Në një konferencë shtypi javën e kaluar ambasadori i Uashingtonit në Moskë u përpoq të shpjegojë pritshmëritë nga takimi javën e ardhëshme në Helsinki mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin.
I pyetur nëse pret ndonjë marrëveshje konkrete nga ky samit, Jon Huntsman tha, se “Mendoj se fakti që ne kemi një samit në këtë nivel, në këtë kohë në histori, është një arritje në vetvete”. Ai pastaj përmendi takimin e fundit midis Trump dhe Kim Jong Un të Koresë së Veriut në Singapor, si një model i mundshëm për bisedimet e ardhshme midis udhëheqësve të SHBA dhe Rusisë. Ndërsa administrata Trump argumenton duke e quajtur takimin Trump-Kim si “ndryshimin në atmosferë” që ka krijuar mundësinë e uljes së tensioneve me Phenianin dhe se ky mund të shihet si sukses, shumë vëzhgues nuk janë dakord me këtë interpetim.
Kriza e krijuar vetë
Ata vërejnë, se vetë Trump, me retorikën e tij luftarake, i ka rritur tensionet me Korenë e Veriut dhe vetëm prej tyre aranzhoi samitin për të shkëputur vëmendjen nga kriza që e shkaktoi ai vetë. Dhe ata gjithashtu argumentojnë, se samiti i shumë bujshëm në fakt solli shumë pak nga sa pritej duke dalë prej tij asgjë më shumë veç një deklarate të paqartë lidhur me qëllimin e administratës së Trump për denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut. Nga ana tjetër që nga ajo ditë Pheniani po i pengon angazhimet e qarta që çojnë në këtë drejtim.
Nisur nga rezultatet e zbehta të këtij takimi dhe sinjalizimit nga administrata Trump, se samiti i Singapurit mund të shërbejë si një model për takimin e Putinit dhe Trumpit në Helsinki, me pretendimin si një takim i një profili shumë të lartë, Christine Wormuth, ish nën-sekretare e politikës së mbrojtjes për presidentin Barak Obama vlerëson: “Unë mendoj se nuk mund të priten rezultate konkrete nga një takim i tillë veç vet takimit.”
Por për shkak se samiti Trump-Putin has edhe në pengesa më të mëdha – disa të krijuara prej vetë Trumpit – se sa takimi i tij me liderin e Koresë së Veriut, progresi apo rezultatet e prekshme mund të jenë edhe më të pakapshme në Helsinki se sa ato në Singapor.
Samiti i acaruar NATO-s
Pengesa më evidente për takimin Trump-Putin është fakti se presidenti i SHBA-së sapo ka dalë nga një samit thellësisht i acaruar i NATO-s, ku ai vazhdimisht sulmoi kundër aleatëve tradicionalë të Amerikës vetëm pak ditë para se të takohet me liderin e Rusisë, të cilin ai e ka lavdëruar vazhdimisht. Kjo i krijon një mjedis të vështirë atij. “Nuk do të jetë favorizuese në këtë drejtim për një takim komod, kur dihet që presidenti Trump dhe presidenti Putin vazhdimisht kanë ankesa të ndërsjellta për vendet e NATO-s për shembull”, thotë Wormuth. “Unë mendoj se koha për mbajtjen e këtij samiti nuk është aspak ideale, veçanërisht duke pasuar menjëherë samitin e NATO-s, që pati një atmosferë mjaft të keqe”.
Por pavarësisht se mund të duket i habitshëm fakti, që një president amerikan mund të ketë një takim më miqësor me liderin e Rusisë se sa me udhëheqësit e aleatëve evropianë të Amerikës, progresi lidhur me problemet e shumta të mprehta midis Moskës dhe Uashingtonit duket i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Problemi kryesor është përzierja e Rusisë në zgjedhjet amerikane, roli i saj në Siri, aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe ndërhyrjet e saj në Ukrainë.
