Studim nga Ramiz LUSHAJ – Tropojë
1.
Akti shoven e oktapodian i heqjes së bustit memorial monumental, i ngritun 12 vite ma herët në Vuthaj (29 korrik 2013), në vlerësim e nderim të martirit të Luftës së Dytë Botërore (LDB), Isuf Kameri Çelaj, dëshmor-hero popullor jo vetëm i krahinës së Plavë-Gucisë, u keq-shoqërue kryehere edhe me akuzën shpifanike e cinike “bashkëpunëtor i okupatorit” (!), me dirigjime absurde nga Dr. Tamara Vujoviç- Ministër i Kulturës e Mediave dhe nga të tjerë ofiqarë vujoviçër në Malin e Zi.
Kjo është vetëm maja e ajzbergut malazez krajlnor e republikan, me qëndrime e veprime të kahershme e të përhershme kundërshqiptare. Individë të caktuar: deri përfaqësues madhor të shtetit malazez dhe struktura të veçanta institucionale shtetërore të larta malazeze, disa asish edhe pro-serb e pro-rus, disa kësish edhe me frymëzime e angazhime për ri-ngritje të “Mitit të Dinastisë Petroviç-Njegusha”, edhe tashti, në shek. XXI të Rendit të Ri Botëror, disa dekada pas Luftës së Ftohtë, pas rënies së liderit agresor serbomadh, kriminel i luftërave, Millosheviçi i RFJ (1992-2003) dhe i Unionit Shtetëror Serbi-Mali i Zi (2003-’06), kanë ndërmarrë në formate e forma të ndryshme veprimtarime nacionaliste sllave shovene kundërshqiptare në komuna me popullsi shqiptare: Guci, Plavë, Ulqin, Tuz, Tivar, Rozhajë, etj.
Këta (asish e kësish), në Plavë-Guci e kudo tjetër në Malin e Zi, po i sulmojnë gjithfarësh e gjithqysh historinë e kulturën shqiptare, gjuhën shqipe, pasuritë natyrore e pronësore të shqiptarëve; po synojnë asimilim e tjetërsim modern të etnisë shqiptare e të besimit vetjak jo-ortodoks, shpërngulje masive nga trojet e veta etnike shqiptare; po i shkelin të Drejtat e Liritë Themelore të Njeriut- të njohura ndërkombëtarisht nga Deklarata Universale (OKB, 1948) dhe Konventa Europiane (Këshilli i Europës, 1958).
Kjo politikë çetnike sllavo-malazeze e Malit të Zi të sotëm, antar në OKB (2006), NATO (2017), KiE(2007), OSCE (2006), kandidat për në BE (2012), WTO (2012), CEFTA (2006), UfM (2008), me të tilla goditje krajliane modern shovene, i ka për burim e veprimtarim edhe ideologjinë e politikat e tërbuara kundërshqiptare të Krajl Nikolla I, i cili me 11 gusht 1879 iu shkruante për shkëmbim e aneksim territoresh Fuqive të Mëdha të Kongresit të Berlinit: “Plava dhe Gucia nuk mund të krahasohen me rrëpirat e anës së Kuçit…”!
Historianë e diplomatë të huaj dëshmojnë, ndër vite se, ky princ/mbret malazez kundërshqiptar, kishte kërkesa pa asnjë fre logjik, ishte krejt i pangopshëm me shovinizëm malazez, shquhej si njeri merimangor “vejushë e zezë” me intrigat e tij të pafund, ishte irredentist edhe me vargjet e veta poetike, etj. Ai ishte i pandalshëm në tërbimin dhe marshimin e përgjakshëm ekstrem shoven malaziaz sllav për të grabitë toka etnike shqiptare nga Bregdeti Adriatik i Mesëm deri tek Alpet; ishte gati “ta çonte botën në një luftë botërore për Plavë-Gucinë”, trevë e cilësuar si një krahinë historike, kulturore, turistike nga ma të bukurat e ma të veçantat në botë, saqë Fishta i madh (i perifrazuar) poetizonte “Ora e Shqypnisë rri mbi Plavë-Guci…”!
