Zhvillohet sonte përballja Shqipëri-Kili

Trajneri Sylvinho pritet që në miqësoren e sotme ndaj Kilit të luajë me ata të cilët kanë qenë titullarë në pjesën më të madhe të ndeshjeve kur ai ka drejtuar Shqipërinë.

Ndryshimet më së shumti do të jenë për mungesat që ka për shkak dëmtimesh, por edhe për ta parë gjendjen e ndonjë futbollisti. Deri më tani, duket se Broja mund ta nisë nga minuta e parë në qendër të sulmit, i mbështetur nga Seferi e Asani në krahë, ndërsa pak më i tërhequr Bajrami.

Asllani dhe Ramadani duket se do të plotësojnë mesfushën. Mbrojtja me 4 do të përbëhet nga Mitaj, Gjimshiti, Mihaj dhe Hysaj.Në portë pritet Strakosha, ndërsa Berisha nuk është i gatshëm. Gjithsesi deri pak para ndeshjes mund të ketë edhe surpriza. Kuqezinjtë pritet të mbështeten nga të paktën 15 mijë tifozë.

Ndeshjen me Kilin që do të luhet prej orës 20:45 në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmas do ta ndiqni direkt në TV Klan, ashtu si edhe miqësoren e së hënës me Suedinë në Stokholm.