AFRIKA

Një tufalak poetik ng alibri “Afrika” i Tomislav Marijan Bilosniç, tër përkthyera nga Kujtim Q. Agalliu.

 

Afrikani brenda një pikë vese

Afrikani e pret diellin brenda një pikë vese,

vesa është zemra e tij

që, ashtu si lotët e një fëmije, varet

mbi një rrjetë merimange.

Në një kasolle të lënë pas dore,

pa eshtra stërgjyshore,

brenda pikës

enden shpirtrat,

që vështrojnë jashtë për kohë më të mirë,

për një yll

që noton në qarkullimin e gjakut,

për një pikë gjaku,

për xeherorin e plumbit.

Brenda pikës së vesës rri një afrikan,

sytë e tij

janë shkëlqim i fëmijërisë mbretërore,

vetë koha.

Një afrikan brenda vesës,

është i pavarur nga luani

i pavarur nga egërsirat,

vesa është pluhur argjendi,

xixëllonja e fundit.

 

Kur ngurtësohen lotët

Gurin unë mund ta deshifroj si një libër
dhe tokën
dhe ajrin
dhe rërën, edhe
kaligrafinë e yjeve.
Unë shikoj të vdekurin e zhdukur,
pyllin e virgjër,
të grumbulluar në kore,
në një dorëshkrim të gdhendur,
të skalitur në gur.

Lotët e ngurtësuar,
fjalët,
të gjitha lidhen me gravitetin,
ata besojnë
se ai është Zoti i tyre.

 

Thellë brenda qymyrit rri një gjarpër

Thellë brenda qymyrit rri një gjarpër,

qymyri është pasqyra

e vetmisë.

Gjarpërinjtë zvarriten mbi qymyr,

në kupën qiellore,

duke u ngërthyer me gjallëri me të.

Qymyri është i padukshëm,

i zi,

i përpunuar

dhe ka të kaltrën e së folurës – blu.

Qymyri ringjall

dy herë të njëjtin gjarpër,

brenda zjarrit,

qymyri është shtëpia e gjarpërinjve,

një kozmos katran i zi,

i pafund,

frikë

e kotë.

 

Lutja e një afrikani

O Zot, sa herë që bie në gjumë
shkoj në oborrin tënd,
një dhomë vdekjeje në tokë.
O Zoti im i zi, në shpella
kjo jetë e hallakatur është
gdhendur në shkëmb,
nofullat e çapëlyer e një leopardi
me koka njerëzore
midis putrave.
O Zot, Zoti im, para se të sprovoni (provoni)
dhe një zog për sakrificën e shpirtrave,
lëri ata që kanë filluar
jetën e tyre në tokë, ta përmbushin atë.
O Zoti im, më merr frymën,
më duaj meqenëse po ëndërroj
mjerimin e afrikanit,
sepse ai i beson ëndrrat.