Pritje pa fund! Shumë vetë nga vendet e Ballkanit që duan të punojnë në Gjermani duhet të kalisin durimin derisa të marrin vizën e punës. Ekspertja, Carola Burkert thekson, se ambasadat gjermane ishin të papërgatitura.
Deutsche Welle: Në nëntor 2015, qeveria gjermane miratoi “Rregulloren e Ballkanit Perëndimor” – kush kishte ofertë pune mund të vinte në Gjermani me vizë pune, por shumë vetë ankohen ndërkohë për kohën e gjatë të pritjes për vizë – dështon ëndrra e Gjermanisë për shkak të burokracisë?
Carola Burkert: Që nuk fillohet puna kaq shpejt në Gjermani, ka të bëjë edhe me burokracinë, por kjo nuk është arsyeja e vetme. Ajo që vemë re nga përgjigjet zyrtare të qeverisë gjermane është se në sektorët e vizave, ka kohë shumë të gjata pritjeje, duke filluar që nga kërkesa për orar deri tek data kur mund të paraqesësh kërkesën.
Çfarë vendesh do të veçonit?
Ajo që bie në sy më shumë është Prishtina, me më shumë se një vit kohë pritjeje, Sarajeva me më shumë se një vit, Beogradi 7 muaj, Tirana 6 muaj, kjo ka qenë gjendja në shkurt të 2018-s, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar këto afate pritjeje u shtuan. Por nuk duhet të llogarisni vetëm këtë kohë. Por edhe kohën e përpunimit të dokumenteve, pra qëkur si person kam bërë kërkesën për vizë e deri kur ajo miratohet kalon po ashtu mjaft kohë. Për këtë ne nuk kemi të dhëna, vetëm hamendësimin se me një orar kjo çështje nuk përmbyllet. Pra nuk e dimë saktë, se sa kohë kalon nga momenti, po, kam ofertë për punë deri në ditën kur e kam vizën në dorë.
Mund të thuhet se barriera për migrimin për punë nga Ballkani ra vetëm politikisht, por në ambasadat e Ballkanit sundon një realitet tjetër…
Kur u vendos rregullorja, në fund të fundit ajo ishte një këmbim, punë në vend të azilit, sepse u rritën shumë kërkesat për azil. Ideja në Këshillin Federal Gjerman, migrim për punë në Gjermani ishte një risi në politikën gjermane të migracionit, pra që të ardhurit për të imigruar në Gjermani kishin nevojë vetëm për një ofertë pune. Kjo ishte rregulluar gjithmonë përmes kualifikimit. Por ajo që nuk u mendua ishte rritja e menjëhershme e kërkesave për punë. Nga nëntori i vitit 2015 deri në fund të vitit 2017 u dhanë 120.000 miratime provizore paraprake nga Agjencia e Punës. Sektorët e vizave u përmbytën le të themi. Mendoj se si nga ana e personelit edhe kapacitetet e tjera ambasadat nuk ishin të përgatitura për këtë. Kapacitetet e personelit nuk mjaftojnë. As rritja maksimale që thotë qeveria gjermane në përgjigjet zyrtare nuk e zbut gjendjen.
Në këtë kohë kaq të gjatë pritjeje punëdhënësi mund ta tërheqë ofertën, a keni të dhëna për këtë?
Nuk kemi të dhëna se sa punëdhënës e tërheqin ofertën, për shkak se nuk merret viza, por kjo ndodh, sepse kur punëdhënësi ju kërkon juve tani, për këtë moment, dhe ju nuk mundeni të vini, se nuk keni vizë, atëherë bie oferta dikur, unë si punëdhënës kërkoj një zgjidhje tjetër. Bie edhe miratimi provizor paraprak i Agjencisë së Punës që jepet për gjashtë muaj, sepse koha, siç e thashë për vizën është shumë më e gjatë.
Çfarë janë këto miratime provizore paraprake?
