Nga Afrim KRASNIQI – politolog
Zëra “pro” e zëra “kundër” teatrit? Ca që e duan siç është e të restauruar (ku hyj edhe unë), ca që e duan të ri e më modern aty ku është, ca që e duan pjesë të kompleksit të kullave të një klienti të politikës, ca që nuk duan as teatër të ri dhe as restaurim por kulla e vetëm kulla? Po, të gjithë kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre, ta thonë mendimin e tyre dhe ta mbrojnë mendimin e tyre. Sondazhi i vetëm mbi këtë çështje ka treguar se 50% janë pro dhe 50% janë kundër dhe kjo është mrekulli e demokracisë. Larg qoftë nëse të gjithë mendojmë njësoj. Larg qoftë nëse të gjithë mendojmë si partia në mazhorancë apo ajo në opozitë. Larg qoftë nëse secili nga ne refuzon të dëgjojë argumentet e tjetrit, edhe kur nuk është dakord me to. A ka spekulime dhe lojëra politike? Po, natyrisht. Kur nuk ka pasur. Gjithnjë partitë kanë pushtetin dhe forcën të gjejnë mbështetës pro kundër kritikëve të tyre, sidomos kur janë në pushtet. Gjithnjë biznesmenët paguajnë media apo individë për ti mbështetur, sidomos kur kanë fitime milionash në projekt. Ky nuk është thelbi i problemit dhe as duhet të jetë thelbi i debatit. Cilido që refuzon apriori mendimin e tjetrit, nuk e dëgjon dhe nuk e respekton atë nuk bën asgjë më shumë sesa agjitatorët fanatikë të viteve ’60 në kohën e revolucionit kulturor.
Jo miq. Robert Ndrenika dhe Roza Anagnosti, Maks Velo apo Pëllumb Kulla (ndjesë atyre që po i citoj nominalisht) ashtu si dhjetëra emra të tjetër të respektuar pro e kundër një ideje, – kanë po aq të drejtë sa secili prej nesh të shprehen dhe ne kemi detyrimin ti dëgjojmë dhe ti respektojmë. Secili prej tyre ka emër, ka përvojë, ka një jetë punë dhe ka trashëgimi profesionale, të cilat as nuk u shtohen dhe as nuk u cenohet nga debati veror për teatrin. Ata janë në të drejtën e tyre kushtetuese, ligjore, profesionale, demokratike dhe morale të shprehen dhe të mbrojnë idetë e tyre, madje edhe t’i ndryshojnë idetë e tyre, madje edhe të refuzojnë të shprehen, madje moralisht kanë shumë më të drejtë sesa shumica e politikanëve të korruptuar të tranzicionit dhe shumica e atyre që nuk kanë bërë pothuajse asgjë në jetën e tyre profesionale e publike përveçse u janë bashkuar turmave partiake dhe fletërrufeve kundër mendimit ndryshe. Ndaj le të mësojmë të mendojmë përpara se të flasim dhe jo e anasjelltë, siç po ndodh rëndom këto ditë.
Problemi tani është ligjor dhe politik. Nga jashtë, Bashkimi Evropian ka një dosje të pasur, e cila pritet të marrë vlerësimin juridik nga strukturat ligjore në Bruksel, nëse kemi shkelje të parimeve ligjore dhe të normave të BE të detyrueshme për Shqipërinë. Nga brenda, Presidenti duhet të shprehet dhe ka të gjitha arsyet të ketë një vlerësim ligjor e kushtetues mbi ligjin. Ia kanë kërkuar një pjesë kritike, ia ka kërkuar partia e tij, familja e tij, bashkitë e tij. Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të shprehet sepse ka detyrimin ligjor. Më pas, secili institucion e grup social mund ti adresohet në çdo rast gjykatës administrative apo Kushtetuese, pavarësisht se kjo e fundit nuk ka ende anëtarësi vendimmarrëse. Njëherësh qytetarët e Tiranës mund t’i adresohen KQZ të kërkojnë firma për referendum lokal, ashtu siç disa mekanizma të tjerë institucionalë e ligjorë, mund të përdorën (ende nuk janë përdorur). Në fund, kjo është një çështje demokracie. Nëse dikush imponon interesin personal duke injoruar publiken, – meriton votë kundër, meriton protestë, meriton reagim demokratik kundër.
Le të mos harrojmë se çdo ditë dhe prej shumë vitesh, çdo qeveri e politikan i korruptuar ka “prishur nga një teatër” dhe vepër historike në Shqipëri. Vendin e kinemave, muzeve, lulishteve, fushave të sportit, etj, e kanë zënë kulla, beton, pallate dhe krijesa të ngjashme të oligarkëve të tranzicionit të lidhur me ata që na sundojnë dhe fëmijët apo familjarët e tyre. Për herë të parë ka reagim dhe kjo është pozitive, është shpresë se koha e arrogancës korruptive po fillon tatëpjetën. Dhe ky është lajm i mirë për të gjithë, ata që janë pro, ata që janë kundër, ata që nuk kanë mendim apo që kanë mendim shumë më të ndryshëm nga secili prej nesh.