Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, reagoi ndaj protestave më të fundit në vend, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, duke thënë se ka udhëzuar ministrin e Brendshëm të zhvillojë bisedime me protestuesit.
Në një postim në platformën X, Pezeshkian sqaroi se i ka kerkuar ministrit Ahmad Vahidi, të “dëgjojë kërkesat legjitime të tubuesve” dhe të ndihmojë qeverinë që të “reagojë me përgjegjësi”. Pezeshkian shton se përmirësimi i jetesës së qytetarëve mbetet “shqetësimi i tij i përditshëm” dhe se reformat në sistemin bankar dhe monetar janë pjesë e axhendës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të funksionojë dialogu që ai ka propozuar ose nëse mund t’i frenojë protestat, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë një ton politik, shkruajnë mediat e huaja. Trazirat nisën nga zemërimi për rritjen e fortë të çmimit të dollarit amerikan dhe rënien e rialit vendas, por më pas u zgjeruan shpejt duke u përhapur thuajse në të gjithë vendin, e madje duke marrë kthesë të dhunshme në disa qytete.
Trazirat kanë vazhduar gjatë natës me turmat që përsërisnin slogane kundër qeverisë. Në disa zona, thirrjet e protestuesve shënjestruan edhe autoritetin politik të Iranit, me turmat që brohorisnin “vdekje diktatorit” dhe “Ali Khamenei do të rrëzohet këtë vit”.
Në një pohim të rrallë të operacioneve të tij të fshehta brenda Iranit, agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad sipas The Times, i bëri thirrje iranianëve të protestojnë kundër regjimit të Republikës Islamike. “Dilni të gjithë bashkë nëpër rrugë. Koha ka ardhur,” shkroi Mossad duke shtuar: Ne jemi me ju, jo thjesht larg dhe vetëm me fjalë. Ne jemi me ju në terren.”

