Miratimet provizore paraprake jepeshin deri më 1 nëntor 2017, e këto tregonin realisht se sa e madhe ishte kërkesa për punë nga Ballkani. Kur si punëtor nga vendet e Ballkanit një person kishte një ofertë pune, punëdhënësi, para se ti të kërkoje vizën, shkonte tek Agjencia e Punës dhe merrte një miratim, pra a është në rregull kjo ofertë, nuk ka të preferuar tjetër që e bën këtë punë (ligji që mbron gjermanët nga punëmarrësit e vendeve të treta. shën red.), po ashtu kontrata e punës plotëson kriteret. Me këtë miratim shkoje dhe kërkoje vizë tek ambasada.
Por tani ka një ndryshim në procedurat e marrjes së këtij miratimi provizor. Ku konsiston ky ndryshim?
Ka një kthesë në këtë pikë. Tani kur ju keni një ofertë pune, hapi i dytë që bëni është të shkoni dhe aplikoni për vizë, për kujtesë, ke kohë pritjeje për dorëzimin e dokumenteve, kohë të përpunimit të dokumenteve e të tjera. E tanimë është sektori i vizës që e merr miratimin provizor për ju tek Agjencia e Punës përmes një procedure të brendshme mes autoriteteve.
Ky ndryshim u bë për të lehtësuar rregulloret e për të shkurtuar kohën?
Zyrtarisht arsyetimi ishte se skadojnë shumë miratime provizore paraprake, sepse Agjencia e Punës jep miratime që në fund nuk konkludojnë me vizë, sepse sektorët e vizave nuk arrijnë dot t’u bien pas kërkesave të shumta. Miratimi duhej të lëshohej sërish, pra kishte shumë burokraci për Agjencinë e Punës. Nga aspekti studimor, ne e kritikojmë këtë, sepse mungon transparenca. Ne nuk e dimë më tani se sa njerëz e marrin këtë miratim, dhe vetëm ata që kalojnë vrimën e gjilpërës, sektorin e vizës, mund të shpresojnë për një miratim (nga Agjencia e Punës, shën.red.) Nuk shohim më sa kërkesa ka.
E shikoni problematikën vetëm tek sektori i vizave?
Nuk janë problem vetëm sektorët e vizave, ne dimë pak për to, dhe shifra disponojmë pak, por dimë për problemet që kanë ato me mungesë personeli, që ndërtesat janë shfrytëzuar maksimalisht dhe janë në plan shtesa. Por duhet thënë se ka edhe vonesa për probleme dokumentesh, certifikata lindjeje, certifikata të vërtetuara të profesionit, kur kërkohet një profesion me specializim dhe diploma e barasvlefshme, derisa të merren të gjitha këto, kalon kohë, edhe kjo është po ashtu arsye për vonesat.
Çfarë mund t’u këshilloni aplikuesve?
Përgatituni që më parë sa më mirë të jetë e mundur, pra ajo që kërkohet nga ju të sillet në formën më korrekte të mundshme.
A mund të ndihmojë punëdhënësi i ri në këtë proces?
Nuk kemi të dhëna studimore për këtë, por nga ajo çfarë kam ndjekur, punëdhënësit thonë, se nuk është e mundur që për shkak të kësaj vrime gjilpëre, sektor vize të mos marrim fuqinë punëtore, për të cilën kemi nevojë. Dua të përmend edhe se sektorët e vizave me gjasë ndjekin prioritetet e tyre në dhënien e vizave, ka forma të ndryshme të migrimit për punë, ka tërheqje të familjes, dhe unë kur kam vetëm burime të caktuara, duhet të seleksionoj. Prandaj vizat nuk janë njësoj viza. Ky mund të jetë edhe një shpjegim pse ka kohë të tejzgjatura të procedurës për viza. Kështu nëse pyesni si drejtohet migrimi për punë, në fund të fundit ai komandohet përmes politikës së vizave. (Lindita Arapi. D.W.)
Dr. Carola Burkert, sociologe, është eksperte për migrimin në Institutin Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimin e Profesionit, (IAB)në Nuremberg.