Në kancelaritë kryesore evropiane, në Bruksel dhe Washington siç po shihet është vënë në krye të agjendës politike përmbyllja brenda këtij viti me marrëveshje e konfliktit serbo-kosovar. Kësisoj të dy palët (serbet dhe shqiptaret) janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për të hyrë në betejë vendimtare negociatash duke prodhuar një marrëveshje detyruese. Serbët duken më ta avantazhuar dhe në pozita më të forta ndërsa për palën shqiptare panorama duket disi më e mjegullt. Kjo për faktin se Serbia ka fituar të drejtën të luajë në terrenin e shtetit të Kosovës, në kohë optimale, me raporte të përmirësuara më faktorët e përfshirë në proces dhe e mbrojtur në bastin final. Them me mbrojte të bastit final, pasi çdo pikë e marrëveshjes e cila nuk do ti kënaqte interesat e saj mund të vihet përsëri në diskutim pasi Rusia do të bllokonte ulësen në OKB të shtetit të Kosovës. Andaj deshën apo nuk deshën sponsoret e kësaj marrëveshje janë të detyruar ta mbajnë në lojë Rusinë, Kinën por edhe pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën. Pra nëse Rusia dhe Kina nuk mbahen brenda procesit, është plotësisht e mundshme që të përsëritet historia e Planit Ahtisari me të ashtuquajturin Ahtisari plus apo përtej planit të Ahtisarit që i krijuan hapësira Serbisë të futë kthetrat brenda shtetit të pavarur të Kosovës.
Kosova është futur në një lojë pa plan dhe platformë të qartë të ndërtuar me kurse zhvillimi në funksion të objektivave të saj strategjike. E mësuar keq që në Rambuje e deri në shpalljen e pavarësisë, ka pritur që skenarin dhe rrugën e zgjidhjes të ja bëjnë miqtë, e veçmas SHBA. Në kohën kur politika e SHBA –së ka pësuar ndryshime në lidhje me angazhimin në zgjidhjen e konflikteve Kosova rrezikon të mbesë në boshllëk. Për pasojë, mënyra si pol luan në institucione dhe lidershipi i saj, veçmas Presidenti, të krijohet përshtypja se po hyn në betejë pa llogaritur mirë lëvizjet, pa unitet dhe me mungesë legjimiteti të përfaqësuesve të saj.
Cila është panorama e kësaj ndërmarrje të vështirë politike në prag zhvillimin e betejës vendimtare me Serbinë?.
A ashtë e përgatitur Kosova për betejë vendimtare me Serbinë?!
Nga Qazim Selimaj – analist, ushtarak
Vuçiç e ka bërë të qartë se marrëveshje do të thotë humbje e barabartë për të dyja palët. Ka deklaruar se marrëveshja do të shkojë në referendum. Ai ka lënë të kuptohet qartazi që do të kërkohet që tre komunat serbe të Mitrovicës veriore ti bashkëngjiten Serbisë, pa përmendur shkëmbim territoresh. Me zgjuarsi ka ndërtuar ofensivë agresive për të përpunuar opinionin publik duke e përgatitur të pranojë shkëmbimin e territoreve si opsioni më me përftim për Serbinë. Deklarata e vijueshme të bashkëpunëtoreve më të ngushte Daçiç dhe Vulin janë pjesë e këtij skenari. Thaçi si i vetmi politikan shqiptar që e di qëndrimin e aktorëve dhe faktorëve të përfshirë në proces flet për korrigjim kufijsh duke u përdredhur me fjalë boshe kundër shkëmbimit të territoreve. Pranimi i opsionit tw korrigjimit të kufijve si bazë për marrëveshje ne fakt do të thotë kthim ne kufijtë e vitit 1954. Pra Mitrovica e Veriut me Serbinë dhe lugina e Preshevës me Kosovën. Thjesht kjo do të thotë shkëmbim territoresh. Që ky është skenar ne lojën përfundimtare nuk ka dyshim. Ketë e vërtetojnë edhe deklaratat e Vuçiç dhe Thaçit të cilët thonë se: Do të jetë një marrëveshje e vështirë dhe e dhimbshme.
