Gjetje e rrallë e një thesari të çmueshëm monedhash Perandorake Romake

Sipas ligjeve të Italisë, pronarit të tokës në të cilën është gjetur thesari dhe personit i cili e ka gjetur atë, i takon shpërblimi prej 25% të rreth 3 milionë eurove sa e kanë vlerësuar ekspertët këtë thesar.
Naser FERRI

Në qendër historike të Komos (Como), qytet ky dhe kryeqendër e krahinës Komo në Lombardi në veri të Italisë, i vendosur ndërmjet Alpeve dhe liqenit Komo, në fillim të muajit shtator u zbulua rastësisht një thesar i çmueshëm monedhash të punuara prej ari nga periudha e vonshme e Perandorisë Romake.

Përndryshe ky vendbanim quhej Comum Novum, prej vitit 191 para erës sonë, respektivisht pas pushtimit të Oppidum Comum të banuar me popullsi gale e kelte nga ana e konsulit romak Klaud Marceli (Claudius Marcellus), dhe gjatë antikitetit kishte rëndësi të madhe strategjike nga pikëpamja tregtare, por edhe për shkak të pozitës së liqenit dhe të pranisë së njësiteve të shumta të ushtrisë, meqë paraqiste një pengesë të fortë dhe të sigurte për parandalimin e sulmeve të fiseve të barbarëve të drejtuara kah lugina e pasur e lumit Po.

Ky qytet i lashtë ka një të kaluar të pasur dhe pos tjerash është vendlindja e disa figurave të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike si: poeti Cecilius (StatiusCaesilius) të cilin e përmend autori antik Katuli (Caius Valer Catullus), në shekullin I para erës sonë, historianët Plini Plak (Gaius Plinius Secundus) dhe Plini i Ri (Gaius Plinius Caecilius Secundus) në shekullin I dhe II të erës sonë, papa Inoqenti XI (Inocencio XI, shekulli XVII), fizicienti, kimisti dhe autori i shumë zbulimeve të rëndësishme shkencore Allesandro Volta (Alessandro Volta,1745-1827), Kozima List (Francesca Gaetana Cosima Liszt,1837-1930), e bija e pianistit hunz Franz Listz dhe gruaja e dytë e kompozitorit gjerman Rihard Vagner (Richard Wagner) e mjaft personazhe të tjerë historike e të shkencës.

Rëndësinë e jashtëzakonshme të zbulimit të këtij thesari e dëshmon fakti që lajmin menjëherë  e publikuan gazetat lokale e  rajonale Corriere di Como, Giornale di Como, Il Giorno, La Provincia e gjithashtu edhe ato kombëtare italiane Corriere della Sera, National Geographic Itali si dhe portalet elektronike Sputnik Italia, Agi˃Cronaca dhe mjaft të tjerë nga të cilët këtë lajmë e morrën dhe e përhapen mediat e shteteve të tjera.

Rrethanat e zbulimit dhe gjendja e thesarit

Zbulimi në fjalë ndodhi në një pronë private, ku një kompani ndërtimore kishte planifikuar ndërtimin e një kompleksi të banesave luksoze, mirëpo sapo gërmimet kishin filluar, Shërbimi i Mbrojtjes së Trashëgimisë kishte ndërhyrë “duke vazhduar mbikëqyrjen e çdo faze të gërmimeve shtresore”, pohon Barbara Grassi, kreu i Arkeologjisë së  Shërbimit të Mbrojtjes së Trashëgimisë së Milanos.Punimet ndërtimore menjëherë pas zbulimit janë ndërprerë por zonja Grassi ka deklaruar që sapo të përfundojnë gërmimet arkeologjike, kompania ndërtimore mund të vazhdon ndërtimin, “duke integruar” ndoshta në strukturën e ndërtimit edhe atë që  arkeologët të zbulojnë gjatë gërmimeve në vazhdim.

