Ekspertët e sigurisë kanë lëshuar një paralajmërim për përdoruesit e telefonave Android, pasi një virus që vjedh të dhënat bankare po qarkullon në këtë sistem operativ.

Sipas ekspertëve të “ThreatFabric”, bëhet fjalë për virusin e quajtur “Anatsa” që mund të infektojë celularët Android përmes aplikacioneve nga Google Play Store.

Ky virus vjedh të dhënat bankare që përdoruesit mund të kenë në celularët e tyre. Paralajmërimi vjen sidomos për shtetet SHBA, Angli, Gjermani, Austri dhe Zvicër, pasi në këto vende ky virus po qarkullon së fundmi.

Pasi virusi “Anatsa” infekton pajisjen, hakeri ka mundësi që të vjedhë kredencialet dhe të hyjë në llogarinë bankare të përdoruesit.

“Anatsa” nuk është një virus i ri. Ai është në qarkullim që prej vitit 2020, por së fundmi është masivizuar për shkak se infekton telefonat përmes platformës Play Store.

Është vënë re se ky virus ka infektuar mbi 30 mijë pajisje.

Virusi “Anatsa” është i fshehur në disa aplikacione në Play Store të shfaqura së fundmi, që paraqiten si lexues PDF-je.

Google ka bërë të ditur se aktualisht të gjitha aplikacionet e infektuara me këtë virus janë hequr nga Play Store, por rreziku ekziston tek ata përdorues që i kanë shkarkuar tashmë këto aplikacione.