Mbrojtja e fëmijëve në internet nuk mund të presë!

Fëmijët po hyjnë gjithnjë e më herët në rrjetet sociale, ndërsa platformat digjitale janë ndërtuar për t’ua mbajtur vëmendjen sa më gjatë. Përballë kësaj situate, mbrojtja e tyre nuk mund t’i lihet vetëm kujdesit individual të prindërve.

Komisioni Europian ka propozuar një ligj të posaçëm për sigurinë e fëmijëve në internet. Propozimi parashikon ndalimin e llogarive në rrjetet sociale për fëmijët nën 13 vjeç. Për moshat 13 dhe 14 vjeç mund të lejohen llogari të kufizuara, nën mbikëqyrjen e prindërve, ndërsa llogaritë e pavarura do të lejoheshin nga mosha 15 vjeç.

Platformat mund të detyrohen të kufizojnë reklamat e personalizuara, kontaktet e pakërkuara, lëvizjen e pafundme në ekran dhe njoftimet gjatë orëve të gjumit. Edhe bashkëbiseduesit e mbështetur tek Inteligjenca Artificiale do të duhej të ishin të çaktivizuar automatikisht për të miturit.

Këto masa janë të nevojshme, por asnjë ligj nuk mund ta zëvendësojë familjen. Prindërit duhet të njohin platformat që përdorin fëmijët, të vendosin kufij dhe të flasin hapur për rreziqet.

Mbrojtja e fëmijëve kërkon përgjegjësi të përbashkët: nga familja, shkolla, shteti dhe kompanitë teknologjike. Fitimi i platformave nuk mund të vendoset mbi sigurinë dhe zhvillimin e një fëmije.

Opinion redaksional i Limit.al i mbështetur në të dhënat e Reuters për projektligjin europian⁠.