Ky thesar i cili, si nga sasia ashtu edhe nga cilësia, konsiderohet zbulim më i rëndësishmi në historinë e qytetit të Comos e po ashtu edhe në arkeologjinë në përgjithësi italiane pas zbulimit të Akvilesë (Aquileia) është gjetur gjatë punimeve në ndërtesën e ish kinemasë “Cressoni” në Via Diaz, në një metër thellësi mes themeleve të një pallati luksoz antik afër vendit ku më herët ishte zbuluar forumi (sheshi kryesor) i lashtë,  pas qëndrimit shumëshekullor nën dhé.

Përndryshe, meqë kjo pjesë e qytetit ishte e njohur qysh më herët për gjetje pos atyre të forumit, edhe të gjurmëve të një lagje të tërë të banuar nga fisnikët romak, në të cilën pas shkatërrimit të vendbanimit antik apo të “zonës rezidenciale” të patricëve romakë në vitin 1807 ishte ndërtuar teatri privat “Cressoni”, mu  për këtë arsye punimet në ndërtesën e ish teatrit (i cili më vonë ishte shndërruar në kinema e cila ishte mbyllur më 1997) tash e tre muaj mbikëqyreshin me vëmendje të veçantë nga arkeologët.

Fjala është për një enë të punuar prej gurit gëlqeror që nxjerrët në rajonin e Alpeve Qendrore (e jo prej argjile siç ishte zakonisht rasti me enë të tjera në të cilat janë zbuluar thesaret e këtilla deri me  tash, pa dyshim për shkaqe sigurie e me qëllim të mbrojtjes së monedhave nga zjarri eventual) në formë amfore me dy dorëza anash të mbyllur me kapak (në të cilën ishin vendosur 300 monedha ari të cilat janë ruajtur në gjendje jashtëzakonisht të mirë), të fshehur ndoshta me rastin e ndonjë rreziku nga sulmi i fiseve barbare nga veriu i Evropës drejtë Lombardisë, për shkak të evitimit të plaçkitjes së saj, dhe pastaj të harruar për arsye lidhur më të cilat vetëm mund të supozohet, por ende nuk mund të kuptohet se a është fjala për ndonjë pasuri private të ndonjë patrici (aristokrat, bujar) romak apo ndoshta për pronë shtetërore.

Amfora e gjetur fill pas zbulimit është dërguar në laboratorin e Ministrisë së Kulturës (Mibac) në Milano dhe nga ajo është nxjerrë vetëm një numër i vogël  monedhash nga shtresa e epërme, meqë për shkak të rëndësisë që ka, ky zbulim kërkon studim të kujdesshëm dhe arkeologët presin që brenda enës pos monedhave mund të gjenden edhe gjësende të tjera të çmueshme (shufra dhe stoli ari).

Monedhat e ekzaminuara deri më tash janë të llojit solidus, monedhë kjo të cilën e kishte futur në përdorim Konstandini i Madh (306-337) duke e zëvendësuar monedhën e artë aureus, e cila ishte në qarkullim deri në atë kohë anembanë Perandorisë Romake, kështu që nga koha e Konstandinit solidusi ishte shndërruar në monedhë standarde të Perandorisë, dhe kishte vazhduar te jetë në qarkullim njëkohësisht edhe në Perandori Perëndimore por edhe në atë Bizantine edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake më 395 të erës sonë.

Datimi dhe cilësitë historike e numizmatike të monedhave

Monedhat në fjalë janë të punuara pre ari të pastërtisë së më të lartë dhe i përkasin periudhës së vonshme të Perandorisë Romake, respektivisht periudhës së rënies së kësaj perandorie dhe të fillimit të ngritjes së Perandorisë Bizantine. Në bazë të rezultateve të analizave të deritashme është konstatuar se monedhat e fundit të deponuara në këtë enë janë të shekullit V, por brenda amforës mund të ketë edhe monedha të periudhave të mëhershme, meqë monedhat e arta romake nuk tërhiqeshin nga përdorimi dhe vazhdonin të qarkullonin shekuj me radhë.