Kohët e fundit, Komisioni Shtetëror Qëndror i Malit të Zi, me të zezat e tij, i ka shpallur si “bashkëpunëtorë të okupatorit”(!) dhe akuzuar “për krime lufte”(!) (dok.: Spisak jugoslovenskih gradana saradnika okupatora i njihovih pomagaća koje je državna komisija na osnovu predloga zemaljskih komisija i prikupljene grade utvrdila da su vršili ratne zloćine) edhe disa të tjerë: luftëtarë të shquar e martirë heroikë nga familje të mëdha historike shqiptare plavëguciase, si: Ferrajt në Plavë (Shemsi, Riza, Shabani, Qazimi, Hamdia); Mekulët në Nokshiq (Brahimi, Islami, Halili, Rama, Uka); Buçajt (Imer Maliqi i Nokshiqit) e të tjerë.
Para së gjithash duhet thënë se kemi të bëjmë me një të vërtetë: Mali i Zi (ndoshta) është i vetmi shtet në botën e sotme që i mungon e drejta morale, politike, diplomatike, juridike, historike, që të akuzojnë këdo qoftë mbi tokë, në qiell e nëntokë, aq ma tepër e aq ma keq (ish)shtetasit e saj përgjatë LDB, si “bashkëpunëtorë të pushtuesit” (fashizmit gjerman, nazizmit gjerman, shovinizimit sllav), sepse (siç do ua shpjegojmë) nuk ia mundëson, ndër breza, as vet historia e Dinastisë Petroviç-Njegusha, as vet historia e shek. XX me princat e princeshat e saj të “Fronit në Çetinë” (MZ) dhe në Itali, Serbi, Rusi.
2.
Në emër të së drejtës dhe të vërtetës ndihem i detyruar që t’iu them çdo vujoviçi oktapod apo urithian kundërshqiptarë në Malin e Zi, se kur i akuzoni shqiptarët trojenikë në Plavë-Guci e kudo tjetër, kur ua rrëzoni memorialët heronjve të tyre, duhet të mos harroni historinë tuaj, të cilën, në këtë rast, po detyrohemi t’ua kujtoj drejtpërdrejt, qartë, plotërisht, publikisht, jashtë çdo aureole fqinjësie dhe përtej caqeve të diplomacisë euroatlantike:
Princesha Elena e Malit të Zi (1873-1952) e Dinastisë tuaj Petroviç-Njegosh, një nga 12 fëmijët princërorë të Krajl Nikolla I i Malit të Zi, shtetformuesit kryesor të Malit të Zi të sotëm, ishte:
a).-i pari pushtues fashist në Ballkanin Perëndimor,
b).- bashkëpunëtori i parë e ma i madh i Fashizmit Italian, nga Mali i Zi, përgjatë LDB.
Madhëria e saj, Elena malazeze, ishte Mbretëresha e Italisë (1900 -’46), Perandore e Etiopisë (1936-’41), Mbretëreshë e Shqipërisë (1939-’43), çka, asokohe, si të thuash, ishte “Mbretëresha e Fashizmit Italian”- sepse ishte bashkëshorte gjysëm shekullor (1896-1947) e Viktor Emanuel III i “Perandorisë Italiane” (1936-‘43), që në dy prillat e zinj kalendarik i pushtuan: Shqipërinë (prill 1939) dhe Malin e Zi e krejt Jugosllavinë Versajiste (prill 1941), duke hyrë në historinë e LDB e të Botës si okupatori i parë fashist në Ballkanin Perëndimor.
Atëhere, bëhuni të drejtë e të vërtetë, guxoni fort, që Komisioni juaj Shtetëror në Podgoricë, të shpallin të parën, ma të paren, para së gjithash, para të gjithëve, Princeshën tuaj malazeze të “Qytetit të Fronit Çetinë”: Elena Petroviç-Njegosh, “bashkëpunëtore të okupatorit”, e cila ishte ndër autorët e aktorët ma kryesorë në vendimmarrjet fashiste jo vetëm për agresione ushtarake, etj.
