Nga Bedri Tahiri – Kosovë
Puna e varreve të njerëzve të mëdhenj është histori në vete. Atyre sikur u mungojnë ato vende ku duhej tu pushonin eshtrat të qetë. Kështu ngjau me kryeheroin tonë, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, me Milosh Nikollë Kopiliqin, me at Gjergj Fishtën, me Ahmet Delinë, me Shaqir Smakën etj. Kështu qëndron puna edhe me trimin e Pemishtës, me Oso Kukën e Drenicës, me të pavdekshmin Kamer Sejdi Loshi!
Dhe, kërshëria e të gjallëve të tyre nuk shuhet e nuk pushon pa e gjetur atë vend prehjeje të eshtrave të atyre që me gjak mbëltuan Lirinë. Ata vazhdimisht janë në kërkim të atij varri të shenjtë. Edhe unë u bëra pjesë e atij kërkimi, prej se po merrem me hartimin e librit “Kamer e Murat Loshi”
Kështu, më 20 korrik 2018 caktuam një takim në Pemishtë me hoxhën përparimtar, me Sadri Bardh Loshin (1934), i cili aktualisht jeton në Francë, por kishte ardhur në pushime dhe për përurimin e Lapidarit kushtuar Kamer e Murat Loshit, që u bë më 14 korrik 2018.
Si zakonisht, koordinatorë të këtyre takimeve janë të palodhshmit, Imer Loshi e Driton Loshi. Konaku i Driton Loshit mbushet saora. Aty mbërrin personazhi kryesor i kësaj dite, Sadri Bardh Loshi, Isuf Loshi, Istref Loshi, Musë Loshi e shumë të rinj që dëgjojnë me kureshtje kuvendimet tona për të parët e tyre…
Nisur nga kjo, edhe ne, pasi, për momentin shteruam bisedën dhe muhabetin në Pemishtë, ia mësymë Belicës. Delegacioni: Unë (Bedri Tahiri), hoxhë Sadri Bardh Loshi, Isuf Loshi, Imer Loshi, Driton Loshi dhe një djalosh i Loshëve që nuk ia harrova emrin.
Deri të Kisha e Belicës, një kishë e vjetër shqiptare ortodokse, e kthyer dhe adaptuar më vonë në kishë sllave serbe, shkuam me veturë, ndërkaq për tu ngjitur në kodrat e Belicës u dashtë të hipnim në rimorkion e traktorit të Dritonit.
Sakaq, pas disa minutash udhë me traktor, që mezi përballonte përpjetën, arrijmë në truallin e Kolibës së Kamer Loshit. Aty gjetëm themelet e saj, bunarin, Qershinë ku kishte rënë Fazli Çabra, Kodrën ku qe vendosur topi dhe lokacionin ku ishte varrosur Kamer Loshi…
Të gjitha këto, falë hoxhë Sadri Bardh Loshit, i cili, edhe pse në moshë të shtyrë, 84 vjeçar, nuk përtoj fare të gjurmonte bashkë me ne.
Të lumtë, hoxhë Sadri Bardh Loshi!