Sot është ditëlindja jote babi!

Nga Dr Brunilda Zllami, Tiranë

“Askush nuk i ka dy jetë”, thotë shpesh gjyshja ime. Dhe askush nuk i ka vërtet. Jeta na kalon shpejt para syve si një lumë i trazuar, që herë turbullohet e rallë kthjellohet. Kur festojmë ditëlindjet gëzohemi e trishtohemi për vitet që lamë pas, për ëndrrat që s’realizuam, për dështimet e goditjet, për rrëzimet e frustrimet. Por marrim frymë thellë dhe themi se kush ka jetë ka kohë dhe shpresë.
Sot është ditëlindja jote babi!
Nuk i numëroj më vitet që do kishe tani, sepse nuk mundem. Ti nuk i kishe qejf ditëlindjet, as festat, as klishetë. Ty të pëlqente e natyrshmja, spontanja, ajo që lindte nga shpirti. Si unë! Kishim shumë të përbashkëta ne të dy. Nuk e di nëse kjo ishte e trashëguar, apo ngaqë të adhuroja. Ti ishe busulla ime, standarti im i artë i gjithçkaje. Çfarëdo që të bëja, nëse ti nuk ishe i kënaqur nuk arrija te gëzohesha plotësisht, sepse ti nuk ishe thjesht i ditur, por i urtë. Nuk kam njohur ende një njeri si ty dhe e them gjithnjë se ke ardhur nga një tjetër kohë thjesht për të na dhënë idenë e dikujt jashtë të zakonshmes.
Më kujtohet kur isha studente dhe mundohesha të të bëja ndonjë dhuratë për ditëlindje. Dhurata të lira, studenti, thoja unë. Tani që kam mundësi të bëj diçka më shumë, ti nuk je më.
Rende pa pushim me bluzën e bardhë që shënjoi jetën tënde. Edhe sot kur më prezantohem pacientët më tregojnë për fëmijët që ke shëruar. A nuk e meritoje që për gjithë ato jetë që ke shpëtuar të kishe pak vite më shumë jetë edhe per vete, edhe per ne? A është e drejtë që ike aq i ri? A është e drejtë që nuk të kemi më pranë?
Shpesh dua të flas me ty si dikur, të të tregoj për vete, për punën, për librat. Të shikoj sytë e tu që shkëlqejnë dhe flasin pa fjalë. Më mungon! Sot, nesër, çdo ditë…
Sot ke ditëlindjen dhe nuk do mërzitem. Askush nuk jeton dy jetë, siç thotë gjyshja, por ti ke mundur të jetosh në shumë jetë. Jeton në kujtimet tona që s’ i merr as vdekja, në jetët që ke shpëtuar, në dashurinë e mijëra njerëzve që ke takuar në jetë.
I shkurtër ishte rrugëtimi yt në këtë botë, por ajo që le pas është historia e një njeriu të mirë, një mjeku të jashtëzakonshëm, një prindi të mrekullueshëm. Ashtu si një lule e rrallë që çel vetëm një herë, erdhe në këtë botë për të na mahnitur, për të na dhuruar ngjyra e emocione që as vdekja nuk i shuan.
Sot ti ke ditëlindjen, por vitet do jenë vetëm numra. Thinjat e flokëve të tu të buta i shoh shpesh në bisedat tona të pamundura, lëkurën e faqeve të tua e përkëdhel kur jam e mërzitur, aromën tënde kur të përqafoja nuk e kam harruar dhe sytë e tu…E di që më shikojnë ende nga diku.
Mos u mërzit kur të lutem për ndonjë gjë që të më ndihmosh, sepse ti je ende busulla ime, je dhe mbetesh standarti im i artë. Ti je babi im!
Ti sot ke ditëlindjen dhe unë s’të uroj dot…

-Për Limit.al nga Tirana, 12 Tetor 2018-