Vujoviçër, e shikoni se si e keni Historinë tuaj të këtillë, si askush tjetër, saqë ua cilëson me të drejtë Dinastinë tuaj: “bashkëpunëtorë të okupatorit”, ma të parët e ma kryesorët bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit të LDB, andaj nuk mund të keni moral para Botës globale, ndërgjegje përballë Kohës së sotme EuroAtlantike, fytyrë e fakte para Historisë së sotme moderne, argumente e forcë njerëzore, qytetare, zyrtare, që të akuzoni për “bashkëpunëtorë të okupatorit”(!) askënd në krahinën e historinë e Plavë-Gucisë dhe askund tjetër, edhe asnjëherë tjetër në këtë shekull të ri, XXI.
3.
Nëse historia botërore, nga koha e Neandertalit primitiv deri tek koha e robotit inteligjent, do ta përveçonte në hartën e botës një shtet okupator, nga ma të mëdhenjtë e ndër ma gjakatarët, ndër ma luftënxitësit botërorë, ky është vet Mali i Zi.
a).- Pse, historikisht, Mali i Zi, është pushtuesi ma i madh i tokave etnike shqiptare, të aneksuara nën shtetin e tij të derisotëm?
Peshkopata malazeze, një klan ortodokso-sllav, në Njegosh (fshat në Çetinë, MZ jugor), pati nga Perandoria Otomane një tolerancë të pazakontë lidhur me veprimtarinë e saj përtej veladonit fetar (!).
Vlladika (peshkopi) Danilo I, themeltari i parë i Dinastisë malazeze Petroviç-Njegosh (1696), e kreu në vitin 1715 një vizitë në Shën Petersburg (Leningrad). Asokohe, Pjetri i Madh, Cari i Rusisë, po edhe Kisha Ortodokse Ruse, e njoftën zyrtarisht, të parët në botë (e deri vonë, të vetmit), peshkopin Danilo si “princ” (Princ-Peshkop) dhe peshkopatën e tij si “Peshkopatë-Princore”. I dhanë ndihma të vazhdueshme financiare, ekonomike, ushtarake. E ngritën edhe një konsullatë ruse në Çetinë, më pas, më 1855, kësisoj, edhe Franca.
Veçmas, këto dy fuqi të mëdha të asaj kohe, ndihmuan për ta krijuar, fuqizuar e lartësuar Malin e Zi si shtet, si mbretëri e republikë (1715-2006). Bota (pro)sllave e ide-projektoi Malin e Zi, qysh në themeli, që të startojnë me shovinizëm tipik sllavo-aziatik ndaj elementit e faktorit shqiptar, me pushtime e aneksime të territoreve etnike shqiptare. Mali i Zi, prapëseprapë, as në shek. XXI, nuk po don të ndalet, as nuk po e mësojmë të ndalet, në tërbimet e rrëmbimet e tij shovene, sikurse ndodhi edhe me “aneksimin modern” të Çakorrit e të Kullës së Zhlebit, në krahinën kelmendase të Rugovës, në komunën e Pejës të Republikës së Kosovës (!)
Në fillesat e veta Peshkopata-Princore kishte rreth 1.500 km2 sipërfaqe territoriale (P.Gjuroviq, O.Gërgureviq, M.Gjuroviq, A.Petroviq: “Gjeografia”, botim zyrtar i ETMM. Podgoricë, 2007), përafërsisht sa katër komunat veriore në Mali i Zi (Plava, Gucia, Rozhaja, Berana), ndërsa në kohën e Nikolla I princ/mbret (1860-1918) Mali i Zi arriti në mbi 13 mijë km2, ku ma shumë se dy të tretat e saj të derisotme (shpesh thuhet: edhe krejt MZ) janë territore etnike shqiptare të pushtuara dhe aneksuara nga Mali i Zi.
Prej nga koha kur u shkrinë akullnajat e Alpeve dhe dolën faqe diellit: Plava e Gucia me rrethina, kjo tokë etnike shqiptare, ndër breza të plavëguciasve, (sikurse edhe Rozhaja, Tuzi, Ulqini, Tivari, Podgorica, Kuçi etj.) nuk kanë parë okupator ma të madh të tokave e pasurive të tyre etnike shqiptare se sa vet Mali i Zi.
Përndryshe: romakët, otomanët, austro-hungarezët, italianët e gjermanët, sado gjatë e sado pak qëndruan si pushtues në këto treva bregdetare dhe alpine, ikën dhe tokat i lanë aty ku ishin ndër shekuj, të cilat i aneksoi me flakë e gjak, me kapica, veladone e vula, shteti fqinjë i Mali të Zi, apo siç i themi shpesh, ne- malësorët alpinë: “Cerrnagorja”.
