Shqipëria ka numrin më të ulët të të shkolluarve me arsim të lartë në grupmoshën 30-34 vjeç në rajonin e Ballkanit. Kjo moshë cilësohet më produktivja ose periudha e artë për nga energjitë dhe përvojën e krijuar për tregun e punës.
Sipas Eurostat, Shqipëria ka të shkolluar me arsim të lartë vetëm 16.8% të grupmoshës 30-34 vjeç, niveli më i ulët në Rajon.
Përqindjen më të lartë te të arsimuarve në këtë grupmoshë e ka Mali i Zi me 31%, më pas vjen Serbia me 27.2%, Maqedonia me 24.9%, Turqia me 23.5% dhe Bosnja me 17.2%. Të dhënat për Shqipërinë i përkasin vitit 2015.
Për rrjedhojë forca e punës në Shqipëri (popullsia në moshën 15-64 vjeç) është relativisht pak e arsimuar në krahasim me rajonin dhe vende të tjera në zhvillim dhe shumë më pak e arsimuar në raport me mesataren e Bashkimit Europian.
Duke analizuar indikatorët e zhvillimit botëror, të azhurnuar nga Banka Botërore, rezulton se Shqipëria ka rreth 50% të forcës së punës me arsim 8-vjeçar, teksa në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, forca e punës dominohet nga niveli i mesëm dhe i lartë i arsimit.
Nga ana tjetër, sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, forca e punës në Shqipëri ka hyrë në fazën e një tranzicioni të thellë, për shkak të plakjes së popullsisë prej emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve.
Por pavarësisht kësaj situate, familjet shqiptare shpenzojnë shumë për t’u arsimuar në raport me vendet e tjera.
Shpenzimet për arsim, të cilat zënë 4,4% të buxhetit të familjeve gjithsej, kanë shënuar rritje prej 2,3 pikë përqindje krahasuar me 2015. Pesha e shpenzimeve për arsimin shënoi rekord më 2016 në krahasim me 1.7% që ishte një dekadë më parë.
GRAFIKU: Përqindja e të shkolluarve me arsim të lartë