PUSHTETI ABSOLUT KORRUPTON ABSOLUTISHT!

Nga Frank Shkreli

“Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij. Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegja dhe përgjegjësia morale tij ndaj të tjerëve. Ndërsa në shekullin e kaluar, ish Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjërësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, por edhe të një shteti. Ai citohet të ketë thënë se “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke e konsideruar veten si të gjithëfuqishëm ose të gjithëpushtetshëm.”

Shembuj të ushtrimit të pushtetit absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, duke filluar nga ditët e sotëme, historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar e deri thellë në histori duke filluar me shembuj si perandori Napoleon Bonaparti e deri në kohën kur perandorët romakët e konsideronin veten si zotër të universit të tyre. Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është një siguri më e mirë dhe më e madhe të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua (me fjalë tjera t’i bindësh ata), se sa të kesh edhe një nëndetse tjetër”, duke shtuar se, madje edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, ç’do të thotë dhe çfarë kuptimi ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotëme, pa marrë parasyshë se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar flasim. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë karahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” të shekullit të kaluar. Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe flasin për të ashtuquajturën “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend, por le ti këthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, për aktualitetin e sotëm politik. Sipas përcaktimit të definacionit të frazës do të thotë se pushteti e korrupton njeriun, pakëson vlerat morale të një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij. Ashtu si edhe në shekullin e 18-të, kjo frazë do të thotë gjithashtu se ata që janë në pushtet, shpeshëherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendëruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë me pushtetin në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike, ose rrethit të tyre të ngusht.

Prandaj nëqoftse ndiqet kjo logjikë, sipas disa eskpertëve, arrijmë në përfundimin se individët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre. Përfundimi, prandaj është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, aq më shumë zhduken vlerat e tija morale, si njeri dhe si pushtetar. Kulti i personit, quhej në regjimet komuniste!

Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim të bashkpunojë me ta — përfshirë pakicën politike — për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nepërmjet proceseve ligjore, politike dhe përfaqsuese të një vendi. Por, fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave ose zotësive të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejëtësi – janë sipas ekspertëve – arsyetë kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për sjelljet arrogante të shumicës. Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigur. Se, mungesa e dialogut dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, si dhe mos ndëshkimi i të korruptuarve po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndërrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”. Por cilat do qofshin arsyet: pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqsisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre pothuaj 30-vjet post-komunizëm, për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin në veçanti, por edhe me të tjerët përtej kufijve, në përgjithsi, në kuadër të integrimeve euro-atlantike. Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta dhe qëtë jenë larg botës së qytetëruar. Sot, fatkeqsisht, shqiptarët po e bëjnë këtë vet, pa ndihmën e të huajve.

Si kurrë më parë, fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Sidomos në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe, nepërmjet dialogut kombëtar, të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, t’u tregojnë, “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë vetë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, që kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vërtetën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera”, ka shkruar ai.

Kjo është mënyra më e mirë që të minimizohen dëmet që vijnë, për mbarë shoqërinë, nga të gjithë pushtetarët absolutë të korruptuar dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – të gjithë duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen bazuar në disa standarde morale themelore universale për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve. Ushtrimi i pushtetit absolut pra, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar, dialogut, i mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe për shoqërinë në përgjithësi.