Tani që ekipet kombëtare të moshave janë kthyer në shoqatat e tyre, ç’do bëhet me lojtarët?

Nga AVNI PONARI

Shumë herë kam folur dhe shkruar për sportin në përgjithësi dhe natyrisht basketbollin në veçanti. Kjo, jo më tepër si ndjekës i sporteve, por si njeri që ka dhënë dhe jep një kontribut të veçantë për sportet. Natyrisht më vjen keq që përpjekjet e federatës dhe atyre shoqatave që ekzistojnë ngelen në një fazë ku dallon interesi për t’u rritur dhe ai për të qëndruar në vend, ose për të siguruar një rrogë ushqim që iu jep bashkia sportistëve. Dhe më vjen keq kur asnjë instancë ligjvënëse dhe zbatuese akoma nuk po mendon t’i japë sportit, kulturës dhe artit ligjin që u mundëson atyre të promovohen dhe të rriten me forcat e tyre, por i ka lënë si lypsarë, sepse vetëm kështu mbahen nën kontroll dhe natyrisht komandohen me lehtësi.

Në një bisedë me një mikun tim këto ditë, lidhur me ligjin për sponsorizimet po më thoshte: “Nuk e kuptoj këtë idenë tënde që thua të ketë një ligj sponsorizimi, ku sporti të mbështetet në këtë ligj, të gjejë mjete financiare vetë dhe të mbijetojë pa pasur kontakt fare me shtetin! Pse duhet që shteti të mos e bëjë këtë, – më pyeti. – Pse duhet që kompanitë t’i japin sportit para dhe të mos ia kalojnë shtetit dhe shteti t’ia japë paratë sportit? Pse duhet që sporti të mos ketë varësi të plotë nga shteti? etj., etj”. E dëgjova me vëmendje dhe u trishtova, jo vetëm nga pozicionimi i tij, por edhe nga fakti sepse mendova se opinioni i tij nuk është vetëm i atij. Dhe në fakt, ashtu është. Dhe po thosha, këta njerëz nuk kanë kuptuar asgjë dhe nuk e dinë në çfarë sistemi jemi. Unë ja shpjegova idenë dhe të mirat e një ligji të tillë dhe efektet pozitive që ka ky ligj, por ai këmbëngulte përsëri.

Pse duhet shteti ta bëjë këtë? Shteti t’ua marrë kompanive lekët dhe t’ia japë vetë sportit. Gjithkush nga ju të dashur lexues e kupton se çfarë është kjo në të vërtetë dhe cili është ndryshimi thelbësor nëse kemi një ligj sponsorizimesh me shifra të sakta, të përcaktuara apo nëse do vazhdojmë kështu si jemi. E dini si paguhen sportistët nga bashkitë? Ushqim, kuotë ushqimore, kështu paguhen! Dhe në këtë kuotë ushqimore kemi të bëjmë me dy shkelje financiare. E para, këto para duhet të shkojnë në restorant dhe restoranti mund t’ua japë atyre dhe e dyta, nëse bëhet kështu, këto para jepen nga bashkitë pa tatim në burim. Pra, vetë shteti gabon në dhënien e shpërblimeve të sportistëve të atyre bashkive që kanë para dhe mbështesin sportin. Nëse kemi një ligj sponsoriozimi, ku propozimi im ka qenë që 30% e tatimit të pastër mbi fitimin të shkojë në sport, art, kulturë dhe shteti të tërhiqet fare nga kjo mbështetje, çfarë përfitimesh do ketë? Vetë shteti çfarë humbjesh dhe fitimesh do ketë nëse do e ndërtojë në një formë të tillë?.

Do sjell një shembull konkret me një kompani që fitimin e ka 1 milion euro. Tatim-fitimi për këtë kompani shkon 150 mijë euro dhe 30% sponsorizim i bie 45 mijë euro. Kalimi i kësaj shume do bëhet në një subjekt tatimor, shoqatë sportive etj. Këto para do jenë paga, blerje, qira, uniforma, etj. Nëse këto para do shkojnë vetëm për pagat e sportistëve apo punonjësve të tjerë të sportit, atëherë 42% e kësaj shume do i kthehet sërish shtetit direkt, duke rregulluar kështu sistemin krejtësisht informal që është sot. Sepse do të kemi vende pune të reja, ku punonjësit deklarohen dhe paguajnë taksat në shtet, qiraja do tatohet, uniformat apo materialet e tjera që do të blihen do lëshohen me kasë fiskale e kështu përsëri vilen taksa. Nga ana tjetër, kompanitë sponsorizuese kanë reklamën dhe promovimin e tyre nga sponsorizimi, kanë emrin dhe imazhin gjithandej.

