Urim Familjes Biberaj për themelimin e Fondit në shkollimin e të rinjve nga Ballkani në SHBA

Nga Harry BAJRAKTARI

Familjes Biberaj dhe Elez Biberajt me vëllezër që para dy ditësh themeluan Fondin “BIBERAJ” me vlerë prej 2.5 milionë dollarësh bashkë-financim për programin e studimeve të Gradës Master për të gjithë ata të rinj shqiptarë që vijnë nga Ballkani, e do të jenë pjesë e këtij projekti për të studijuar në SHBA, i uroj shumë suksese dhe punë të mbarë. Kjo familje këtë fondacion, e krijoi me rastin e 50 vjetorit të ardhjes së saj në SHBA.
Familja Biberaj, si shumë familje të tjera nacionaliste, ishte ndjekur nga regjimi i atëhershëm komunist që sundonte në Shqipëri. Me punë dhe shkollim në SHBA, kjo për 50 vjet, arriti të kontribuojë për çështjen kombëtare, për lirinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë, duke ndihmuar dhe mbështetur progresin e shqiptarëve në Ballkan.
Elez Biberaj, si udhëheqës i Zërit të Amerikës (VOA) në gjuhën shqipe, me dekada të tëra ka mbështetur dhe ka afirmuar proceset pozitive të shqiptarëve në Ballkan, dhe ishte zë i fuqishëm kundër diktaturës komuniste në Shqipëri, duke qenë gjithashtu zë i pandalshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtat kombëtare në viset tjera shqiptare.

Edhe sot familja Biberaj në forma të ndryshme pa u ndalur po kontribuon për atdheun. Kjo më së miri shihet edhe formimi i këtij fondi për shkollim e të rinjve tanë.

Edhe një herë urime dhe sukses, familjes Biberaj!

Harry Bajraktari