Me anë të pajisjeve më bashkëkohore fillimisht janë ekzaminuar 27 monedha (me peshë nga 4 gram ari secila) nga shtresa e epërme brenda amforës pa u prekur fare brendia e saj dhe është konstatuar që këto monedha i përkasin kohës së sundimit të perandorëve të te dyja pjesëve të Perandorisë romake të ndarë në vitin 395 të erës sonë: Honori (Flavius Honorius, perandor i Perandorisë Perëndimore, 395-423), Valentiniani III (Flavius Placidus Valentinianus III, perandor i Perandorisë Perëndimore, 425-455), Leoni I (Flavius Valerius Leo Augustus, perandor i Perandorisë Lindore, 457-474), Anthemi (Procopius Anthemius, perandor i Perandorisë Perëndimore 467-472),  dhe Libius Severi (Libius Severus, perandor i Perandorisë Perëndimore, 461-465).Kjo do të thotë se, në bazë të informatave të deritashme, monedhat e fundit janë deponuar në këtë amforë gjatë periudhës së fundit të Perandorisë Romake (rreth viteve 474-476) kur ajo ishte në rënie të vazhdueshme dhe kur oborri perandorak ishte transferuar dhe strehuar në Ravenë (Ravenna), në Bregdetin Adriatik (kryeqytet i krahinës së sotme Emillia Romagna), ku ishte më e lehtë mbrojtja nga sulmet e hordhive barbare të cilat shpeshherë udhëhiqeshin nga ish gjeneralët e ushtrisë romake.

Për shkak të pozitës së vetë Ravena për një kohë (402-475 të erës sonë) kishte qenë qendër e Perandorisë Romake, ndërsa në vitin 475 e kishte pushtuar mbreti barbar Odoakar (Odoacar, përndryshe ish gjeneral i ushtrisë romake), e pas pushtimit bizantin në vitin 540  kishte qenë seli e Perandorisë Bizantine deri në vitin 751 kur e kishin pushtuar langobardët.

Pas përfundimit të gërmimeve mikroskopike brenda amforës dhe analizave të cilat janë duke i bërë  arkeologët, restauratoret dhe konservatorët në Milano, ky thesar do të mund të datohet saktësisht, meqë monedha më e re që do gjendet aty do ta përcakton kohën e deponimit, respektivisht të fshehjes së thesarit në fjalë.

Pronë e kujt ishin monedhat e gjetura

Sipas mendimit të ekspertes  të numizmatikës  Maria Grazia Facchinetti nga Milano, në bazë të faktit që monedhat janë gjetur të mbështjella në formë rrotullash të ngjashme me ato që përdoren nëpër banka edhe sot, dhe kanë të shënuara emrat e perandorëve si dhe shufra e arit që gjendet mes monedhave lejojnë mundësinë që pronari i thesarit nuk kishte qenë një person privat, por mund të ketë qenë një institucion publik. Ndoshta mund  të bëhet fjalë për mjete të deponuara në një lloj banke, kursimore apo në ndonjë institucion të ngjashëm publik të antikitetit të vonshëm edhe pse është shfaqur edhe mendimi që monedhat mund të kenë qenë te destinuara për paga të ushtarëve që shërbenin këtu apo për pajisje të njësiteve të reja ushtarake meqë sipas disa analizave asokohe vlera e monedhave të gjetura ishte e mjaftueshme për pajisjen dhe armatimin e një ushtrie e po ashtu edhe për negocimin e mundshëm të dorëzimit të qytetit poqë se eventualisht rrethohej nga armiku..

Analogjia e vetme e këtij zbulimit

Thesari ka shumë gjasa që përbëhet edhe nga gjësende të tjera të vlefshme meqë ekipi i arkeologëve që është duke e bërë egzaminimin,  nga një e çarë në amforë ka vërejtur diçka të ngjashme me një shufër ari por analizat më të detajizuara  pritet të zgjasin disa javë.

E vetmja gjetje e krahasueshme me atë të Comos në Itali ishte bërë në lokalitetin Sovana, në rajonin Grosseto në krahinën e Toskanës në Italisë Qëndrore, ku në nëntor të vitit 2004 po ashtu rastësisht ishin gjetur  498  monedha ari nën themelet e mureve perimetrike në veri të një kishe, të cilat kronologjikisht i përkasin një epoke që përfshin kohën prej sundimit të perandorit Honor (Flavius Honorius) e deri në kohën e perandorit Romul Augustuli (Romulus Augustulus,475-476 të erës sonë), respektivisht deri momentin e pushimit së ekzistuari të Perandorisë Perëndimore Romake.Në bazë të rezultateve të kërkimeve të deritashme të dy thesaret janë të përbëra nga monedhat e kohës përafërsisht të njëjtë (meqë edhe në thesarin e gjetur në Sovana të Grossetos pjesa dërmuese e monedhave ishin të emetuara në kohën e perandorëve  Leoni I, Anthemi dhe Valentiniani III,  por sasia e arit e thesarit të Comos, megjithatë, duket të jetë shumë më e lartë dhe më e pastër.

