Lirikë për Pejën nga Namik Selmani – Amerikë
Mes një lumi Grykës së Pejës, vrik po bëhem lodërtar
E po marr një Valle Shpatash, sikur qiellin e bëj zjarr.
E po loz me ortek bore, si të isha kreshnik përralle
Në pasaqyrë ku më sheh bjeshka e hedh thesin plot me halle
Këmbëzbathur shkoj mes Grykës , bëhem mik –o me shqiponja
A mos vallë këtu nis bota, po ma thoka sot Rugova?!!
Me shkronjshqipen po bëj besën, gjunjët ul në një oxhak
Kur nis këngë majekrahu, mos më fol se jam i marrë!
Oh, ç’na qenkë Zanë Kosove, o kurorë bukurie
Ç’do të ish kjo Botë e Madhe, pa Rugovën dritë e hire???
Nëpër odat e kuvendit po prek djepin ku flen foshnja
Ma ndritoka fjalën Peja, ma shtron çajin nëpër sofra.
Këtu zgjoj gjithë dashuritë, nëpër kullat me tymtarë
Një duhan e ndërroj me Bacën edhe zemra e bëj stërrall.
Përmes shendit shkoj mes Grykës, sjell ulli prej Çamërie
Zgjohu poet, bre, zgjohu nga ëndrra, je mes Pejës dritëmagjie!
Po shtrëngoj një bastun lisi, shkoj i heshtur nëpër varre
E zgjoj thellë amanetet nëpër kullat flamurtare
Nëpër Pejën dritëlivadhi në çdo hap marr hije princi
Përmbi flokun thinjëbardhë sypërlotur ujdis plisin.
Bëhem krushk që mbaj bajrakun e përqafem me mentarë
Vargu bëhet frymë për lule, hapi bëhet trok e zjarr.
Me kalë shale shkoj në Bogë, ndalem tej, në Gur të Kuq
Përmbi pishat qerpikblerta degë më degë vë një flamur.
Nëpër dasma ha pak fli, bëhem Det i Mirësisë
Po gazmendem me thëllëza cep më cep mes kaltërsisë
Me një kupë Birrë Peje më pret miku në një prag
Ç’ma trazove gjumin, moj, ç’ma trazove këtë varg!!
Zot i madh që ke bërë botën, sytë e bukur mos m’i merr !!
Se për herë të fundit, do të shoh një lumë në Pejë!!