremoni dasmore, edhe në atë mortore. Sa bukur kur njeriu, edhe gjeneratat më të reja, kërkojnë historinë e tyre, duan të dinë rrënjët e trungut të tyre. Ndjeva kënaqësi të veçantë për këtë ftesë. Kënaqësia ishte kulmore pasi ishim së bashku me kryefamiljarin e Golaje, Dashin,një person me autoritet ne Rekë e Malësi.

Dash Golaj me dr.Rexhep Golaj,në Goden të Hasit-Kosovë

SKENARI I BACIT DASH , NJËHERË TË VIZITOJMË HASIN TONË,PASTAJ ATE NË SHQIPËRI.

Kënaqësia ishte kulmore pasi që na printe një burrë me përvojë jetësore, një njeri me përvojën e hidhur familjare nga pushtetet e kohës, ku lëndimet akoma kullojnë nga pasojat e regjimeve pushutese.

Sapo u futem në makinën e dr.Rexhepit dhe filluam udhëtimin në drejtim të fshatit Goden, Dash Golaj na tha se nuk e kishte parë rrugën e re të hapur nga Komuna e Gjakovës-Qeveria Kosovare, deri në pikën kufitare që ndante banorët e Godenit të Gjakovës me ata të Dobrunës së Shqipërisë, dy vendbanime me largësi,thuaja 300 m.

Shoferi ngiste makinën atyre leqeve malore,në një një mot të bukur e me diell pranvere, sipas dëshirës sonë, sepse ishim kureshtarë të dinim detajet më të reja vendore të asaj pjese kufitare,  mes vëllezërve shqiptarë, të ndarë dhunshëm, për afër 6o vite. Kaluam fshatrat e rrafshta, Raçë, Moglicë, Dol, Kusar, drejt bokave të kufirit. Nuk kishte pëllëmbë toke e kaçubë mali që nuk ua dinte Dash Golaj emërtimin e tyre. Nuk hezitonte të na tregonte për mundin e derdhur atyre maleve, për një kore bukë e me shumë anëtarë familje. Lëkurën e kam lënë këtyre therrave duke prerë dru për furra gëlqerje,tregonte Dashi.Besa edhe emocionet e prekën thellë në kujtesë, dhe për pak kohë heshti së foluri,i duhej një pushim i shkurtër çmallje brenda vetes…

Rrugës u ndalëm dhe bëmë fotografi për kujtim, por jo vetëm kaq, kishin edhe domethënjen e tyre ato foto të bukura. Rexhepi kishte marë edhe bashkëshorten,Dritën, që të jetë pjesë e këtij udhëtimi të bukur.  Arritja në Goden,na krijoi emocione të veçanta.Baci Dash i njihte banorët shtëpi për shtëpi, të gjallë e të vdekur. Na tregonte me gisht se cila ishte familje me të cilët dikur kanë pasur miqësi,familjet me në zë për trimëri e bujari. Ishte kënaqësi të dëgjoje rrëfimet e Dash Golës për kohët e kaluara. Të gjitha ngjarjet e treguara nga bashkëudhëtari jonë, u argumentuan kur arritëm në mesin e fshatit Goden. Vëreheshin, shtëpi të djegura që nga lufta, të shkretuara, pa banorë. Ishte heshtje, asnjë zë, bile i ndonjë fëmije.

Me Dash Golaj në pikën e kufirit me Shqiperinë, pikërisht, rruga që shkohet ne Dobrunë të Shqipërisë.

Në anën e djathtë të qendrës së fshatit, rrezonte përmendorja e të vrarëve në luftën e fundit. Si të përqafuar e të besatuar për liri e pavarësi dukeshin ato fytyra të lavdisë sonë historike, në mermerin e bardhë

Lapidari i dëshmorëve të kombit në Goden.

M’u kujtua menjëherë se në atë fshat ishte plagosur rëndë heroi i kombit,Agron Rama,bashkëvendas i imi, i cili përfundimisht, dha jetën një ditë më pas, në Rogovë të Hasit,26.12.1999, në luftë me forcat serbe. Ishte nisur asaj rruge me shumë shokë trimi, për të sjellë armatim .Ra në pusinë e xhelatëve dhe mbeti yll i historisë sonë të re. Një përulje e jona para tyre,ishte shume e vogël…

Dash Golaj,afër varreve të dajve të babait në Dobrunë.



Shumë afër fshati Dobrunë i Shqipërisë, me Godenin.

