Njeriu me varkën e Noes në shpindë

Nga Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh

Mespërmes i bie shkretëtirës
Me një varkë në shpindë,beduini i etjes,
Do të vijë lumi një ditë,thotë,
Shirat do të vijnë,
40 ditë e 40 netë,si atëherë,
Si atëherë,në librin e Shenjtëve

Edhe njeriu tjetër,vëlla i gurit
Në majëmale ku deti s’është ngjitur kurrë,
Në çdo lis,një varkë Noeje sheh

Natën fle në varkë
E ditën e mban në shpindë

Do vijnë shirat,si atëbotë,thotë,
E deti do mbërrijë te retë,
Nga mallkimi i dytë,është e shkruar në drurë !

Varka ka sa të duash,
Po Noe,a do të ketë më
O udhëtar i përjetshëm me varkë në shpindë ?!…