Askush nuk është i programuar të jetë vetëm. Nuk është rastësi që Aristoteli tha: “njeriu është një kafshë shoqërore”. Që në moshë të re ne e rrethojmë veten me marrëdhënie emocionale: disa janë autentike dhe na shoqërojnë me kalimin e kohës, të tjerët pak më pak dhe largohen pas një kohe. Kur ne jemi të privuar nga afeksioni gjatë fëmijërisë sonë, ndërsa rritemi, zhvillimi ynë psiko-afektiv do të pësojë pasoja të rënda. Bëhemi gjithnjë e më të uritur për dashuri, ajo uri që na mundon dhe na shtyn ta ngopësh në çdo moment.
Në fakt, kur rritemi, veprojmë në çdo fushë të jetës të nxitur nga mungesa e dashurisë, duke u përpjekur dëshpërimisht ta kënaqim atë përmes marrëdhënieve të varura, pushtuese dhe të papjekura… edhe pse në mënyrë të pandërgjegjshme.
Ata që rriten pa dashuri ndihen të gllabëruar në mënyrë të pashmangshme nga uria emocionale. Ndjejnë nevojën për të qenë shumë afër dikujt, mjaft afër për të pushtuar privatësinë e tyre dhe për të kapërcyer kufijtë personalë, fizikë dhe emocionalë. Varësia nga tjetri fiton një intensitet aq të fortë saqë shumë shpesh bëhet zëvendësuese e intimitetit. Agresionet bëhen një mundësi për të lejuar shfaqjen e emocioneve më të brendshme. Një lloj katarsisi në kurriz të tjetrit. Madje ka një kënaqësi të caktuar, por të shoqëruar me shumë dhimbje. Për ata që vuajnë nga mungesa e fortë emocionale, mbyllja e një lidhjeje do të thotë zhytje në humnerën e vetmisë… pra anulimi veten. Për këtë arsye njeriu percepton boshllëkun, mungesën… një “asgjë” që bëhet e patolerueshme.
Kur jemi në një gjendje urie për dashuri, ndihemi bosh dhe e konsiderojmë çdo person që takojmë si një partner të mundshëm. Ndoshta nuk do të kemi vështirësi për t’u dashuruar me njëri-tjetrin, por do të jetë e vështirë të hyjmë në një marrëdhënie të shëndetshme dashurie. Për të mbajtur larg urinë tonë për dashuri, së pari duhet të kontaktojmë me “ndjesinë tonë të zbrazëtisë”. Ndaloni, dëgjoni se si ndiheni, rrethojeni veten me forma të tjera dashurie. Do ta kuptojmë që është më mirë të mos kesh një partner se sa të kesh një të tillë sepse nuk mund të jetosh pa të!
Mangësitë emocionale, rrënja e shumë prej problemeve
Përkëdheljet shërojnë, përqafimet na bëjnë të ndihemi të sigurt dhe të dashur, një vështrim plot dashuri gëzon shpirtin. Dhe nëse i keni humbur të gjitha këto, do të keni mundësi të ndiheni të uritur për dashuri… aq shumë sa do të sëmureni. Por a mund të sëmuret vërtet një person që nuk ka marrë ushqimin e duhur të shpirtit? Përgjigja është po. Kushdo që nuk merr në mënyrë rutinore këtë lloj përforcimi pozitiv të përcjellë me fjalë, veprime dhe përkëdhelje të ngarkuara me ndjenja, do të ndiejë gjithmonë një boshllëk. Njeriu është një entitet social dhe emocional, i cili ka nevojë për lidhje emocionale për të mbijetuar dhe për t’u vendosur si person në një bërthamë të caktuar. Një adoleshent nuk do të jetë një i rritur i sigurt nëse duhet të mësojë të shtypë emocionet e tij, nëse akuzohet kur qan sepse “kështu bëjnë të vegjlit” dhe nëse i thuhet se të jesh i rritur do të thotë të zgjidhësh problemet vetëm, pa kërkuar kurrë ndihmën e të tjerëve. Një fëmijë që rritet pa afërsinë emocionale të njerëzve të tij të dashur e kupton se bota është një vend armiqësor për t’u mbrojtur. Për këtë arsye, herët a vonë ai do të zhvillojë zemërim dhe armiqësi. Ndonjëherë një fjalë ka një ndikim më të fortë se një shuplakë. Gjuha është një mjet i fuqishëm për transmetimin e emocioneve dhe ndërveprimit që shërben për të ndërtuar lidhje të shëndetshme, të denja dhe të lumtura. Nëse të dashurit tanë vazhdimisht bërtasin ose ironizojnë, ne do të përjetojmë atë dhimbje emocionale që na shënjon negativisht. Përveç fjalëve respektuese, pozitive dhe kuptimplote, është e nevojshme të ndjeheni të dëgjuar dhe kuptuar. Komunikimi nuk bazohet vetëm në transmetimin e një mesazhi, por në dëgjimin aktiv, empatik dhe konstruktiv.
Një marrëdhënie pa gjeste dashurie nuk është autentike
Mund të duket e çuditshme, por ka momente në jetën tonë ku japim dorëheqjen, ku emocionet tona rrafshohen. Jemi mësuar të mos përqafohemi, puthemi apo përkëdhelemi. Të jesh i dorëhequr përfshin pasivitetin, i njëjti që na dominon përballë një sëmundjeje që ne besojmë se është e pashërueshme. I themi vetes se jemi mirë, që nuk na shqetëson një jetë shoqërore, se nuk na shqetësojnë përkëdheljet e një fëmije apo partneri. Por e kemi gabim! Të mësohesh me një jetë me boshllëqe emocionale nuk është të jetosh. Sepse atëherë shfaqet ai depresion që nuk e dimë nga vjen. Sepse ndihemi bosh, të rraskapitur, të vetmuar dhe të nënvlerësuar. Një dashuri që nuk i vë në praktikë përkëdheljet e përditshme apo ato gjeste të vogla themelore dhe të fuqishme dashurie, zbehet pak nga pak ose përfundon duke mos qenë një marrëdhënie e plotë dhe e kënaqshme. Një marrëdhënie në çift nuk përkthehet vetëm në bashkëjetesë, ndarje hapësirash, përgjegjësish apo shtrati. Është e nevojshme t’i kushtoni vëmendje aspekteve elementare dhe gjërave të vogla. Një vështrim admirimi, një përkëdhelje e papritur, një përqafim, kërkimi i afërsisë së ndërsjellë kur jeni me disa persona, janë të gjitha shenja që tregojnë se ndihemi të lumtur dhe të sigurt.
Gjithmonë kujto…
Vetëvlerësimi nuk është efekt i veprimeve të rastësishme; është si një muskul dhe stërvitet. Për të jetuar plotësisht, për t’u ndjerë i denjë për dashuri, shpirti duhet të ushqehet me përkëdhelje, përkëdhelje emocionale, fjalë pozitive… Nuk është një rrugë e lehtë apo e shpejtë, por është e vetmja që duhet të ndiqni nëse doni të jetoni në paqe me veten dhe, rrjedhimisht, me të tjerët. Hapi i parë? Filloni ta doni veten, filloni të besoni në veten tuaj! Në mëngjes ngrihuni aktiv. Buzëqeshini jetës, dhe jeta do t’ju buzëqeshë … ju keni ende një jetë për të jetuar./ Revista “Psikologjia”