Ali Lushaj me të vërtetë duhet cilësuar si burrë trim i barotit, mjeshtër i punës dhe intelektual atdhetar i pendës

Shoqatës “TROPOJA”, Komitetit të Veteranëve dhe Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës – T I R A N Ë.

Me gëzim e prita lajmin e mbajtjes së Akademisë Përkujtimore të merituar për të ndjerin Ali Lushaj. Si mik dhe koleg i Alisë ju përgëzoj dhe u uroj suksese dhe paçi faqen e bardhë!

Të hedhësh dritë mbi personalitete të tilla si Ali Lushaj dhe promovimin e vlerave të veprës së tij patriotike, historike, intelektuale, artistike dhe shkencore është veprimtari atdhetare që jo vetëm i jep vendin e merituar atij, por ka rëndësi të madhe për edukimin e brezit të ri. Një vlerësim i tillë është nxitje e frymëzim për intelektualët e Malësisë e më gjërë për të studjuar dhe pasqyruar vlera të tilla.

Ndihem i privilegjuar e me fat që jam njohur me Ali Lushën nga afër dhe kemi punuar së bashku si kolegë mbi dy dekada. Gjatë kohës u njoha me historinë patriotike të oxhakut tij që nga gjyshi Zenel Mehmeti, dëshmor i Atdheut, babain, Mus Zenelin e njoha nga afër dhe i kam ndigjuar me vëmendje fjalët dhe këshillat e ati burri të mençur të Shipshanit e me zë të mirë në Malësi.

Unë, e besoj jo vetëm, kam mësuar prej mikut tim Ali Lushaj. Kam parë tek ai punëtorin masovik e të palodhur për të krye me nder çdo detyrë që i ngarkohej, i gatshëm për të shkuar kudo në të mirë të vendit.

Kam parë zyrtarin e lidhur ngushtë me qytetarët që ndigjonte me vëmendje zërin e tyre dhe përkushtimin e tij serjoz që brenda rregullave e ligjeve të kohës, t’u zgjidhte problemet e hallet e tyre.

Kam parë te Aliu drejtuesin shembullor si në ndërmarrje ekonomike, në kooperativë bujqesore dhe veçanarisht si shef seksionesh në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, ku punonim bashkarisht.

Ali Lushaj ishte intelektual i etshëm për të studiuar vazhdimisht për ngritjen e nivelit të tij. Ai mbante shënime të përditshme, dëshironte të dokumentonte çdo gjë haptazi me transparencë. “E shkruara ruhet, verbalja harrohet” thoshte gjithnjë i ndjeri miku im. Prandaj nuk është rastësi, sa kam ndigjuar, që ka shkruar kujtime e ditare, ka botuar librin: “Për Shipshanin”, “Për dëshmorët e Atdheut”, etj.

Aliu ishte njeri modest i aksionit që printe me shembullin e vet. Unë dhe sot i kam të shënuara shtabet drejtuese (ku bënte pjesë ai) të aksioneve si të elektrifikimit, të hapjes së rrugëve automobilistike Fierzë – Lekbibaj, për zdukjen e pasojave të tërmetit të 15 Prillit 1979, hapjen e kanaleve ujitëse, etj.

Ali Lushaj ishte njeri i dashur dhe shoqëror, i çiltër dhe i paanshëm. Kurrë nuk bënte dallime krahinore, as fetare, ishte njeri i qetë që nuk mbante inate me askënd.
Madje e gjeje në krahun e të pambrojturve, të paaftëve dhe të sëmurve duke u përpjekur t’i ndimonte ata.
Por, dashurinë më të madhe ai e kishte për Atdheun. Dashuri e trashiguar nga të partë e tij, të kalitur në luftë me pushkë në dorë për Çlirimin dhe Mbrojtjen e tij.
Ali Lushaj me të vërtetë duhet cilësuar si: Burrë trim i barotit, mjeshtër i punës dhe intelektual atdhetar i pendës.

Aliu qe dhe bashkëshort dhe prind shembullor. Ai u la parardhësve, jo prona e pasuri, por sipas meje, diçka më të madhe: Krenarinë për babën e të partë e tij, admirimin e mirënjohjen, jo vetëm të në miqëve të tij të shumtë, por të mbarë popullit të Malësisë së Gjakovës e më gjërë kudo që jetojnë, armiqësi me askënd dhe miqësi me të gjithë.

I pa harruar kujtimi i Ali Mus Lushaj, Lavdi veprës së tij të madhe!

PAL NEÇAJ

Nju Jork, 18 Tetor 2017.
_________________________________

Foto: Tropoje. 11 janar 1983.