Impulset e Trumpit
Por sigurisht, që impulsi i Trump ndaj të gjitha këtyre çështjeve është arritja e një lloj ujdije me Kremlinin për të stabilizuar lidhje më të mira me vendin dhe personalisht me Putinin. Ky ka qenë njëri prej disa opsioneve qendrore dhe të qëndrueshme të kuadrit të tij politik që nga fillimi i fushatës së tij presidenciale. Dhe kurrë nuk mund të përjashtohet, që Trump – veçanërisht gjatë seancës së Helsinkit, ku ai dhe Putin takohen privatisht vetëm me praninë e përkthyesve – mund të bëjë lëshime të mëdha të tilla siç është p.sh. pranimi i aneksimit të Krimesë nga Kremlini. Kjo është pikërisht ajo së cilës i trëmben më shumë vëzhguesit e Trumpit dhe të Kremlinit në SHBA dhe në Europë.
Por qëkurse Rusia është ndoshta zona e vetme në të cilën Kongresi i kryesuar prej republikanëve e ka marrë seriozisht rolin e vet për të vepruar si një kontroll i administratës, mundësia e Trumpit për të ndryshuar shpejt dhe në mënyrë të njëanshme qëndrimet kryesore të politikës së jashtme të SHBA duket të jetë e kufizuar.
Vështirë për Rusinë
Kjo dëshmohet nga fakti se pavarësisht nga adresimet e përsëritura të presidentit Trump ndaj Putinit, SHBA-ja e ka forcuar angazhimin e saj ushtarak në krahun lindor të NATO-s dhe i ka shtuar sanksionet kundrejt Rusisë.
Gjithashtu ka mbyllur konsullatën e Rusisë në Seattle dhe ka dëbuar 60 diplomatët rusë – më shumë se të gjitha vendet e tjera evropiane së bashku – kjo në sfondin e helmimit të një ish-agjenti rus dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe në fillim të këtij viti.
Duke pasur parasysh se ligjvënësit amerikanë jo vetëm që do t’i kushtojnë vëmendje bisedimeve të Putinit me Trump, por duket se janë të përgatitur që të pengojnë legjislacionin për çdo lëshim konkret që ai mund të jetë i gatshëm të bëjë për çështje të rëndësishme si Krimeja ose Siria, hapësira e veprimit të presidentit në Helsinki duket disi e kufizuar. Ndërkohë që kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht, se Trumpi, i cili shpesh duket të jetë më shumë i interesuar për fasadën e takimeve se sa rezultatet e tyre, në të vërtetë nuk do ta ketë relativisht më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje në Helsinki.
Shtyrje e afatit të traktatit bërthamor New Start
Trump dhe Putin mund të bien dakord për të shtyrë afatin e marrëveshjes New Start për reduktimin në masë të arsenalit strategjik të armëve bërthamore të të dy vendeve. Marrëveshja ka hyrë në fuqi në vitin 2011 dhe përfundon më 2021.
“Prioriteti më i madh mund të jetë trajtimi i kësaj çështjeje dhe shtyrja e afatit të saj edhe me pesë vjet”, thotë Frank von Hippel, një ekspert i sigurisë bërthamore në Universitetin Princeton.
“Traktati New Start siguron transparencë për të dy vendet”, vëren Wormuth. “Nga ulja e numrit të kokave shpërthyese, mjeteve të shpërndarjes si dhe shpenzimeve që rrjedhin prej tyre, mendoj se të dy vendet do të përfitojnë nga zgjatja e afatit.”
Sikurse vuri në dukje para gazetarëve javën e kaluar ambasadori i SHBA-së Huntsman, traktati New Start do të jetë në agjendën e takimit të Helsinkit, pasi “ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm më 5 shkurt, kur të dy vendet SHBA dhe Rusia përcaktuan se do t’i përmbahen qëllimit për të mos mbajtur më shumë se 1.550 raketa strategjike me koka shpërthyese.
Të dy Hippel dhe Wormuth mendojnë, se ujdia për të zgjatur afatin e New Start mund të jetë një lëvizje relativisht e lehtë për Putinin dhe Trumpin. “Unë mendoj, se zgjerimi i New Start është një fushë veprimi më e bindëse, ku mund të ketë progres krahasuar me të tjerat, sepse ajo është vërtetë në interesin e të dy vendeve”, thotë Wormuth.
Dhe ndërsa Putini ka shprehur interes për shtyrjen e afatit të traktatit, Trump në të kaluarën ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me të, duke e damkosur atë si një marrëveshje të keq- negociuar prej administratës Obama. Megjithatë, thotë Hippel, kjo nuk duhet të pengojë arritjen e një marrëveshje që është e dobishme për SHBA-në, Rusinë dhe pjesën tjetër të botës.(Michael Knigge. DW).