ANALIZA e REL: Mospajtime politike apo inate personale mes Kurtit dhe Ramës?!

Përplasjet verbale mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, kanë të bëjnë me çështje politike, por nuk përjashtohen as ato personale, thonë analistët.  Mospajtimet e dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Një ditë më herët, Kurti tha se me Ramën do të takohej vetëm në mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve. Një mbledhje e tillë, e planifikuar të mbahej më 14 qershor, nuk u mbajt, pasi Rama kërkoi që t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u përkeqësua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Kurti nuk i përfilli kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tërheqjen e këtyre kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Mbledhja “nuk mund të mbahet në formatin e paraparë” dhe “nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që, në fakt, ndodh në realitetin e Kosovës sot”, tha Rama muajin e kaluar. Në një intervistë për Televizionin Klan Kosova, më 6 korrik, Rama tha se ka insistuar të takohej me Kurtin përpara mbledhjes së planifikuar të qeverive, “për t’ia përcjellë disa shqetësime”, porse kjo nuk ka ndodhur.

Sipas Kurtit, mbledhja e dy qeverive u anulua paarsyeshëm. “Prandaj, unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të të dyja qeverive, por jo takime të tjera”, tha Kurti më 5 korrik. E para, sipas tij, lidhet me raportin rajonal të forcave, si dhe me rolin dhe pozitën e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe si shtet i integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, thotë Hasani, Rama po përpiqet ta luajë rolin e një “hegjemoni” rajonal. Sipas tij, ai po përpiqet të ndërmjetësojë mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por edhe të paraqitet si “një gjysmëzëdhënësi i bashkësisë ndërkombëtare, apo së paku i strukturave të sigurisë ndërkombëtare”. Aspekti subjektiv, që ka acaruar marrëdhëniet mes dy kryeministrave, sipas Hasanit, është “takti me të cilin Rama i është qasur Kosovës, jo vetëm tash, por edhe më herët”.

Sipas tij, janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – nisur nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për ta bindur Kosovën që t’i bashkohej nismës Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Këto kanë lënë shije të keqe, sepse Rama është parë si nj lloj ‘pyke’, e cila është pjesë e një pabesie më të madhe. Kështu është perceptimi i Qeverisë aktuale, i Qeverisë së Kurtit”, thotë Hasani. “Por, Rama, duke i përdorur faktorët objektivë, në emër të të cilëve ai flet, po synon si shtesë një protagonizëm që, objektivisht, përveçse e delegjitimon Kurtin si pushtet, i fryn edhe idesë së Kosovës si një shtet i dështuar ose në dështim e sipër. Kjo është esenca e problemit”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, përmendi pikërisht tri momentet, të cilave iu referohet edhe Hasani, si arsye subjektive të përplasjeve Kurti-Rama. Ato “e kanë dëmtuar Kosovën”, tha Konjufca për mediat, pas takimit me Ramën. Kryeministri, ndërkaq, Konjufcën e quajti “djalë simpatik”.

Ervis Iljazaj, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Evropian të Tiranës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka “sjellje paternaliste” ndaj autoriteteve të Kosovës, ngjashëm sikurse edhe kryeministrat e mëhershëm shqiptarë.

Sipas Iljazajt, Rama ndjek një linjë politike që dallon nga ajo e Kurtit, për sa u përket çështjeve të Kosovës. Por, siç thotë ai, kjo nuk e justifikon faktin që ata të mos takohen.

Kurti, thotë Iljazaj, pretendon që Rama duhet t’i mbështesë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në sfidat që ka në veri me Serbinë, por edhe në raportet e krijuara me partnerët perëndimorë. Iljazaj konsideron se Shqipëria deri më tash, përmes politikës së Ramës, është sjellë si shtet neutral dhe jo si palë në konflikt.

“Mendoj se Rama, në këtë çështjen e Kosovës, në këtë rast ka të drejtë. Pastaj, sigurisht se ai e ekzagjeron me protagonizmat e tij. Sigurisht që ka interesat e tij personale, të pushtetit të tij personal, për të marrë rolin e protagonizmit në rajon, edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kjo duket qartë”, thotë Iljazaj. “Po, mesa duket, Albin Kurti këtë gjë nuk ia ka ‘falur’ Qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama, sepse ndoshta ka pretenduar që Rama dhe Qeveria shqiptare duhet ta ndjekin në politikën e tij”, shton ai.

Në verën e vitit 2018, mekanizma të ndryshëm shpërfaqën idenë e “korrigjimit” apo “përcaktimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Kurti, asokohe, e kritikoi Ramën për mbështetjen e kësaj ideje. Në dhjetor të po atij viti, Kurti mbështeti protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, që kundërshtonin tarifat e larta të shkollimit dhe kërkonin cilësi më të lartë në arsim.

Më 10 tetor të vitit 2019, pastaj, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratuan një deklaratë që çoi drejt marrëveshjes për “Mini-Schengenin” ballkanik, e që më vonë u riemërua si “Ballkan i Hapur”. Kurti – asokohe kandidat për kryeministër të Kosovës – e kundërshtoi nismën, duke thënë se Rama ka bërë gabim në hapa. Sipas tij, nisma do të duhej të ishte e Kosovës dhe Shqipërisë, për të përfshirë më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e krejt në fund edhe Serbinë.

Këtë nismë e kundërshtuam edhe udhëheqës të tjerë politikë në Kosovë. Më 25 prill 2021, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, garoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, por mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë e fitoi Rama. Kurti dhe Rama i shprehën publikisht edhe mospajtimet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për formimin e të cilit komuniteti ndërkombëtar insiston në vazhdimësi.

Muajin e kaluar, Rama tha se ka dorëzuar një propozim të draft-statutit të këtij asociacioni te zyrtarët e lartë të BE-së, si dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe te presidenti francez, Emmanuel Macron – gjë që ngjalli pakënaqësi te Kurti dhe autoritetet e tjera të Kosovës.

Profesori Hasani vlerëson se Qeveria e Kosovës, aktualisht, po vepron sipas logjikës së “arsyes shtetërore”, për t’i mbrojtur ato që i konsideron “interesa shtetërore”. Sjelljet e Ramës, “duke iu qasur Kosovës thuajse nuk është shtet”, i dëmtojnë këto interesa, thotë Hasani.

Megjithatë, ai nuk beson se mospajtimet e dy kryeministrave lidhen edhe me inate personale. “Jo, nuk janë shndërruar… Ato [inatet personale] kanë qenë të tejkaluara shumëfish dhe kanë pasur raporte shumë të përzemërta ideologjike. Dhe i kanë akoma. Unë pres që ata, në një moment, prapë të vijnë në pikën e njëjtë – edhe Kurti, por edhe Rama – sepse të dy janë të majtë të devotshëm”, thotë Hasani.

Profesori Iljazaj mendon ndryshe.

“Po t’i shikosh, që të dy janë politikanë me mbështetje të madhe, për momentin. Janë politikanë me karizëm të fortë, që të dy. Kështu që, sigurisht, ka edhe një përplasje egosh, ka një garë protagonizmi të botës shqiptare të këtyre dy politikanëve”, thotë ai. Hasani dhe Iljazaj pajtohen se përplasjet ndërmjet Kurtit dhe Ramës nuk do të çojnë në ndonjë çarje serioze të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Unë dhe Albin Kurti kemi të njëjtin qëllim, qind për qind. Dallojmë tek ajo se si arrihet qëllimi”, tha Rama më 6 korrik, duke komentuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili tash për tash ka ngecur./REL-Limit.al