ATSH-DPA/ – Shkencëtarët në një institut në qytetin kinez të Guangzhou kanë arritur të rrisin indet e veshkave me qeliza kryesisht njerëzore, në embrionet e derrit me shpresën për të krijuar organe donatore për transplantim në të ardhmen.

Ekipi, i udhëhequr nga “Liangxue Lai”, i Institutit të Biomjekësisë dhe Shëndetit në Guangzhou, publikoi studimin në revistën “Cell Stem Cell”.

Puna e tij varej nga “fikja” e gjeneve SIX1 dhe SALL1 në embrione me ndihmën e Crispr/Cas, një mjet që shpesh përshkruhet si gërshërë gjenetike.

Kjo do të thotë se embrionet nuk zhvillonin veshkat e derrit dhe se u krijua një boshllëk, ose kamare.

Më pas u injektuan të ashtuquajturat qeliza burimore njerëzore “pluripotente” të marra nga gjaku i kordonit kërthizor. Më pas këto ishin në gjendje të zhvilloheshin në kamare.

Ekipi tha se procedura kërkon përmirësim, duke treguar një shkallë të lartë të përkeqësimit të embrioneve.

“Ishte i nevojshëm një vlerësim nëse kjo ishte e lidhur me kimerizmin apo aspekte të tjera të procedurës së injektimit”, thanë shkencëtarët.

“Përveç kësaj, veshkat që u zhvilluan mirë vazhduan të përmbajnë më shumë se një të tretën e qelizave të derrit, dhe kjo mund të çojë në refuzim nëse transplantohen”, thanë ata.