Nuk është shpikja ime kjo, as shpikje shqiptarësh, por rregulla, norma dhe ligje që i ka e gjithë bota. Në çfarë situate jemi ne sot realisht? Talentet nuk mungojnë, veçanërisht në basketboll, por ato spikasin deri në moshën 18-vjeçare, pastaj interesat fillojnë dhe ndahen te zvogëlohen : ose interesi shtohet për të marrë rrugën për t’u bërë basketbollistë karriere, ose interesi fillon e zvogëlohet dhe secili merr drejtimin e vet. Shumë prej tyre, duke mos pasur motivim dhe hapësira, marrim drejtime të tjera në jetë dhe normalisht për këtë nuk mundet dot t’i gjykojmë, sepse nuk u ofrojmë asgjë, ndaj dhe nuk mundet t’u kërkojmë të qëndrojnë apo të ndjekin një ëndërr që ndoshta s’ka për t’u bërë kurrë realitet.

Shpesh na ndodh që të shohim talente shqiptare që ngrenë flamujt e shteteve të tjera dhe shpesh gjykohen e “masakrohen” nga opinioni publik se përse nuk luajnë për vendin e tyre! Por, harrojnë shqiptarët, ose në rastin më të keq nuk e dinë, se çfarë u ofron vendi i tyre. U ofron salla të ftohta në dimër dhe “furra buke” në verë; u ofron pista të prishura, u ofron zero të ardhura, zero staf për të punuar me ta, zero dieta dhe ushqime e kështu me radhë… Nga 12 lojtarë që kanë ekipet, vetëm një pjesë e tyre paguhet me trajtim ushqimor dhe pjesa tjetër e ekipit plotësohet nga të rinj vullnetarë që nuk kanë asnjë lloj pagese apo përfitimi nga aktivizimi me klubet.

Jemi në vitin 2018 dhe akoma lojtarët tanë nuk marrim paga, por vetëm “trajtim ushqimor”, në një formë të paligjshme, një formë që është aplikuar në kohën e socializmit shqiptar, nostalgjikët e asaj kohe e dinë mirë! Është e thjeshtë të gjykosh duke mos u futur nën lëkurën e tjetrit, por duhet të dimë më parë realitetin dhe të mos ngurrojmë ta themi hapur dhe me zë të lartë se mbase dikush dëgjon. Vetëm kështu, duke u bërë shumë zëra bashkë, mundet ndoshta të arrijmë atje ku duhet dhe të fillojmë t’i japim zgjidhje konkrete problemeve që kemi, sepse ky problem nuk është vetëm i sportistëve, por është i të gjithëve ne. Arti, kultura dhe sporti janë imazhi më i mirë i një vendi, janë identitet kombëtar. Sportistët janë diplomatët tanë kudo nëpër botë, ndaj dhe performanca e mirë e tyre është notë pozitive edhe për ne. Do t’i kthehem sërish basketbollit dhe problematikës që ky sport mban.

Sapo mbyllëm finalet e FIBA Eurobasket, ku Shqipëria u përfaqësua nga 7 ekipe kombëtare, 2 ekipe të rriturish dhe 5 ekipe 16- 18- dhe 20-vjeçarësh për femra dhe meshkuj. Natyrisht që rezultatet nuk shkëlqyen, por pjesëmarrja ishte pozitive dhe jo keq nisur nga fakti se në çfarë kushtesh ndodhen lojtarët tanë, ku stërviten, si stërviten, çfarë benefitesh kanë etj. Tani që ndeshjet ndërkombëtare mbaruan, pyetja që ngrihet është: Çfarë do të bëhet me ekipet që morën pjesë në arenat ndërkombëtare? Çfarë do të bëhet me 16-vjeçarët dhe 18-vjeçarët? Po 20-vjeçarët ku do të kalojnë? Çfarë stimuli do t’iu jepet atyre? A do të kujtohet dikush për ta, a do jenë ata në stërvitje intensive dhe do kenë trajtime ndryshe nga të tjerët, apo do vazhdojnë rutinën sportive të kampionatit të varfër të moshave të tyre?! Dikush thotë çdo të bëjë federata? Po ç’të bëjë federata?!

Ajo realizon 7 ekipe kombëtare që kërkojnë rreth 400 mijë euro në vit, ndërsa ka buxhet vetëm 90 mijë euro. Shpesh dhe jo pa qëllim e kam thënë se çfarë shumash shpenzojnë fqinjët tanë dhe shtetet e tjera në Europë për sportin dhe basketbollin, shuma që arrijnë në miliona euro. Sikundër me modelet që ata kanë krijuar, marrin mbrapsht nga sporti shifra po aq marramendëse sa ato që investojnë. Sepse normalisht, nëse investon në sporte, frytet do të kthehen mbrapsht. Në Gjermani të ardhurat që gjenerohen nga konsumi i sportit nga qytetarët është 112.6 miliardë euro në vit. Nëse bëjmë një korrelacion me vendin tonë dhe shifrat i kthejmë për frymë, ne duhet të konsumonim 1 miliard euro për frymë në vit. Nga ana tjetër, lidhur me investimet që shtetet e tjera bëjnë për sportin, mund të përmendim Kosovën me 10 milionë euro buxhet dhe me ligj sponsorizimi 30% mbi tatimin, prandaj ato marrin pjesë në disa lloje Kupash të Europës. Kemi shembullin e fqinjit tjetër, Malin e Zi me 3 milionë euro buxhet për sportet, shumë më shumë sesa ne, kemi pastaj Zvicrën, e cila shpenzon 1.3 miliardë franga në vit për zhvillimin e sporteve, e kështu me radhë.

