Komisioni Europian ka njoftuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Moskës, duke theksuar se Unioni do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe se Rusia agresore do të duhet të paguajë për atë që vazhdon të bëjë.

Presidentja e Komisionit, Ursula Von der Leyen njoftoi se sanksionet do të përqendrohen në tre sektorë të ndryshëm ekonomikë.

Fillimisht, ajo theksoi se importi dhe blerja e  gazit natyror të lëngshëm rus  (LNG) nga të gjitha vendet anëtare tani është e ndaluar.

Së dyti, Von der Leyen theksoi se sanksione të reja po vendosen ndaj 118 anijeve të tjera ruse të “flotës në hije” të Moskës, përmes së cilës Rusia vazhdon të eksportojë dhe shesë energji ruse në tregje të treta.

Sot, Unioni ka më shumë se 500 anije në listën përkatëse të sanksioneve, jo të gjitha ruse. Von der Leyen vuri në dukje se kjo listë do të rishikohet vazhdimisht dhe gjithmonë në përputhje me informacionin e marrë.

Gjithashtu, “për herë të parë, masat tona kufizuese do të shtrihen edhe në platformat e kriptomonedhave, duke ndaluar transaksionet me to. Ne po regjistrojmë banka të huaja që lidhen me sistemet alternative të pagesave ruse dhe po kufizojmë transaksionet me subjektet e vendosura në zona të veçanta ekonomike”, tha Presidentja e KE-së.

Presidentja e Komisionit theksoi se veprimet e aleatëve të Ukrainës do të vazhdojnë të dobësojnë “ekonominë ruse.”