KLSH prezanton në Kuvend në seancë plenare Raportin e Performancës 2017

19.07.2018

Në seancën plenare të dt. 19.07.2018, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, raportoi përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë mbi performancën institucionale të institucionit që ai drejton për vitin 2017.

Në fjalën e tij, z. Leskaj u ndal në zhvillimin strategjik të institucionit për periudhën 2012-2017, matjen e performancës sipas kuadrit të ri metodologjik të rekomanduar nga organizata botërore e institucioneve supreme të auditimit INTOSAI, sikurse edhe në sfidat për të ardhmen. “Filozofia e punës sonë në këto vite ka qenë modernizimi i institucionit në punën audituese, si edhe thellimi i transparencës dhe llogaridhënies për një qeverisje të mirë dhe në luftë kundër korrupsionit për përmirësimin e qeverisjes, duke vepruar me moton “KLSH-shërbestar i qytetarit dhe agjent i Kuvendit”.
Objektivat Strategjikë të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t u integruan në koherencë të plotë në Planin Strategjik, duke u formalizuar në objektivat kryesore:

1.Zhvillimi i kapacitetit institucional të KLSH,
2.Rritja e kapaciteteve audituese dhe e cilësisë së auditimit,
3.Përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës,
4.Zhvillimi dhe konsolidimi i auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe përdorimi i TI në auditim,
5.Rritja e kontributit të KLSH për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit, si dhe
6.Rritja e ndikimit të rolit të KLSH-së përmes komunikimit dhe bashkëpunimit.

Kjo strategji u formulua në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe ishte guri i themelit për ndryshimin që pasoi në të gjitha dimensionet e punës në KLSH, ku më kryesoret përmenden: mandatimi i KLSH-së përmes Ligjit 154/2014 në kryerjen e aktivitetit auditues në linjë me simotrat e veta të zhvilluara, konsolidimi profesional përmes manualeve të auditimit dhe trajnimit të stafit, hapja institucionale përmes botimeve (shkencore dhe në shtypin e përditshëm) dhe komunikimit me palët e interesit, sikurse bashkëpunimet me SAI-et e huaja në përputhje me moton tonë ndërkombëtare: “Eksperienca e përbashkët iu shërben të gjithëve”.

6 fushat ku u shtri matja e performancës për vitin 2017 ishin:

1.Pavarësia dhe korniza ligjore;
2.Qeverisja e brendshme dhe etika;
3.Cilësia e auditimit dhe raportimi;
4.Menaxhimi financiar, asetet dhe strukturat mbështetëse;
5.Burimet Njerëzore dhe Trajnimi;
6.Komunikimi dhe menaxhimi i palëve të interesit.

Treguesit e agreguar dëshmojnë se KLSH, për vitin 2017 ka një perfomancë mbi nivelin mesatar. Konkretisht për tre nga 6 fusha vlerësimi, përkatësisht fushat 3, 4 dhe 5 merr vlerësimin 4 (nga 4) dhe për 3 fushat e tjera vlerësimin 3 (nga 4).

Kontrolli i Lartë i Shtetit, për periudhën Janar – Dhjetor 2017, ka kryer 156 auditime nga 154 auditime të planifikuara, nga të cilat:

-92 auditime rregullshmërie;
-25 auditime përputhshmërie;
-14 auditime financiare;
-15 auditime performance;
-5 auditime tematike;
-5 auditime të T.I.

Institucioni ka arritur të konsolidojë një nivel “dysheme” auditimesh, për të siguruar mbulueshmërinë e duhur me auditim në fushat kryesore të shpenzimeve publike dhe të gjenerimit të të ardhurave, prag nën të cilin nuk ka rënë asnjëherë në këto 6 vitet e fundit.

Nga auditimet e kryera në vitin 2017, KLSH ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të ulta dhe inefiçiencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke krijuar risqe për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore. Vijojnë praktikat dhe vendim-marrjet institucionale me efekte negative në fondet publike, ku niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive të konstatuara është:

-Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
-Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e fondeve publike të shpenzuara nga subjektet e audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë ose afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave ose afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë ose afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.
Dëmi i konstatuar është në një trend rritës në vitet e fundit.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari Leskaj theksoi se”Objektivat tona prioritare për të ardhmen u integruan në Strategjinë e Zhvillimit të KLSH 2018-2022 në tre drejtime themelore:

1.Rritja e impaktit të punës audituese me fokus në 6E-të (ekonomicitet, eficiensë, efektivitet, energji, etikë dhe environment (mjedis);
2.Optimizimi i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse.
3.Vazhdim i përmirësimit të kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit me partnerët dhe palët e interesit.

Në formulimin e këtyre objektivave, motoja apo qëllimi parësor, është: “Rritja e KLSH në dobi të qytetarit”, duke qenë të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri me të gjithë partnerët tanë strategjikë, sipas motos së Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t në dhjetor 2016.

Në vijim, Kuvendi miratoi Rezolutën për aktivitetin e KLSH-së, duke dhënë rekomandime të vlefshme për përmirësimin e ardhshëm të punës se institucionit suprem të auditimit.