Michel Abdollahi, Y’akoto e Idil Baydar: këta kanë përvojat e tyre me racizmin. A mund të ndryshojë gjë debati #MeTwo? Artistët përcjellin vështrimin personal për çështjen e identitetit, fillimisht Michel Abdollahi.
Gazetari dhe artisti i performancës, Michel Abdollahi i përgjigjet pyetjes për origjinën e tij ndërkohë me “Iran”, për t’ia lehtësuar punën atij që pyet.
Kabaretisten Idid Baydar e migrantizojnë herë pas here. Ajo nuk ka migruar kurrë. Rruga e saj për në Gjermani ishte e shkurtër, siç e thotë ajo me dy fjalë në programin e saj në skenë: “nga mitra jashtë”.
Kurse këngëtarja Y’akoto beson se koncepte si atdheu dhe identiteti në një botë digjitale dhe të globalizuar, siç i gjejmë sot, janë të kapërcyera dhe kërkojnë që shoqëria ta ndryshojë mënyrën e të menduarit.
Po si e përjetojnë debatin e #MeTwo dhe çfarë lidhin ata me koncepte si atdheu, identiteti dhe Gjermania?
Fillimisht Michel Abdollahi.
“Politika jonë nuk është kujdesur fare që tek ne në Gjermani të ketë më pak racizëm”.
Michel Abdollahi është nun i poetry-slam, moderator në televizion, gazetar dhe artist performance. Ai ka lindur më 1981 në Teheran dhe ishte pesë vjeç kur erdhi në Gjermani. Që prej vitit 2000 ai është aktiv në komunitetin evropian të Poetry-Slam. Ai është bashkëthemelues i markës “Kamp der Künste” (Lufta e arteve), e cila konsiderohet në të gjithë Evropën si ofruesi më i madh për Poetry Slam dhe letërsinë në skenë. Në vitin 2015 atij i dhanë Çmimin Televiziv Gjerman, në vitin 2017 i dhanë Çmimin Gustaf Gründgens. Ai e sheh veten si gjermano-iranian dhe si hamburgas të bindur.
“Atdhe është për mua në fakt gjithmonë atje, ku ndodhet krevati im dhe ja që krevati im është në Hamburg. Por unë kam edhe një krevat në Iran, edhe atje fle, kur jam atje. Por Gjermania është shtëpi për mua. Aty ndihem më mirë.
Irani është për mua vendi prej të cilit kam ardhur. Irani është pjesë e kulturës sime, është pjesë e zemrës sime. Ai është edhe një vend, që e njoh mirë, ku edhe ndihem shumë mirë, por është fakt që unë nuk jam më atje. Unë nuk kontribuoj në shoqërinë e atjeshme, por ai është pjesë e identitetit tim. Identiteti mund të ndryshojë, mund të përshtatet, është i formësueshëm dhe i shumëllojshëm. Nuk ekziston NJë identitet.”
“Më dhemb kur njerëzit thonë, bëje punën tënde në vendin tënd”
“Në Gjermani ka racizëm, këtë e dimë të gjithë. Të gjithë, që janë “migrantë”, e dinë që ekziston një formë e racizmit të përditshëm të pashprehur dhe një formë racizmi e poshtër dhe e rëndë. Unë e përjetoj përditë racizmin. Mjafton të hedhësh për këtë një vështrim në profilin tim në Facebook dhe në twitter. Dhe më në fund tani flasin për këtë. Njerëzit tregojnë për përvojat e tyre dhe pastaj të duhet të dëgjosh edhe gjëra të tilla si: “Të gjithë këto i keni sajuar në mendje”. Kjo më duket e rëndë.
Politika jonë nuk është kujdesur fare që te ne në Gjermani të ketë më pak racizëm. CSU-ja, si njëra nga partitë në qeveri, kujdeset çdo ditë e më tepër, që njerëzit të kenë mundësi ta bërtasin në mënyrë të shfrenuar racizmin e tyre.
Për momentin unë nuk e parashikoj që dikur do të pranohem si gjerman nga të gjithë njerëzit në Gjermani. Por kjo nuk më vret. Më vret kur më thonë: bëje punën tënde në vendin tënd. Këtë nuk mund ta pranoj.
Nga debati #MeTwo nuk pres asgjë. Racizmi nuk zhduket. Megjithatë një sensibilizim përmes debatit do të ishte i dëshirueshëm: që mësuesi ta ndiejë veten në faj dhe të mendojë :’Ta hajë dreqi, unë isha mësuesi që ia shkrepa të qeshurit, kur atëherë Cem Özdemiri shprehu dëshirën që të shkojë në gjimnaz.’
Ne nuk duhet të flasim për njerëz që e dinë se janë racistë. Por ata, që nuk i kanë bërë në mënyrë të ndërgjegjshme komentet e tyre, tani ndoshta duhet vënë re se sa lënduese janë ato dhe çfarë gjurmësh lënë.” (vazhdon) /Yalda Zarbakhch / D.W./