Atëherit, si mund të bahej “bashkëpunëtor i okupatorit” me një pushtues e aneksues të tillë si Mali i Zi, luftëtari hero Isuf Kameri Çelaj e shumëkush tjetër plavë-gucias të akuzuar, si nga Ferrajt, Mekulët, Buçajt etj., ndërkohëqë, qoftë edhe një ditë të vetme, qoftë edhe në një vit të vetëm, po të largohej Mali i Zi nga krahina e Plavë-Gucisë, atëherit banorët e atyshëm plavë-gucias, veçmas shqiptarët etnikë, do ta quanin çlirim e shpëtim, liri e lumturi, pavarësi e progres, sepse nuk do të kishin kryeqytet të tyre as Çetinën e fronit malazez dhe as Beogradin e Serbisë, po Tiranën e Kombit Shqiptar, siç ndodhi në “Kohën e Shqypnisë”, me “Tokat e Lirueme” në kohën e Perandorisë Italiane etj.
Sipas logjikës shovene malazeze, sipas mendjes vujoviçe, nëse nuk je “bashkëpunëtor” i okupatorit A – Malit të Zi, atëherit, me patjetër, u dashka akuzuar si “bashkëpunëtor” i okupatorit (B)-Italisë fashiste apo i okupatorit (C)-Gjermanisë naziste ose i okupatorit (Ç)-AustroHungarisë, i okupatorit (D)-Serbisë etj.(!)
b).-Pse, historikisht, Mali i Zi krajlnor është pushtuesi ma gjakatar, si rrallëkush e rrallëherë, me agresionet deri genocidiale, me rrëmbime të vazhdueshme kriminale të jetëve të shqiptarëve etnikë e të tokave etnike shqiptare, në Plavë-Guci e kudo tjetër në Malin e Zi të derisotëm?
Prej nga koha e hekurit deri tek e internetit, Plavë-Gucia me rrethina nuk ka parë pushtues ma gjakatarë (as romakë, as otomanë, as austro-hungarezë, as fashistë italianë e nazistë gjermanë) se sa vet Mali i Zi i Krajl Nikolla I me trashëgimtarët e trashëgimtaret e tij.
Në historinë ballkanike, europiane e botërore, përveçohet “Masakra e Previsë” (tetor 1912-maj 1913) me rreth 700 të vrarë (edhe fëmijë, gra, pleqë, etj), të vrarë tejet mizorisht, me krime nga ma çnjerëzoret, me spastrim etnik genocidial, me djegie të shtëpiave e pasurive blegtorale, etj. vetëm për shkak të etnisë (shqiptare), të fesë (muslimane e katolike), për ta lanë krahinën e Plavë-Gucisë një “tokë të djegur”, në të cilën të vinin “kolonë sllavë” për tjetërsim genetik e etnik të popullsisë e të tokave trojenike shqiptare. Wlliam Warfield, Drejtor i Njësisë së Kryqit të Kuq në Shqipëri në Luftërat Ballkanike, raportonte, asokohe, se “rreth 2.000 refugjatë shqiptarë nga Gucia dhe Plava erdhën në Shkodër, nga të cilët 128 familje ikën në Turqi, si në Izmir dhe Adapazar”.
Popullsia e Plavë-Gucisë, kësaj kohe, sipas studiuesëve, kishte gjithsej 23.180 banorë, kurse për “Masakrën e Previsë”, disa burime franceze, flasin edhe për 900 martirë e viktima, të kryera nga krajlianët malazezë!
Kjo “Masakra e Previsë”, për nga qëllimet e pushtuesve malazezë, për nga përmasat e saj, për nga llojet e krimeve etj. është cilësuar në masmedia si një ndër “100 masakrat më të mëdha e ma tragjike në historinë botërore të masakrave”!
