Arkivoli me trupin e tij është vendosur në parlamentin e Kosovës ku u mbajt mbledhje përkujtimore dhe u vlerësua lart vepra dhe personaliteti i zotit Demaçi.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se i gjithë kombi shqiptar është i pikëlluar për humbjen e njërit prej njerëzve të mëdhenj që ka dhënë kjo tokë në 100 vjetët e fundit.
“Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Heroin dhe frymëzimin tonë. Dhimbja është e pafund. Por, po aq e pafund edhe krenaria që e patëm këtë burrë të madh, të rrallë e të jashtëzakonshëm të kombit. Një patriot të pashoq”, theksoi ai.
I lindur ne vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe i kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë.
Adem Demaçi u burgos herën e parë në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri për dhjetë vjet nga viti 1964 deri më 1974 dhe më pas qëndroi në burg për 15 vjet të tjera nga vitit 1975 deri më 1990. Për këtë ai shpesh cilësohej si Nelson Mandela i Kosovës.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës Zëri në Prishtinë.
Më pas për një periudhë drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.
Zoti Demaçi drejtoi për një periudhe edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Autor i disa librave, njëra prej të cilave “Gjarpijt e Gjakut” ishte i ndaluar nga regjimi jugosllav.
Zoti Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.