Po ne, sa harxhojmë ne për sportet? Ua them unë me shifra konkrete, se në të shkruar kërkohen shifra e jo përgjithësime! Për basketbollin Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ka akorduar gjithsej 90 mijë euro buxhet nga 400 mijë që është nevoja reale normale. Ky buxhet nuk plotëson as 30% të nevojave që ka basketbolli në vendin tonë. Pavarësisht kërkesave dhe lobimeve që janë bërë nga komuniteti i basketbollit për më shumë fonde, i njëjti buxhet është akorduar vit pas viti, a thua se koha qëndron në vend dhe nevojat po ashtu!

Po shoqatat çfarë të ardhurash kanë, veç trajtimit të diferencuar ushqimor të disa ekipeve që mbështesin e bashkitë, ndërsa pjesa tjetër asgjë. Shteti financon me buxhete qesharake vetëm klubet e qyteteve, ndërsa të rinjtë e tjerë nëpër rrethe as që janë në listë. Përveç ekipeve të Tiranës që kanë një trajtim pak më ndryshe, për shkak se arrijnë të sigurojnë edhe pak të ardhura nga sponsorizimet private nga bizneset, të gjitha ekipet e qyteteve të tjera kanë vetëm “trajtimin ushqimor” nga bashkitë. Nëpër bashki, ka 5 apo 6 shoqata dhe të gjithë janë banorë, taksapagues apo votues të asaj bashkie. Por bashkitë kanë zgjedhur të mbështesin vetëm një ekip. Çfarë paradoksi! Kur çdo bashki buxhetin për sportin duhet t’ua ndajë të gjitha shoqatave sportive të bashkisë, në një formë ku prioritet duhet t’u jepet ekipeve me tituj, ndërsa ekipet e tjera logjikisht përfitojnë më pak, por kurrë nuk duhen lënë ekipe që jetojnë, banojnë e votojnë në të njëjtën bashki pa mbështetje financiare. Nuk duhet të harrojmë që basketbolli ka komunitetin më të madh në vend pas futbollit, qoftë sa i përket numrit të basketbollistëve, qoftë edhe shoqatave, klubeve, por edhe ndjekësve dhe dashamirësve të kësaj disipline.

Ndaj meriton një vëmendje të veçantë dhe një trajtim ndryshe. Është e vërtetë që buxheti i shtetit nuk mund t’i përballojë dot të gjitha shpenzimet që kanë nevojë federatat, por ka mënyra të tjera sesi mund të mblidhen këto para, njërën më efektiven e shpjegova edhe më lart. Ligji i ri për sportet pritej të ishte efektiv dhe të sillte ndonjë ndryshim, por në fakt asgjë s’ka ndodhur. Ligji i ri është pothuaj ineficent, është një ligj që merret me terma dhe përkufizime dhe nuk vendos se në ç’mënyrë dhe sa do të kontribuojë për sportin.

Nuk ka përse sporti të shtrijë dorën te biznesi, siç ka bërë deri më sot dhe vazhdon ta bëjë, duke u kthyer në lypës. Por nëse shteti e përcakton me ligj që biznesi të sponsorizojë një përqindje të xhiros së tij vjetore për sportet dhe këto para t’i njihen si shpenzime, të gjitha palët do të ishin të lumtura: sporti do të merrte mbështetje financiare, do të përmirësonte lojën dhe rezultatet, biznesi do të mund të reklamonte produktet e veta, për pasojë do t’i rriteshin shitjet, nga ana tjetër sportdashësit do të ishin të kënaqur me rezultatet e skuadrave të tyre të preferuara, ndërsa shteti do të merrte sërish mbrapsht një pjesë të këtyre parave, do të hapeshin më tepër vende pune dhe do të kishte një hall më pak për të zgjidhur.

Kjo është zgjidhja që sot ka gjithë bota për sportin, ndaj dhe sporti nëpër botë është elitar dhe shumë i zhvilluar. Por pse nuk zbatohet kjo formulë edhe te ne? Përgjigjen e dimë të gjithë, por shpesh ngurrojmë ta themi me zë të lartë: Mungon dëshira dhe interesat e instancave shtetërore për të zgjidhur një problematikë të tillë. Nuk ka asnjë lloj incentive që sporti të zhvillohet dhe të jetë i pavarur nga shteti, sepse këtu çdo gjë politizohet dhe mbahet nën tutelën e shtetit. Sporti sot në Shqipëri ndodhet në njëfarë informaliteti, ku të gjitha palët janë pajtuar me situatën dhe asnjë nuk bën asgjë për ta ndryshuar atë. Ndoshta krijimi i një drejtorie të pavarur, Drejtorisë së Sporteve, do e rriste rolin dhe përgjegjësinë për sportin dhe do i bënte instancat përkatëse përgjegjëse deri në detaje që edhe ne të kemi sport elitar./Gazeta Panorama Sport/ 20 shtator 2018