Pra, mjafton vetëm “Masakra e Previsë” për t’i shpallë “kriminelë lufte”, ata që kanë krye “krime lufte”, “genocid”, të parët, vet shtetin e Malit të Zi, edhe vet Krajl Nikollën e Parë; por edhe Janko Vuketiq- gjeneral agjutant, brigadier serdar, komandanti kryesor i Divizionit IV-Grupimi i Verilindjes (me 21 batalione, 6 bateri artilerie, 28 topa); gjeneralin barbar Radomir Veshoviq, brigadierin Avro Cemoviq i Vasojeviqëve (Avro Cemi faqezi, gjakatar), patriarku ortodoks serb Gavrilo-Dožić, ushtarakët, kriminelët shtetërorë: Milutin Radonjiq, Milivoje Dragoviq, Gjuro Vujosheviq, Milija Nikoliq, Hajro Bashiq, Mashan Boxhaviq, Niko Vuçeliq, e shumë të tjerë.
Kjo, e jashtëzakonshmja, e paimagjinueshme, “Masakër e Previsë”, ende nuk është zbardhë krejtësisht, as pjesërisht në plotënimet e saj, por ma së shumti anësisht, përderisa Mali i Zi, Mbreti i tyre Nikolla I, komandantët kriminalë gjakatarë të masipërm e të tjerë, ende nuk janë ndëshkuar për genocid as nga Drejtësia Malazeze, as nga Gjykata Europiane, as nga Gjykata e Hagës; as nga Historia kombëtare e shteteve ballkanike, ajo europiane e botërore; as nga vet shtetet: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, nga Europa dhe Amerika.
Në krahinën martire të Plavë-Gucisë, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1919) dhe kah mbarimi i LDB (1944-’45), kanë ndodhur edhe dy masakra të tjera të përgjakshme, të jashtëzakonshme.
Historiani i shquar i Plavë-Gucisë e me kontribute studimore historike kombëtare, Rexhep Dedushaj, dokumenton se në vitin 1919 u vranë e masakruan 500 vetë dhe u përzunë nga trojet e veta 3 mijë plavëgucias, ndërsa në vitin 1944-’45 u vranë 800 vetë” (Sesion Shkencor. Skënderaj-Kosovë, 18.07.2021).
Mali i Zi ka kryer vrasje, burgosje, shpërngulje, masakra ndaj shqiptarëve në Plavë-Guci edhe në kohën e Jugosllavisë Avnjoniste të Titos, si me rënien e Rankoviçit etj., por edhe në kohën e Millosheviçit në Husaj të Malësisë së Rozhajës, ku u vranë 21 refugjatë civilë të Kosovës (edhe fëmijë e të moshuar) me 18 prill 1999 (Ali Daci: “Shtigje të përgjakura”. Botim i dytë i plotësuar. Pejë, 2000. Faqe 240), për çka është në dijeni edhe Gjykata e Hagës ende nuk ka reaguar për të dhënë drejtësinë e saj, sepse Mali i Zi po i merr në mbrojtje kriminelët e kësaj masakre që e dënon çdo ligj i botës, çdo shtet i kohës së sotme.
Tri maskarat e jashtëzakonshme, të paimagjinueshme, në harkun kohor mbi tre dekada, të kryera në krahinën e Plavë-Gucisë, me 486 km2 sipërfaqe komunare: Masakra e Previsë, 1912-1913, Masakra e vitit 1919, Masakara,1944-’45, krahasohen edhe me “Gjenocidin Armen” (1915-’17, nga Turqia, xhonturqit), “Holokaustin e Hebrenjëve Europianë” (nga Gjermaniza naziste, 1941-1945), me “Masakren e Srebenicës” (1995, nga Serbia e Millosheviçit).
Vetëm në “Masakren e Previsë”, nga Familja e Madhe Çelaj (Vuthaj-Çerem), janë vrarë barbarisht 6 vetë: Beqir Demë Çelaj, Hasan Çelë Çelaj, Halil Memo Çelaj, Memo Oso Çelaj, Reko Ram Çelaj, Vesel Selim Çelaj, në mes tyre edhe dy fëmijë.
Mali i Zi, në të tjera masakra e përndjekje shovene terrroriste kundërshqiptare, ka vrarë edhe 6 burra të tjerë nga Familja e Madhe Çelaj, si: Bajram Kasemi Çelaj, Avdyl Shabani Çelaj, Jonuz Zeqiri Çelaj, Beqir Dema Çelaj, Xhemë Syla Çelaj.