Ecëm rrugëve të fshatit, kur papritur pamë një oxhak duke tymuar. Pas pak minutash,ishim afër asaj shtëpije te re e të bukur, pamë kalamaj rrugëve, me bagëti në ato kullosa, plot bukuri natyrore. Sa u gëzuam! Paskan filluar të rikthehen banorët,sigurisht, pas ndërtimit të rrugës së re, menduam. Aty, afër rrugës ishte edhe shkolla fillore e këtij fshati. Kjo shkollë të jepte shpresën për rikthim në këtë fshat të shkatërruar nga lufta barbare e ushtrisë  serbe. Aty mësojnë fëmijët e dy fshatrave, Goden e Prush. Ishte ditë e diel, nuk mundëm të dimë se me sa fëmijë punon kjo shkollë…

Një ndërtim i ri familjar në Goden të Gjakovës.

Pasi lamë fshatin Goden,u drejtuam drejt Dobrunës,deri aty ku nuk shkohej me tej me makinë. Në një majë të lartë vërejtëm karaullen e ish ushtrisë serbe , tani e rrënuar, por ca copa çatije ende tregonin “dhëmbët”, nuk kishte rënë për tokë plotësisht. E gjitha, një pjesë e historisë sonë të dhimshme,të cilën e kemi paguar shtrenjt me gjakun tonë, për një fjalë goje, këndej e andej kufinit. Rrënqethet trupi, vetëm ta mendosh jetën e kaluar përmes  vrimës  së gjilpërës…

Ish karaulla e ushtrisë Jugosllave në pikën e fshatit Goden. Tani vetëm si një kujtim i hidhur i kohës së kaluar…

Tani jemi pikërisht në pikën “kufitare” që dikur ishte tmerri i tmerreve. Makina nuk shkonte më tej. U lëshuam disa metra poshtë me Dashin, Rexhepin e Dritën, pamë fshatin Dobrunë shumë afër. Aty, po tregon Dashi,te ajo shtëpia atje, drejtoi gishtin,i kam pasë dajtë e babës. Avdi Qerim Mulaj i kan pas thënë. Shiko ku janë të varrosur, a shikon, as 5o metra larg nesh,te ata drutë. Ofshani dhe fërkoi ballin e djersitur me dorë…Ja sa “larg”kemi qenë, shpërtheu ironia e Dash Golaj,burrë në të tetëdhjetat e jetës,plot mund e krenari…

-Shkojmë në Has të Shqipërisë,te kulla e të parëve të mi-tha Dashi.

 

 Para Kullës historike të Dautaj-Golaj,nga e djathta Smajl Dautaj,në mes Dash Golaj, Rexhep Golaj.

Rrënjët nuk duhet harruar!…..

Për të shkuar në Shqipëri,përmes fshatit Dobrunë, duheshin bërë vetëm 15minuta rrugë, ndërsa tani, në mungesë të rregullimit të rrugës, duhet të ecim 40 minuta, duke u kthyer në Gjakovë ,përmes pikës së kalimit në Qafë të Prushit.Morëm drejtimin për në fshatin Golaj të Hasit shqiptar. Në pikët e kufirit në Qafë Prush, kaluam pa ndonjë problem, duke treguar vetem letërnjoftimet tona.Një përshëndetje vëllazërore me policinë kufitare, sepse ishin mjaft korrekt në detyrën e tyre.

Përtej kufirit, jo më shumë se 200 metra, morëm kahjen në të majtë,rrugës me leqe, drejt fshatrave të Hasit të Shqipërisë. Duke i njohur këto vendbanime fare mirë,filloi Dashi të na i tregojë emrat e atyre fshatrave,deri në Krumë.

Unë e Rexhepi,ishim stepur duke shikuar bukuritë e atyre vendbanimeve, ato pamje aq piktoreske, ato kunora malesh, pamjet e të cilave, të hidhnin në meditime të thella…

Kur arritëm në fshatin Golaj, Rexhepi ngadalësoi shpejtësinë e makinës deri në minimum. Ishte shumë kureshtar dhe i bënte shumë pyetje kushëririt të tij, Dashit.

– E ku është Kulla e të parëve tonë?- pyeti Rexhepi, Bacin Dash. Ec edhe pak, edhe pak, ndal tani! Dashi filloi të zgjatë gishtin tregues drejt një kodre, rrëzë një mali, shihej një kullë e vjetër, shumë e vjetër. Ajo është Rexho, foli Dashi. Do shkojmë edhe aty, shtoi Rexhepi!

Pritja në odën e Smajl Dautaj në fshatin Golaj-Shqipëri.

Pasi arritem në fshatin Golaj, Dashi na drejtoi te një kushëri i afërt,i cili quhej Smajl Dauti. Nuk dinte që do i shkojmë në shtëpi. Pasi e thirri Dashi te dera e oborrit,doli Smajli i gëzuar e me fjalë  bujare të traditës sonë,”o mirë se erdhe o kushëri me këta burra!”dhe hapi derën.

