Presidenti i Serbisë Vuçiq foli për herë të parë për mundësinë e “përkufizimit” me shqitparët. Në Beograd nuk e kanë të qartë se ç’do të thotë kjo në të vërtetë. Shumë e kundërshtojnë idenë. Flitet edhe për referendum.
Bota e gazetave bulevardeske në Serbi ishte në rregull deri në fillimin të javës së kaluar. Lajme për thashethemet e prominentëve, pak nxitje dhe urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës, pak ndaj kroatëve dhe opozitës në Serbi – business as usual. Por të enjten e kaluar gjërat ndryshuan: Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq – të cilin shumëkush e konsideron edhe kryeredaktor të të gjitha mediave të rëndësishme – përdori për herë të parë fjalën mgajike “përkufizim” me shqiptarët. Ishte kjo hera e parë që autokrati serb hedh në lojë edhe mundësinë e njohjes së asaj që në Serbi quhet “provinca jugore e Serbisë”.
Ndonëse fjala “përkufizim“ nuk është shpjeguar deri në fund, shumëkush beson se e di se çfarë mendon Vuçiqi. Serbia do të duhej të merrte pjesën veriore të Kosovës, të banuar pothuajsve vetëm nga serbët, ndoshta si shkëmbim me komunat e banuara me shumicë shqiptare në Preshevë dhe Bujanoc. Makineria mediatike e afërt me regjimin e Vuçiqit tani është në dilemë: Si t’ua shpjegojë serbëve se kjo është një zgjidhje e mirë?!
Argumentimi i preferuar i Vuçiqit është se Serbia ose duhet tani t’i përcaktojë kufijtë me shqiptarët, ose shqiptarët përmes natalitetit dhe blerjes së tokave brenda disa dekadash do të mbërrijnë deri në Vranje dhe Nish.
Gazeta bulevardeske „Srpski telegraf” (Telefrafi serb) ka botuar në fundjavë madje edhe një lajm bombastik: Vuçiqi do të japë dorëheqjen, sepse populli i tij, opozita dhe Kisha serbe nuk kanë mirëkuptim për idenë e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Melodrama mbetet pra stili i qeverisjes së Vuçiqit!
Tema më e (pa)rëndësishme
„Kosova nuk është ndonjë temë jetike në Serbi, por qeveria dhe opozita janë duke e shndërruar këtë në një temë të rëndësishme për jetën”, thotë për Deutsche Wellen, shkrimtar i njohur serb Filip David. „Ata kaherë e kanë shpjeguar se humbja e Kosovës do të thotë humbje e të gjithave. Të gjithë e dinë se kjo është vetëm një lojë retorike, por askush nuk do ta pranojë hapur.”
Sondazhet e fundit i japin të drejtë Davidit. Të pyetur se cilat janë problemet më të rëndësishme në Serbi, të anketuarit thonë se ato janë ekonomia, papunësia, varfëria dhe korrupsioni në radhë të parë. Kosova përmendet ndër problemet më të vogla vetëm nga një përqindje e vogël. Por kjo është ende një temë emocionale, e cila përdoret shpesh nga mediat për të botuar tituj në faqet kryesore.
Në sondazhin e Institute for European Affairs, të bërë në mars të këtij viti, vetëm 45% e serbëve besonin se Kosova nuk është humbur. E megjithatë 81% e të anketuarve refuzojnë njohjen e Kosovës, madje as në rast se ky është kusht për anëtarësim në BE. Shumica (56 %) janë edhe kundër ndarjes së Kosovës.
Opozita po përpiqet të përfitojë nga kjo situatë. Së fundi është krijuar edhe një “Aleancë për Serbinë”, e cila ka mbledhur rreth vete parti të djathta dhe të majta, qytetare dhe nacionaliste. Një nga udhëheqësit e saj është ish-ministri i Jashtëm dhe kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Vuk Jeremiq, i cili aktualisht po udhëton nëpër Serbi dhe po kërkon mbështetje në kundërshtimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sikur të mos kishte asgjë tjetër për të kritikuar në shtetin e Vuçiqit – si për shembull gjendjen në media, drejtësi, keqpërdorimet në ekonomi apo përzierjen e regjimit me mafian. “Opozita ndoshta do t’ia dalë ta rrëzojë qeverinë në çështjen e Kosovës. Por gjendja në Serbi nuk do të përmirësohet me kaq”, thotë politologu Milan Nikoliq, në bisedë me DW.
Shpresat tek SHBA
Por aktualisht nuk është e qartë se si do të realizohet ideja për “përkufizim” dhe nëse një gjë e tillë është realiste. Mediat serbe spekulojnë mbi mundësinë që adminsitrata e Trumpit nuk e konsideron më si tabu ndryshimin e kufijve në Ballkan. Debatet i ka nxitur një deklaratë e ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, i cili javën e kaluar tha, se liderët në Beograd dhe Prishtinë duhet të jenë “të guximshëm, fleksibël dhe kreativ”.
Në Evropë thuhet se ndryshimi i kufijve do të hapte Kutinë e Pandorës. Por ministri i Jashtëm Ivica Daçiq është kundër këtyre zërave: „Ata i kanë ndryshuar kufijtë tanë, e tani thonë se kufijtë nuk mund të ndryshohen. Si s’keni turp?!”
Kundër ndarjes së Kosovës janë jo vetëm qarqet nacionaliste dhe opozita në Serbi. Edhe blloku liberal dhe organizatat joqeveritare janë deklaruar kundër. “Skenari i tanishëm të kujton paralojën e luftërave në ish-Jugosllavi, kur shumëkush kërkonte krijimin e shteteve mbi bazat etnike. Ndaj kemi frikë se kjo mund të ndodhë sërish – pra që sërish të kemi shkëmbime të dhunshme të territoreve dhe zhvendosje të popullatës”, thotë Jelena Krstiq, në bisedë me DW.
Një debat i nxehtë është hapur edhe për mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës në Serbi, sepse Vuçiqi do të detyrohet një ditë që këtë çështje ta nxjerrë në referendum. Por vet Vuçiqi me dëshirë e thotë se akoma jemi shumë larg zgjidhes së çështjes së Kosovës, sepse “shqiptarët e Kosovës nuk janë të gatshëm për kompromis”. „Për tango nevojiten dy persona”, thotë ai shpesh. /Nemania Ruievic / D.W./