Edhe reagimi i Thaçit me gjuhë të drunjtë (tipike e propagandës totalitare), i pamaturuar, emocional dhe larg parametrave të një shtetari të formuar ndaj kundërshtive të ish kryeministrit Berisha për korrigjim kufiri, dëshmon se ai nuk ka plan dhe kurs veprimi për të dalë me sukses nga një lojë e ndërtuar keq e pa zgjuarsi që në fillim e saj. Faktin se shteti dhe institucionet e Kosovës nuk kanë plan, e pranoi në mënyrë të sinqertë dhe larg gjuhës diplomatike këto ditë në intervistë në Zërin e Amerikës edhe zoti Pacolli i cili tha: “Në takimin me sekretarin e shtetit Mark Pompeu na është kërkuar të kemi plan dhe unitet në dialog, por ne aktualisht nuk kemi plan dhe po punojmë edhe plan edhe për grup uniteti”. Komisioni Evropian flet për një marrëveshje të detyruar për të palët e cila edhe pse e vështirë do ti shërbejë paqes dhe stabilitetit.
Departamenti i shtetit i SHBA flet për fleksibilitet të palëve (Kosovës dhe Serbisë) dhe për gatishmërinë për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes. Shihni SHBA ka fshirë vijën e kuqe për korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. “Do të mbështesim çdo marrëveshje që do të arrijnë palët, shprehej këto ditë ambasadori i SHBA-së në Kosovë”. Rusia e cila i mban në dorë fishat kryesore të implementimit të marrëveshjes përfundimtare duke shfrytëzuar veton në KS dhe në terren Serbinë po i ndjek e qetë zhvillimet.
Shqiperia zyrtare nuk po ndihet, por këmbëngulja dhe protagonzimi Thaçit, të jep përshtypjen që nga prapa perdes ai ka marrë mbështetje nga Tirana zyrtare. Është ne genin e kësaj qeveria zgjidhja e problemeve madhore me pazare, pa parime dhe pa konsideruar interesat kombëtare por vetëm ato personale. Kësisoj mundet që ne tavën e korrigjimit të kufijve të jetë përfshire edhe Rama ose ka nuhatur se roli i tij është ne kufijtë e zeros dhe qëndron larg. Ta shohim.
Panorama politike e prag betejës vendimtare shqiptaro serbe të krijon mendimin e bazuar se komuniteti ndërkombëtar nën presionin e populizmit po provojnë me Kosovën një test dhe eksperiment për tu hyrë zgjidhjeve të mëdha të bazuar në filozofinë etno nacionaliste. Natyrisht do të ishte marrëzi të mendoje se lidershipi kosovar mund të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve me kokë fortësi apo përdorim bërryli ndaj miqve, aleateve dhe sponsorëve të pavarësisë së saj. Por mundësinë e nismës, përdorimit të kohës dhe terrenit në interes të kontrollit të betejës vendimtare dhe të zhvillimeve në dialog e ka të plotë. Kjo për faktin se është aktor kryesor në dialog dhe zgjidhjet që propozon e mbron kanë implikime jashtë saj dhe bile mund të shërbejnë edhe si precedent për hapjen e kutisë të pandorës.
Kosova ka një eksperiencë fituese në procesin e dialogut me serbët ne vitet e nëntëdhjeta në të cilat ka dalë fituese pas çdo raundi. E kjo ndodhte atëherë kur fuqia ushtarake dhe politike e Millosheviqit ishin në zenit. Kësaj përvojë dhe eksperiencë edhe pse në kushte të reja Kosova, duhet ti rikthehet. Përfaqësuesit e Kosovës dhe institucionet e saj duhet të llogarisin me saktësi çdo hap, lëvizje dhe projekt që do të parashtrojnë në negociata përfundimtare.