Akademik, prof. dr. Marenglen Verli (Tiranë) kumton se diku më 3-6 shkurt 1944, u vra edhe Isufi Kameri Çelaj, në frontin e Morinës në Plavë. (Kumtesë në Akademinë kushtuar Isuf Kameri Çelaj, Plavë, 29 korrik 2013).
Shteti i Malit të Zi, ky pushtues e aneksues i përgjakshëm, deri genocidial, nga ma të jashtëzakonshmit në botë për krimet e tij ndaj shqiptarëve në Malin e Zi, edhe në Shqipëri, Kosovë, Sanxhak, në vend që të jepte shpjegime të vërteta e të plota dhe të kërkonte të falur sinqerisht e botërisht për 12 meshkujt e vrarë prej tyre të Familjes së Madhe Çelaj, keq ngrihet paturpësisht me vujoviçët e tij, në të gjitha strukturat e me të gjitha mënyrat dhe po kërkon t’i “vrasin për së dyti”, edhe të vdekur, edhe në buste memoriale, sikurse ndodhi në gusht 2025 me martirin hero Isuf Kameri Çelaj i Vuthajve, 112 vjet pas Masakrës së Previsë, 81 vite pas vrasjes së tij në Murinë të Plavës (!).
c).- Në historinë e Europës, ndoshta dhe të Botës, nuk ka luftënxitës ma të mëdhenj se sa Mali i Zi, se sa Krajl Nikolla Petrovic-Njegoshi, së bashku me djemtë e vajzat, nipat e mbesat e tij princërorë, të cilët janë ndër shkaktarët e Luftës së Parë Botërore (1914-1918) e të Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), të Luftës së Parë Ballkanike (8 tetor 1912-30 maj 1913) dhe të Luftës së Dytë Ballkanike (29 qershor 1913-10 gusht 1913, në të cilat, shqiptarët në Ballkan, patën humbje të mëdha në njerëz, territore etnike, pasuri të shumëllojshme.
a)- Princi malazez 33 vjeçar, Mirko i Krajl Nikolla I (që mbante emnin e gjyshit të tij kriminal ndaj shqiptarëve të Kuçit, etj.) do të qëllonte me top në drejtim të fortesës së Deçiçit, sepse aty e ngriti më 1911 Flamurin Kombëtar Shqiptar Dedë Gjo Luli, duke shenjue në atë 8 tetor 1912, sinjalin e fillimit të Luftës së Parë Ballkanike.
b).- Princi malazez 41-vjeçar, Danilo i Krajl Nikolla I (që mbante emnin e të parit të vet bio-historik dinastor, Danilo I, si dhe të Danilo II) u nis në mësymje pushtuese me Grupimin e Qëndres, më 9 tetor 1912, në drejtimin Tuz-Koplik-Shkodër, me 21 batalione, 11 bateri artilerie me 36 topa, 13.000 ushtarë efektivë, për të pushtuar Shkodrën e krejt Shqipërinë, për ta ba Prizrenin kryeqytet të Malit të Zi.
c).- Nipërit e Princeshës malazeze Ljubica-Zorka (1864-1890) e Krajl Nikolla I, e martuar me Petar Karagjorgjeviç- Mbret i Serbisë (1804-1813), ishin shkaktarë të Luftës së Parë Botërore, që nisi me 28 korrik 1914 në Mbretërinë Jugosllave.
ç).- Princesha Elena e Krajl Nikolla I, Mbretëresha e Italisë, ishte një nga autorët dhe aktorët e fillimit të Luftës së Dytë Botërore nga tri Fuqitë e Boshtit: Italia, Gjermania, Japonia.
d)- Krajl Nikolla Petroviç-Njegosh, me padrejtësitë e orekset e tij tejet shovene etj. ishte një ndër shkaktarët e Luftës së Dytë Ballkanike.
