Nga Ibrahim Hajdarmataj – Kryetar i OJF “Mësuesi”
Shkak për këtë shkrim u bë shkrimi i akademikut Prof.Dr. Emil Lafe, i cili pak kohë më parë botoi në ”Gazetën Shqiptare” shkrimin: ”Plaga e mahisur e kulturës gjuhësore në universitet”, i cili komenton shkrimin e Helena Halilaj .
Me sa kuptoj unë këto shkrime të ndihmojnë se me gjuhën shqipe duhet të merremi të gjithë në mënyrë që të kemi sukses në të ardhmen. Kërkesa e Prof. Emilit për futjen e gjuhës shqipe në fakultetet e ndryshme është plotësisht me vend dhe e domosdoshme, jemi të gjithë dëshmitarë të një realiteti të hidhur në praktikën e përditshme ku studentët e diplomuar dhe bile me master po t`ju lexosh një shkresë zyrtare të përpiluar nga ata për secilën faqe gjen gabime gjuhësore të theksuara, e kam fjalën për ata të drejtësisë, mjekësisë etj.
Profesori me të drejtë kritikon teksktin ”Psikologjia gjyqësore ”, me gabime të shumta gjuhësore, por le të ndalemi sidomos tek tekstet e përkthyera, të cilat nga paaftësia e përkthyesve arrihet deri atje që të ndryshohet edhe kuptimi i tyre.
Ka ardhur koha që përkthyesit të jenë të licensuar nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu Ministria e Arsimit duhet të marrë masa për botimin e gazetës ose të revistës ”Mësuesi” dhe revistës ”Gjuha jonë” të cilat janë shumë të domosdoshme për nxënësit, studentët, mësuesit dhe profesorët .
Më zgjohet kujtesa kur vite më parë isha drejtor gjimnazi ku kam zhvilluar disa takime pune me mësues e nxënës në gjimnazet e Gjakovës, Pejës, Prishtinës në Kosovën e pas luftës, në biseda me kolegët më tregonin për tekstet e gjuhës shqipe dhe plan programet që zhvillonin ata, ndërsa unë heshtja, sepse në Shqipëri në gjimnaze zhvillohej gjuha angleze, italiane apo gjermane ndërsa gjuha shqipe jo. Me të drejtë Ministria e Arsimit e futi në plan programe dhe tekste për t`u mësuar gjuha shqipe, besoj se nuk është e nevojshme për koment të mëtejshëm.
Gjithashtu lind nevoja e thirjes së një Kongresi për gjuhën shqipe .
Përfundimisht me gjuhën shqipe duhet të merremi të gjithë.
Me të drejtë akademiku Prof .Dr .Emil Lafe thekson :-“Gjuha nuk pranon shkujdesje, nuk pranon të trajtohet si gjë e zakonshme. Gjuha ka nevojë të mbrohet, të ruhet si gjë e shtrenjtë e të parëve.Gjuha është shenjë e qytetërimit të një populli, sepse mënyra se si sillet njeriu me gjuhën, tregon kulturën e tij ”.