Flaka e shpirtit

Nga Nikollë Loka

Një re e zezë
ik prej perëndimit të diellit,
perëndimit të skuqur,
në qiellin pakufi…
Nën këtë qiell vjeshtak
në prag të dimrit,
pritëm një shqipe të vijë.

Për pesëqind vjet
shpresa
na u kthye në gur,
në gurin
që na rëndonte në votër.
Prushi i skuqur
u kthye në flamur
dhe flaka
shqipe me flatra.

U ngjit ajo flakë
në qiell me vetëtimat,
pastaj ra në tokë si rrufe.
Ndër beteja,
ku jetën e dhanë trimat,
shqipet i ngritën foletë.

Sa shumë rrufe
ranë mbi gurin e votrës,
po zjarri s’u shua kurrë.
E flaka e shpirtit
ishte nisur drejt Vlorës,
të valëvonte madhërisht
në flamur.

Flakë e shpirtit
na u bënë
shqipet ndër male.
Në prush na u kthye mishi
dhe gjaku.
Nuk vdes Atdheu!
Nuk vritet guri!

Nuk shembet mali!