Shkruan: Florim Zeqa 14.06.2024
Me “Paraden Ushtarake” të FSK-së me 12 Qershor në sheshin kryesor në Prishtinë u tentua të krijohet përshtypja sikur Kosova është vendi i i lirë dhe më i fuqishëm në rajonin e Ballkanit të kërcënuar nga lufta dhe trazirat. Mirëpo, prezenca e forcave paqeruajtëse në Kosovë na e thotë të kundërtën!
Politikanët janë të përkohshëm, atdhetarët janë të përjetshëm
Një politikan që vjedh buxhetin e shtetit e vjedh arkën e shtetit, një politikan që i vjedh ndihmat humanitare i vjedh edhe ndihmat e mërgimtarëve, një politikan që e vjedh voten e qytetarit e vjedh edhe kafshatën e gojes së nevojtarit. Janë këta politikanët e vjedhen të ardhmen e qytyetarëve.
Një popull që përfiton subvencione nga shteti pa e punuar tokën e vet nuk e meriton më mirë dhe vetvetiu bëhet pjesë e vjedhjes së shtetit bashk me pushtetarët. Një popull që përfiton statusin e veteranit të luftës pa qenë fare pjesë e luftës çlirimtare nuk e meriton të jetoj i lirë. Manifestimet e Ditës së Çlirimit i nxoren në shesh të gjitha shkathtësitë e përfitimit personal, gjegjësisht të personalizimit të meritave e të tjerëve nga politikanët në pushtet.
Rrallë herë gjatë histotisë ka ndodhur ajo që po ndodh tani. Në krye të institucioneve më të larta të shtetit kanë zënë vend njerëzit pa asnjë meritë personale në çirimin e vendit.
Në këtë moment më bien ndërmend fjalët e babait tim të ndjerë (Halil Zeqa), i cili kah fundi i viteve të ’90-ta m’i tha këto fjalë, po citoj; “Do të vie dita kur çdo gjë do të harrohet, ju që sot po e rrezikoni jetën për të mirën e vendit nesër do të harroheni nga të gjithë”!
Dhe vërtetë, pa kaluar një gjysëm shekulli, jo vetëm që u harruan në tërësi aktivistët dhe veprimtarët e viteve të ’90-ta, u harruan edhe ata që u sakrifikuan më së shumti gjatë luftës çlirimtare. U harruan çlirimtarët, u harruan luftëtarët e lirisë, u harruan invalidët dhe veteranët e luftës çlirimtare, u harruan familjet e dëshmorëve.
Kurse vendin e tyre e zunë përfituesit dhe hamshorët e politikës ditore, zuzarët dhe zvarranikët e të gjitha pushteteve të pasluftës të cilët përfituan nga të gjitha pushtetet e pasluftës, duke u shtyrë me bërryla për t’u ulur në rreshtin e parë të gardës shtetëore, për t’u dukur në syrin e popullit që janë shtetar të devotshëm!
Mirëpo, kjo nuk është e keqja më e madhe! Për fatin e keq, u joshen me nga një “zallog” nga pushteti siq thoshte Adem Demaçi, edhe një pjesë e njerëzve të ndershëm, për t’ua bërë më të lehtë punën pushtetarëve në raste ceremoniale, siq ishte rasti në aktivitetet e shënimit të “Ditës së Paqes” pa qenë fare Dita e Çlirimit në krye të festave zyrtare shtetërore!
Me prezencën e miqve të shumtë ndërkombëtar në Ditën Çlirimit, madje edhe të atyre që ishin kundër ndërhyrjes së forcave të NATO-s, pushtetarët deshën të mbulojnë realitetin e hidhur në të cilin e sollën Kosovën 25 vite pas çlirimit, nën sanksione të BE-së dhe të anashkaluar nga vëmendja e SHBA-ve. Deklaratat kontraditore të dy ambasoadorëve amerikan për Kosovën, të njërit në Beograd (Hill) dhe tjetrit në Prishtinë (Hovenier) e dëshmojnë shpërqendrimin e amerikanëve në Ballkan.