Ndonëse Serena Williams ka fituar vetëm 62 mijë dollarë nga shpërblimet në turne të tenisit në vitin e fundit, tenistja amerikane kryeson listën e revistës “Forbes” si sportistja më e paguar në botë.
Shifra prej 18.1 milionë dollarësh që ka arkëtuar fituesja e 23 Grand Slam turneve nga sponsorët ka mjaftuar që ajo të jetë në krye të listës për vitin e tretë rresht, ndonëse nuk garoi për 14 muaj pasi njoftoi në janar të vitit 2017 se është shtatzënë dhe në pritje të fëmijës së parë, shkruan CNN.
Williams, 36-vjeçare, ka fituar dyfish më tepër jashtë fushës së tenisit se çdo sportiste tjetër, ndërsa vetëm 16 sportistë kanë fituar më tepër se amerikania në vitin e fundit.
Tenistja daneze Caroline Wozniacki, e cila renditet në vendin e dytë të tenisteve më të paguara, ka fituar 13 milionë dollarë, shumë larg Serenës. Në vendin e tretë renditet tenistja tjetër amerikane Sloane Stephens (11.2 milionë dollarë) e pas saj klasifikohen tenistja spanjolle Garbine Muguruza (11 milionë) e rusja Maria Sharapova (10.5 milionë).
Në “top-10” sportistet femra më të paguara në botë janë vetëm 2 sportiste që nuk vijnë nga ky sport: Në vendin e shtatë ndodhet indiania Pusarla Sindhu në badmington (8.5 milionë dollarë) dhe në vendin e nëntë është pilotja e garave me makina Danica Patrick (7.5 milionë dollarë).
Top 10 sportistet kanë fituar së bashku 105 milionë dollarë nga qershori i vitit 2017 deri në qershor të vitit 2018, që është një rënie prej katër për qind nga viti i kaluar dhe 28 për qind nga pesë vjet më parë.