Është e padiskutueshme rëndësia dhe vlera numizmatike e këtij thesari, por duhet cekur që edhe vlera materiale e tij ka qenë e madhe në kohën e emetimit të monedhave dhe e tillë është edhe sot, e madje sipas disa ekspertëve të fushës, vlerësimet e të cilëve i kanë transmetuar disa media italiane (La Provincia, Corriere di Como, Corriere della Sera), vlera materiale e tij sot arrin shumën deri në tre milionë euro meqë vlera numizmatike e monedhave të këtilla të ruajtura mirë, siç është rasti me këto (edhe pse ishin emetuar në distancë kohore prej disa shekujsh), shkon prej 1000 euro e më lartë (solidi i perandorit Honorius) e deri në mbi 10.000 euro (solidi i perandorit Libius Severus), për çdo monedhë, e në disa raste edhe më shumë (15.000 e më shumë).

Rëndësia historike (pos asaj numizmatike e materiale) e këtij zbulimi pasqyrohet edhe në faktin që rrallëherë deri më tash është gjetur një sasi kaq e madhe monedhash romake prej ari të cilësisë së lartë, meqë shumë monedha romake që janë gjetur gjatë periudhave të ndryshme historike, për shkak të cilësisë së të lartë të arit, janë shkrirë dhe janë shndërruar në monedha të reja ose në stoli.

E ardhmja e thesarit nga Comos

Lidhur me të ardhmen e këtij lokaliteti të rëndësishëm arkeologjik shpjegon zyrtari i Shërbimit të Kujdesit për Trashëgimi Kulturore  i Lombardisë, Luca Rinaldi ka deklaruar se po të kishte qenë vendi në të cilën është bërë ky zbulim i jashtëzakonshëm në pronë publike: “unë nuk do të kisha asnjë dyshim dhe kisha kërkuar anulimin e lejes së punës në  ndërtimin e kompleksit banesor dhe e kisha intensifikuar punën e gërmimeve për të nxjerrë në dritë sa më shumë gjetje të mundshme, por duke e pasur parasysh faktin që kemi të bëjmë  me një pronë private ne duhet ti kemi parasysh edhe nevojat dhe interesat e pronarëve legjitim të tokës”.

Ministri italian i kulturës Alberto Bonisoli ndërkaq e ka vlerësuar këtë gjetje si ngjarje epokale dhe “shenjë të dërguar nga paraardhësit” duke premtuar që amfora e gjetur në Como së bashku me thesarin që e ka ruajtur gjatë 15 shekujve të paprekur (deri në momentin e zbulimit kur edhe u dëmtua  nga makinat ndërtimore), pas analizave në Milano do të kthehet dhe do të mbetet në këtë qytet ku do të ekspozohet në ndonjërin nga muzetë e Comos e ndoshta edhe do themelohet një muze i veçantë do të ekspozohen për publikë të gjerë monedhat nga ky thesar, aq më tepër kur dihet që arkeologët presin edhe zbulime të tjera të rëndësishme gjatë gërmimeve në të ardhmen në lokalitetin ku u zbulua thesari.

Vlen të përmendet që sipas ligjeve të Italisë, pronarit të tokës në të cilën është gjetur thesari dhe personit i cili e ka gjetur atë, i takon shpërblimi prej 25% të vlerës së përgjithshme sipas vlerësimit të ekspertëve, në para të gatshme ose në monedha të gjetura, por pa dyshim që për shkak të rëndësisë së këtij zbulimi shteti italian do ti kompensoj zbuluesin dhe pronarin e tokës me para, me qëllim të ruajtjes së tërësisë së thesarit.