Nga Hakik MENA – New York, SHBA
Paska ndrrue jetë nji prej intelektualëve ma zotni të Diasporës Antikomuniste, pinjoll i nji familje me za të Gjinokastrës, ish Kryetari i Vatrës, ing Agim Karagjozi.
Duke qënë se kam pas privilegjin me përfaqsue legalistët për treshtetshin, NY, NJ dhe CT, më ka qëllue me e takue, bisedue, këshillue dhe punue për të paktën nji dekadë me z. Karagjozi, kur ai ishte kryetar i Vatrës dhe ne të tanë këtë kohë tre janë virtytet ma kryesore që kam vu re ke ky fisnik: antikomunizmi, toleranca dhe zotnilleku.
Z. Karagjozi ishte nji njeri mjaft i komunikueshëm dhe me nji edukatë të jashtëzakonshme, virtyte këto që i mundsonin të kishte miq e dashamirë të shumtë e padyshim , ndër ma t’afërmit qëndronin legalistët e në veçanti ato veteranë me të cilët kishte kalue nji jetë të tanë tu luftue për nji Shqipni Etnike. Natyrisht, natyra e tij e çiltër dhe paqësore nuk kishte si mos të krijonte marrëdhënie pothuajse si prind/fëmi me ne të rinjtë.
Kurrë nuk mbaj mend të na ketë mugue në ndonji aktivitet tradicional që ne legalistët zhvillonim.
Ma poshtë për ilustrim po postoj edhe nji pjesë të raportit të gazetarit Beqir Sina të nji prej aktiviteteve tona tradicionale të kremtimit të datave të Prillit, ku z Karagjozi, jo vetëm ka mbajtun fjalim, por na erdhi me nji surprizë. Ma hollësisht lexojeni ma poshtë të ilustrueme me disa foto të aktivitetit :
“Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës” Vatra”, z. Agim Karagjozi,ka përshëndetur në emër të vatranëve dhe i ka uruar legalistët për përkujdesjen që tregojnë respektimin e historisë kombëtare. Në përshëndetjen e tij, ai tregoi se diku kishte qënë pjesë e legalistëve, por kjo, siç tha ai, i takon kohëve të shkuara. Madje kur ishin në mërgim, ai solli shumë kujtime nga aktivitetet që organizoheshin në kampin Santa Fara dhe më pas në Rexhio Emilia, ku ai drejtonte korin, që përcillte këngë patriotike. Në këtë tubim, z. Karagjozi, solli diçka që ai e quajti të veçantë për të përshendetur, poezinë nga tefteri i tij. Në rininë e vet kur ishte veçse 19 vjeç, ai ka shkruar poezi të frymëzuara. Dhe solli aty një poezi për qëndresën nacionaliste në kohëpushtimin e Shqipërisë, ku përmes vargjeve i bën jehonë heroizmit shqiptar për të përballuar këmishzinjtë fashistë.
Më shtatë Prill në Durrës e Vlorë.
Kanë dalë trimat me armë në dorë
Atë ditë ushëtojë kushtrimi.
-Burra e djelma në prita dilni.
Dëgjohet klithma e Bazit të Canit.
-Ndalu këlyshi i italianit.
Jamë shqiptarë besnik e Mbretit
Nuk të lë të zbresësh prej detit
Kapterr Mujo del në ballë
Tokën e të parëve se lëshon gjallë
Hapë gjoksin qëndron si burrë
Me gjakun e zëmërës lanë flamurë.
Me pesë troll nëpër ullinjë
Neshat Kolonja zë pusi
Urdhërin jep të hapet zjarri
Tym e flakë e bënë ushtari.
Në Sarandë atë ditë
Mbledhur janë do petritë
Mos kujto or breshkaxhi
Se zotë do të bëhesh në Shqipëri
Lum e lum nëna shqiptare
Për djemtë që vdekjen se njohin fare,
Djem për nder e për lavdi:
Mbahu krenare Nënë Shqipëri “
I pa harruar qoftë kujtimi i këtij fisniku !
New York, 31 mars 2018