Nesër do të bëhet caktimi i masës së sigurisë për 23 të ndaluarit për protestën e 31 marsit në Rrugën e Kombit.
Por, nisur nga fakti që kjo protestë dhë përshkallëzimi I saj në dhunë erdhi si pasojë e një vendimi arrogant, arbitrar dhe korruptiv të Kryeministrit Rama, për caktimin e një taksë të papërballueshme për kalimin në Rrugën e Kombit, pa u konsultuar fare me banorët e Kukësit, Hasit e Tropojës, me shoqërinë civile, grupet e interesit, as me qeverinë e Kosovës;
duke qenë së Kryeministri i vendit i paragjykoi protestuesit si vandalë dhe, mbi këtë bazë, urdhëroi policinë të ushtrojë dhunë e terror shtetëror mbi ta;
duke marrë parasysh se taksa kundër së cilës u ngritën protestuesit nuk ka logjikë ekonomike dhe, si e tillë, jo vetëm godet rëndë xhepat e shqiptarëve, por edhe krijon probleme politike, largvajtëse, si përçarja dhe ndarja artificiale midis Shqipërisë dhe Kosovës;
duke marrë në kosideratë faktorët e mësipërm: që shkaktar i vërtetë dhe ushtrues i drejtpërdrejtë i dhunës është vetë Kryeministri Rama; që po ai, me veprimet e tij të papërgjegjshme rezulton të jetë shkaktari kryesor i përçarjes kombëtare;
I sugjeroj gjykatës që të caktojë masën e sigurisë, burg pa afat, për Kryeministrin e Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama.
Kur ndaj vendimeve arbitrare të qeverisë ngrihet një popull i tërë, në të dy anët e kufirit, siç po ndodh tani me taksën në Rrugën e Kombit, duhet ndërruar jo populli, por qeveria.
3 prill 2018
Dr. Islam LAUKA