Një dekadë përpara Kongresit të Berlinit, bash në vitin 1867, Krajl Nikolla Petroviç-Njegosh, e krijoi një kangë-hymn për principatën e vogël malazeze, Hymnin Malazez: “Naprijed – Përpara”, ku në tetë strofat e para flet për hakmarrje shqiptare në emër të humbjes sllave në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë, 1389), ngrihet kult për Kishën Ortodokse të Deçanit (dikur kishë katolike shqiptare), synohet për të vendosë me patjetër në Prizren, kryeqytetin e principatës malazeze (tevona, mbretni, më 1910-1918), etj.
Mjaftojnë për shembëllim veç dy vargje të strofës së dytë të Hymnit: “Përpara, Përpara!”, e çdokush e sheh me sy dhe e ndjen në histori e realitete shovinizmin sllavo-ortodoks të Malit të Zi: “…Përpara, përpara që të shoh Prizrenin,/Se është i imi, do shkoj në shtëpinë time…”(!)
Regjimi i sotëm i Malit të Zi i ka ri-kthyer ma shumë se asnjëherë tjetër, prej nga Pavarësia e MZ (2006), sy, mendje e zemër, drejt Dinastisë Petroviç-Njegosh, drejt figurave historike të kësaj dinastie malazeze, për frymëzim, shembëllim e realizim të ideve e idealeve dhe praktikave të tyre shovene kundërshqiptare. Kohët e fundit e kanë ri-aktivizuar edhe “Ditën e Njegoshit”, ditëlindjen e princit-peshkop Petar II Petroviç-Njegosh, (thirrej shkurt, edhe “Njegosh”), 13 Nëntorin e çdo viti, si “Festë shtetërore të Malit të Zi”, një festë kulturore malazeze, një ditë pushimi për të gjithë shtetasit malazez.
Princi-peshkop i Malit të Zi, Petar II Petroviç-Njegosh (1813-1851) ishte tejet aktiv për bashkimin e fisve malazeze; luftonte me çdo kusht e mjet për zgjerimin e territoreve edhe përmes pushtimeve e aneksimeve të tokave etnike shqiptare, të tjetërsimit të identitetit shqiptar e shpërnguljeve të shqiptarëve nga tokat e veta etnike; hodhi disa nga themelet e Jugosllavizmit, ishte lobues e kontributor i bashkimit të Malit të Zi me Serbinë; ishte i gatshëm që në rast të një bashkimi të tillë të hiqte dorë edhe nga froni si Princ i Malit të Zi dhe të bahej Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Serbe; ishte tejet i angazhuar në lidhjet malazeze me Perandorinë Ruse dhe krejt Botën Sllave; ishte dhe një poet i njohur me krijimet e tij etj.
Dr. Tamara Vujoviç është një idhtare ekstreme e Dinastisë malazeze Petroviç-Njegosh, e cila don të fokusojnë e spektrojnë gjithandej e gjithkund idealet e ideologjinë e kësaj dinastie malazeze, sepse:
a).- Ministria e Kulturës e Mediave në Malin e Zi është e vetmja ministri e Qeverisë Malazeze që e ka selinë e vet në Çetinë, (Njegoševa 83, 81250 Çetinje, Crna Gora), në “Qytetin e Fronit”, Qytetin e Dinastisë Petroviç-Njegosh, ku ndodhet edhe Presidenca e Malit të Zi.
b).- Vujoviç ka botuar edhe shkrime të veçanta për Petar II Petroviç-Njegosh, sikurse: “Madhështia e tij tejkalon kohën” (“Njegoševa veličina nadilazi vrijeme”. Podgoricë, 12.11.2024). Edhe kur shkon në kohë të ndryshme në Mouzoleun e Petar II Petroviç-Njegosh në Lovcen, duke e paraqitë Njegoshin si simbol të lirisë e identitetit malazeze etj.
Andaj, edhe në këto fakte, e gjen shpjegimin burimor rrugëtimi i 8 gushtit 2025 i Dr. Tamara Vujoviç, prej nga Çetina e fronit në Vuthajt e Alpeve (tek busti memorial i martirit Isuf Kameri Çelajt) për të lëshuar ultimatume për heqjen e tij dhe për të ndërmarrë akuza “Aleksiçe” si “bashkëpunëtor i okupatorit”(!), për çka historia e drejtësia do t’i bajnë përgjegjës për deklaratat e veprimet të pabazuara, të padrejta.
(Vijon)

