Pas përshëndetjes na prini brenda në odë, ku ndejtëm mbi një orë me tryezën e shtruar me gjitha të mirat. Kur ia tregoi Dashi dëshirën e Rexhepit për ta parë Kullën e vjetër, Smajli nuk kundërshtoi fare, pos që tha, se së pari drekojmë, pastaj shkojmë.

Restorant “Arbëria” pronë e Binak Dautaj,kusheri i Smajlit.

Fjalë tjetër nuk vjen në shprehje-tha Smajl Dauti. Shkuam në restorantin “ Arbëria”, jo larg nga shtëpia, pronar i të cilit ishte Binak Dauti. Pas drekimit,zumë kohën edhe për te kulla e vjetër,aty ku ishte qëllimit i këtij udhetimi. Pas 15 minutash ishim përballë Kullës mbi 100 vjeçare,trashëgimtarë i së cilës është Sadik Selman Dauti.

Pamja e jashtme e Kulles Dautaj në Has Shqipëri.

Biseda në odën e burrave. Dash Golaj spjegon raste historike te kesaj kulle.

Trashëgimtari i kullës,Sadik Selman Dauti,

Një kullë tipike e vjetër, me frëngji, baxhë në divahane, dollap për tesha dhe vendi i sofrës . Brenda, shtruar me qilima, me pamje të vjetër, trapazan,llampa e vajgurit e varur dhe ca foto të paraardhësve familjarë. Pasi u futëm brenda në odën e burrave, Dashi ,ende pa u ulur,i parapriu rëndësisë historike të kullës,me pytjen se ku do ulesh;”aty ku ulej Azem Bejta, apo ku ulej Shota?!.”

Këtu, ku të ulesh, je në kullën e krenarisë shqiptare,iu përgjigja Dashit. Qeshi dhe vazhduam bisedat,duke treguar ngjarje të prekshme të historisë së familjës Dauti(Golaj.Në afërsi të kullës, në baçe, shihej një lisë i madh, shumë i vjetër, po ishte tharë, kishte “vdekë” nga mosha. Nën atë lis, tregon Dashi, kanë kaluar tre netë e ditë të parët tonë kur kanë ardhur nga Iballa e Pukës. Kjo e thënë është bartur nëpër breza. Eeee, jetë o jetë, gjithmonë në ikje shqiptarët!….

Si e morën mbiemrin Golaj nga Dautaj,familja nga Lupaveci e Sheremti i Gjakovës?

Pasi u përshëndetëm me gjithë familjën Dautaj nga fshati Golaj i Hasit,fshat me afër 450 shtëpi,më i madhi në Has të Shqipërisë,gjatë rrugës për në Gjakovë, kisha rezervuar disa pytje për bacin Dash ,për të cilat,gjatë qëndrimit te kusherinjët, nuk mund të gjeja fillin historik si doja unë.E pyeta z. Dash Golaj me mirësi të më  thotë pakës fjalë për familjen Dauti-në konvertimin  në Golaj.

Me knaqësi filloi të na tregojë. Të parët tanë,të ardhur nga Iballa e Pukës në fshatin Golaj të Hasit, kanë mbajtë mbiemrin Dauti. Ardhja nga Iballa,nuk është e sqaruar historikisht,nuk di të jap shenime,më mungojnë edhe mua. Por e di se në Golaj të Hasit kanë lindur Xhema, Haliti e Miftar Dautaj, dmth baba me vëllëzër,gjithë tjerët kanë lindur në Kosovë-Lupavec. Menjëherë,gjatë regjistrimit ne ish Jugosllavi,familjarët tonë kanë marrë mbiemrin Golaj,për ta ruajtur emrin e fshatit të parëve tonë.Kështu ka vazhduar që shumë e shumë vite të jetës sonë. Në fshatin Sheremetaj kemi kaluar në vitin 1957,me fillim tre anëtarë familje,ndërsa sot jemi rreth 170 anëtarë familje. Ndërsa në Lupavec kanë ngelur 15 shtëpi nga një trung. Ka disa shtëpi edhe në Gjakovë.Lëvizjet e familjeve tona gjatë historisë, dhe shekujve, kanë krijuar historinë,jo vetëm atë familjare, por edhe historinë e përgjithshme  si popull, me shtegtimet tona , duke ikur nga sundime barbare,gjithmonë në lëvizje me “tesha në krah”…

Kënaqesia e një dite me diell e mot të bukur, më ngeli si një ndër kujtimet më të bukura dhe interesante në  këto vitet e fundit. Familjes Golaj-Dautaj i falenderoj për mikëpritjen  me traditë të kulluar shqiptare.

Gjakovë, Nëntor  2018