Ata duhet të përcaktojnë caqet minimale dhe maksimale të cilat garantojnë interesat vitale të shtetit të Kosovës, por edhe ato kombëtare. Kjo do ti jepte mundësi fleksibilitetit aq të nevojshëm për ta dalë fitues në betejën e fundme. Kosova duhet të ketë të gatshme antipalnin që zeron prekjen e interesave të shtetit të Kosovës, por edhe bllokimin e post marrëveshjes nga ruset. Ajo duhet të marrë garanci që në rast se Rusia dhe Kina do të vendosin veton ne KS të OKB-së për ulëse ne OKB ka të drejtwn e bashkimit me Shqipërinë.
Ky duhet të jetë kusht që në fillimin e negociatave në betejën vendimtare. Shkurt Kosova do detyrohet të hyjë në betejën vendimtare pa vija të kuqe dhe krahas BE-së si ndërmjetësues dhe lehtësuese e dialogut do të detyrohet të pranojë si faktorë garantues SHBA-në, Rusinë bile edhe Kinën. Udhëheqësit politikë të Kosovës përveç sigurimit të unitetit politik ne Kosovë në çdo hap që do të hedhin duhet ta mbajnë në kontakt Tiranën politike, politikanet kryesor shqiptar te Maqedonisë, sepse zgjidhja e konfliktit serbo-shqiptar pikë së pari është problem kombëtar dhe pastaj problem i shtetit të Kosovës.
Shteti i Kosovës dhe e ardhmja e tij kanë qenë dhe mbeten interes jetik i shtetit shqiptar. Çdo përpjekje paternalizmi nga palët apo edhe shpërfillje ka efekte negative dhe me pasoja të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptareve në këtë nënqiell të botës që tashmë rëndom thirret Ballkani Perëndimor.
Por para se gjithash e mbi të gjitha deri ne hartimin e platformës dhe krijimin të unitetit të brendshëm, Kosova duhet të blejë kohë për ta vënë në kushte me të favorshme pozicionin e saj. Si fillim ajo duhet të zgjidhi problemin e legjimitetit politik me përfaqësuesit e saj në dialog. Që do të thotë të shkojë në zgjedhje politike në rastin më të largët në pranverën e hershme të vitit që vjen. Qeveria është në minorancë dhe mbahet ne këmbë me mbështetjen e pakicës serbe.
Presidenti Thaçi nuk ka ligjimitet të plotë të përfaqësojë Kosovën pavarësisht se është i dëshiruar nga perëndimoret dhe Serbia për shume arsye.
Ai duhet të verifikojë mbështetjen politike nëpërmjet partive politike që mbështesin konceptet e tij mbi dialogun. Nëse nuk siguron mbështetje të shumicës të shqiptarëve atëherë kryesimi i grupit të unitetit duhet të kalojë të kryeministri i Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet politike. Zgjedhjet politike do ti jepnin jo vetëm legjimitetin lidershpit politik që do dilte nga ky proces por do të ishin edhe një lloj referendumi për pikëpamjet e ndryshme që ka ne Kosovë por edhe në Shqipëri në lidhje me negociatat.
Pos kësaj Kosova duhet të hartojë plan gjeneral me grup pune politik, institucional, profesional dhe shoqërinë civile si dhe paralel të sigurojnë unitet politik të brendshëm dhe kombëtar për strategjinë dhe veprimin ne negociata para shkuarjes në dialogun përfundimtar. Sikundër gjatë kësaj kohe diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të orvaten të bëjnë maksimumin e mundshëm për të kthyer vëmendjen e aleatëve dhe sponsorëve të pavarësisë së Kosovës në nivelin e dëshiruar.
Si përfundim është koha që politika e Kosovës të blejë kohë (pa kundërshtuar dhe ndërprere dialogun) për të krijuar shanse të plota për të dalë fitues në betejën vendimtare me Serbinë. Futja me nguti, pa plan, pa unitet dhe pa legjimitet të fortë politik do të vente në dyshim të plotë rezultatin përfundimtar të kësaj beteje paqësore por e nxehtë sa ajo ushtarake. Një gjë dihet: Në zhvillimin e betejave vendimtare nuk ka rremi, ka vetëm humbës dhe fitues. Kjo është arsyeja kryesore pse situata është kritike dhe e vështirë sepse një marrëveshje përfundimtare prodhon rezultate të pariparueshme, së paku për një shekull.
Tiranë, më 05.08.2018