“Lufta e klasave”

Nga Ilir KADIA – Tiranë

Po hanim bukë me gjalp e reçel e një gotë qumësht,e po na shijonte aq shume se gruaja s’po më jepte asnjë këshillë si të haja, kur një grenzë vjen e ulet mbi reçel.
-Vrite!Vrite!- ulëriu gruaja. Është ajo!
Unë se mblodha një çast veten. Kujtova për “ajo” atë që të gjitha gratë e botës mendojnë se do ti rrëmbejë burrin!
-Kush “ajo” moj grua?
-Ajo që më pickoi dje mua! Kaq shpejt harrove si ma hoqe thumbin e saj me unazën e florinjtë që të kam dhuruar unë?! Dhe më pickoi pas shpine si Judë! Vrite,vrite po të them!
Une u mundova ti bëj bisht urdhrit me aresyetim.
-O grua! Kjo grenzë nuk është “ajo” që të pickoi ty. Kjo është maksimumi e motra.Ose kushërira e parë! A ndoshta e dyta…a ndoshta fqinjë me të a shoqe bange në gjimnaz! Është krejtësisht e pafajshme! Nuk mundem ta vras, më kupton!
-Nuk pa më bind!-tha gruaja.Kjo është ideologji! Me shkencë më bind dot?!
-Po, i thashë.Ndryshe nga njerëzit, që kur i derdhin helm në vesh me gjuhë tjetrit mburren gjitheandej, grenzat, kur derdhin helmin e humbin thumbin, shkojnë në det a liqen e…ngordhin!
-Pra sipas teje janë njerëzit që mbajnë gjallë luftën e klasave?!-më pyeti gruaja akoma dyshuese.
-Po kush,grenzat?!-ju përgjigja duke e nxjerrë me kujdes grenzën me krahë të ngjitur trupit nga reçeli i ëmbël i qershive që shkuan.