Një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.2 goditi Marokun të premten.
Sipas informacioneve të deritanishme, mbi 2 mijë persona kanë humbur jetën, por dyshohet se numri mund të rritet ndjeshëm.
Rreth 20 milionë njerëz mund të ndjenin dridhjet nga tërmeti në Marok dhe më shumë se dy milionë përjetuan lëkundje të forta, njoftoi gjeologia Wendy Bohon në Rrjetin X (ish Twitter), duke cituar Shërbimin Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (SHBA).
Ata përdorën informacionin bazë të tërmetit së bashku me hartat e dendësisë së popullsisë për të vlerësuar shkallën e dëmit të tërmetit.
Gjeologët Judith Hubbard dhe Kyle Bradley deklarojnë se ky tërmet është gjithashtu më i madhi në magnitudë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Tërmeti i mëparshëm, po aq i fortë, ndodhi në vitin 1624 pranë Fezit, në pjesën verilindore të Marokut.
Ndërsa modelet shkencore të lëvizjeve tektonike të pllakave në shumë pjesë të botës “pasqyrojnë mjaft mirë realitetin e zonave të tyre kufitare”, studiuesit thonë se “ky nuk është rasti në Marok”, duke shtuar se kufiri këtu është “shumë kompleks me shumë zona të deformimit aktiv”, shkruan e përditshmja britanike “Independent”.
Profesoresha Joanna Faure Walker, gjeologe nga Universiteti i Londrës, gjithashtu vuri në dukje se numri i viktimave ka të ngjarë të rritet ndjeshëm, veçanërisht pasi tërmeti ndodhi natën.
“Kur një tërmet ndodh natën, njerëzit mund të jenë veçanërisht të prekshëm pasi largimi nga shtëpitë e tyre dhe largimi nga rrënojat dhe mbeturinat pas errësirës rrit rrezikun e lëndimit. Numri i hershëm i vdekjeve ka të ngjarë të rritet ndjeshëm pasi informacioni i hershëm është i kufizuar dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar”, shtoi Walker.