Nga Sejdi Berisha i Pejës
-Tufalakim poetik –
Grimcat e mia poetike…(1)
Ke të drejtë që nuk vjen
Se pritjet u ngjajnë shekujve
E mua dot nuk më takon…
Grimcat e mia poetike…(2)
Shko tek ai kroi i akullt
Aty diku
Një copë letër është gurëzuar
Ndoshta
Shkronjat nuk janë shlyer
Nuk i mbaj dot në mend
Por më kujtohet.
Grimcat e mia poetike…(3)
Edhe tash
Për gjithçka të faleminderit
Sa peshë ka
Takimi ynë i sërishëm
Si këngë e moçme duket kjo…
Grimcat e mia poetike…(4)
Mendoja se prapë do ikësh
Por sërish në zemrën time
Çerdhe paske bërë
Tash
Kur do ikim
Në atë vendin
Ku bota dot s’na gjen…
Grimcat e mia poetike…(5)
Koha i shkakton plagët
Koha i shëron plagët
Sa padrejtësi ndoshta është kjo…
Grimcat e mia poetike…(6)
Më shkruaj si të duash
Se zemrën ta njoh
Syrin e ke shqiponjë
Ti lule e kopshtit tim…
Grimcat e mia poetike…(7)
SHIU…
Shiu
Herë më madhështon
Herë më pikëllon
Kohën rrugëtim ma bën
Shiu
Frymëzim për të kënduar
Nganjëherë
Edhe lotin ma ngacmon
Grimcat e mia poetike…(8)
Të lutëm
Më përqafo në rrugëtim
Kështu qejfin ma bën
Por mos thuaj
Xhevahiret e rinisë i ke humbur
Se mallin e jetës e lëndon..
Grimcat e mia poetike…(9)
Edhe Ju e dini
Kohërat u ngjajnë plagëve
Edhe arnave të lumturisë
Dhembjet
Çerdheve të shpendëve shtegtarë
Që shkojnë e vijnë
Vijnë e rrinë
Si kujtim apo përcëllim shpirti…
Grimcat e mia poetike…(10)
PRAPË SHI…
Pse mu këtë natë
Aq dhimbshëm bie shi
Për t’u strehuar
Nuk ka as çati
Kthehem prapa
Prapë bie shi
Që koha fshehur e ka
Në sytë e mi
Prapë shi
Në dritaren e dhomës sime…
Grimcat e mia poetike… (11)
PYETJE NË RRUGËTIM…
Kush di të më tregojë
Pse lotët thahen në lumë
E koha qan
Që është shumë para nesh
Kjo pyetje në rrugëtim
Nuk është provokim…
Pejë, qershor 2018